Mesfushori i Real Madrid, Lucas Vasquez, nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me madrilenët. Spanjollit i përfundon kontrata këtë qershor dhe drejtuesit kërkojnë që ajo të rinovohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që mos ta humbasin atë me parametra zero.
Sipas raportimit të “Cadena SER”, oferta është bërë nga klubi madrilen, por është refuzuar nga lojtari. Reali i ka ofruar Vasquezit një kontratë të re 3-vjeçare dhe paga nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
Fillimisht, 29-vjeçari mësohet se kërkon rritje page. Por, arsyeja kryesore është se ai është ndjerë jo mirë në merkaton e verës së kaluar, kur klubi e vendosi atë në shitje. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e lojtarit, nëse do të qëndrojë në Madrid apo në verë do të luajë për një klub të ri. /abcnews.al