Lufta e Parë Botërore ishte mes kushërinjve, si u bë Mbretëreshë Viktoria “gjyshja e Europës”

schedule10:07 - 23 Shtator, 2022

schedule 10:07 - 23 Shtator, 2022

Nga Michele Caimmi, History of Yesterday

Mund të duket e çuditshme, por gjatë Luftës së Parë Botërore – e quajtur edhe Lufta e Madhe, shumica e sovranëve të vendeve të përfshira ishin të afërm. Më konkretisht, sovranët e Anglisë, Gjermanisë dhe Rusisë ishin kushërinj.

George V (Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar), Wilhelm II (Perandori gjerman) dhe Nikolla II (Perandori rus) ishin nipër të së njëjtës gjyshe, përkatësisht Victoria, Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar.

Mbretëresha Viktoria

Mbretëresha Viktoria lindi nëntë fëmijë, të cilët u martuan në familje mbretërore dhe fisnike në të gjithë kontinentin europian, duke e quajtur Viktorian “gjyshja e Europës”.

Victoria, fëmija më i madh i Mbretëreshës Viktoria, u martua me Frederikun III (Perandori Gjerman) në 1858 në Kapelën Mbretërore të Pallatit të Shën James në Londër. Victoria dhe Frederick sollën në jetë tetë fëmijë.

I pari ishte Wilhelm, i cili u bë perandor gjerman në 1888. Eduardi ishte fëmija i dytë i Mbretëreshës Victoria. Ai u bë Mbret i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1901. Eduardi dhe bashkëshortja e tij Alexandra e Danimarkës kishin gjashtë fëmijë (i fundit, Alexander John, vdiq vetëm njëzet e katër orë pas lindjes). Fëmija i tyre i dytë, George, u bë Mbret i Mbretërisë së Bashkuar në 1910.

Alice ishte fëmija i tretë i Mbretëreshës Victoria. Ajo u martua me Louis IV (Duka i Madh i Hesse) në 1862. Alice dhe Louis lindën shtatë fëmijë. Fëmija i tyre i dytë, Alexandra, u martua me Nikollën II (Perandori i Gjithë Rusisë).

Megjithatë, Nikolla II dhe George V ishin kushërinj edhe sepse nënat e tyre – Maria Fedorovna dhe Alexandra e Danimarkës, respektivisht  ishin motra, raporton abcnews.al

Lufta e Madhe

Kur filloi Lufta e Parë Botërore, George V, Wilhelm II dhe Nikolla II po sundonin përkatësisht Anglinë, Gjermaninë dhe Rusinë. Ndërsa Anglia dhe Rusia ishin pjesë e Antantës së Trefishtë, Gjermania ishte fuqia kryesore midis Perandorive Qendrore.

Besohet se Wilhelm II njëherë theksoi se, nëse gjyshja e tyre do të ishte ende gjallë, ajo kurrë nuk do t’i lejonte ata të bënin një luftë të tillë. Megjithatë, në gusht 1914 Gjermania i shpalli luftë Rusisë dhe Francës. Britania ndërhyri duke i shpallur luftë Gjermanisë.

Papritur, e gjithë Europa u fut në luftën më shkatërruese që bota kishte përjetuar ndonjëherë. Për sa i përket sovranëve, ndërsa si George V ashtu edhe Wilhelm II i mbijetuan luftës, Nikolla II nuk arriti të mbijetonte. Me familjen e tij, Cari i fundit u burgos nga qeveria revolucionare ruse, u internua në Siberi dhe u ekzekutua më 17 korrik 1918, raporton abcnews.al.

Trupat e Carit Nikolla II, Caritsa Alexandra dhe tre vajzave të tyre u zbuluan në vitin 1979 pranë Sverdlovsk. Megjithatë, ato u identifikuan zyrtarisht vetëm në vitin 1998.

Kur eshtrat e Perandorit dhe familjes së tij të ngushtë u varrosën në Katedralen e Shën Pjetrit dhe Palit në Shën Petersburg, gjithashtu Familja Mbretërore Britanike u përfaqësua në ceromoninë mortore nga Princi Michael i Kentit.

Mbretëresha Viktoria vuante nga hemofilia dhe ajo i transmetoi sëmundjen vajzave të saj Princeshës Alice dhe Princeshës Beatrice.  Djali më i vogël i Victoria, Princi Leopold gjithashtu vuante nga sëmundja, e cila çoi në vdekjen e tij në moshën 30 vjeçare.

Disa nga mbesat e mbretëreshës Victoria u bënë mbretëresha në Greqi, Norvegji dhe Rumani gjatë Luftës së Parë Botërore.

Edhe sot, pothuajse të gjithë sovranët europianë janë pasardhës të Mbretëreshës Viktoria, përkatësisht Felipe VI (Spanjë), Margrethe II (Danimarkë), Harald V (Norvegji), Carl XVI Gustaf (Suedi) dhe  normalisht Elizabeth II (Mbretëria e Bashkuar).

/abcnews.al