Ish-mbrojtësi i Interit, Lucio, është rikthyer të flasë për zikaltrit. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, braziliani komenton ecurinë e ekipit të Antonio Contes si dhe shpreson se ata mund t’i japin fund dominancës së Juventusit në Serie A. Lucio ndalet gjithashtu edhe te Romelu Lukaku si dhe tek planet e tij për të ardhmen.
“Unë shikoj më pak ndeshje sesa dua, por Interi më në fund i ka të gjitha mundësitë për t’i dhënë fund dominimit të Juventusit. Është e çuditshme të shikosh Conten në stolin e zikaltërve, por ajo që ka rëndësi janë rezultatet dhe ai po i merr ato. Antonio punon shumë në aspektin fizik dhe kjo duket pasi Interi është i shpejtë në kalimin nga mbrojtja në sulm. Shpresoj që ata të arrijnë të njëjta objektiva siç bëri Interi im”, deklaron braziliani.
“Lukaku? Romelu ka një forcë të mahnitshme fizike, të cilën e vë në dispozicion për ekipin. Ai më kujton Drogban dhe Ibrahimovic gjithashtu. Nëse një mbrojtës përpiqet ta ndalojë atë me trup, atëherë ai ka mbaruar. Lukaku arrin të shtypë çdo kundërshtar. Planet për të ardhmen? Pas largimit nga futbolli, iu përkushtova familjes sime. Besoj se përvojën time duhet ta marrë dikush. Unë dua të kthehem të punoj në futboll”, përfundon Lucio. /abcnews.al