Kryetari i Shoqatës “Tirana”, Rushdi Keçi mbajti fjalën e tij në tubimin pro UÇK, në sheshin “Skënderbej”
Keçi u shpreh se lufta e UÇK është e shenjtë dhe e drejtë, teksa shtoi se ish krerët e saj po mbahen padrejtësisht të burgosur.
Ndër të tjera, Keçi deklaroi se drejtësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë përpara të vërtetës historike.
“Sot jemi mbledhur këtu në Tiranë, për të nderuar luftën e shenjtë dhe të drejtë të UÇK. Tirana ka qenë mikpritëse, i ka hapur zemrën çdo shqiptari që ka ardhur nga çdo trevë. Në 1999, Tirana u bë dritë shpresë, qytetarët e saj pritën mijëra kosovarë. Tirana tregoi se është kryeqyteti i shpirtit shqiptar. Nga kjo tokë, dolën bij që iu bashkuan UÇK. Midis tyre, është dëshmori Skerdilajd Lagami. Emri i tij do të kujtohet përjetësisht si shembull i guximit. Sot, teksa nderojmë dëshmorët, nuk mund të mos ngremë zërin edhe për vëllezërit e UÇK, që mbahen padrejtësisht në burgun e Haguës. Ata nuk janë kriminelë. Drejtësia nuk mund të mbyllë sytë përpara të vërtetës historike. Le ta përcjellim këtë mesazh nga Tirana, shqiptarët janë një. Kauza e UÇK është kauza e kombit. Liri dhe drejtësi për udhëheqësit e UÇK”, theksoi ai./abcnews.al

