Genoa po kalon një moment shumë të keq dhe rrezikon seriozisht rrëzimin në Serie B. Ekipi më i vjetër në Itali renditet në vend të parafundit, ndërsa tifozët kanë nisur një fushatë kundër presidentit.
Enrico Preziosi shihet si e keqja e kësaj situate dhe ultrasit e Genoas kanë nisur “luftën” ndaj tij. Në këtë situatë të vështirë ka ardhur një mbështetje nga Gjermania.
Hertha Berlin priti Bayern Munchen dje (0-4 u mbyll ndeshja) dhe tifozët nga kryeqyteti hapën dy pankarta befasuese në fillim të ndeshjes. “Mos u dorëzoni ultras Genoa” shkruhej në të parën, ndërsa e dyta ishte edhe më e qartë: Preziosi, zhduku!.
Një mbështetje surprizuese dhe kjo gjë bëhet më e bukur nga fakti që dy tifozeritë nuk njihen për ndonjë binjakëzim mes tyre. Ultrasit e Herthës kanë një afeksion për homologët italianë, pasi edhe më parë kanë nxjerrë pankarta mbështetje për tifozët e Napolit.