Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, nga foltorja e parlamentit ka akuzuar qeverinë shqiptare se po shkel ligjet, të cilat i miraton vetë. Nga ilaçet e rimbursueshme tek shkarkimi i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deputeti Luan Rama akuzoi mazhorancën, e cila në përgjigje të akuzave lidhur me prokuroren Arta Marku, përdori si mburojë Shtetet të Bashkuara të Amerikës.
Vetëm një ditë pas kremtimit të “Ditës së Europës” nga politika shqiptare, në sallën e seancave plenare deputeti I LSI-së Luan Rama, heshtjen e politikës mbi domethënien e 9 Majit sa i përket popullit shqiptar e sheh si pasqyrë të hipokrizisë së mazhorancës së sotme, e cila sipas tij ende çon dëshmorë vetëm këtë 9 Maj e bën përmes ligjeve që miraton dhe nuk zbaton.
Luan Rama: “Është dita e fitores së lirisë mbi nazifashizmin, ku shqiptarët janë kontributorë me gjakun, me luftën dhe me sakrificat e tyre, por në Shqipëri nuk u fol asnjë fjalë. Turp më të madh nuk ka. Shkon deri atje makutëria që hiqenr edhe barnat e rimbursueshme për ata që janë në zgrip të jetës”.
Produkt të kësaj të fundit ish-ministri i Brendshëm, Luan Rama, sheh edhe lëvizjen e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rëndam Besim Hajdarmatajm nga Prokurorja e Përkohshme, Arta Marku, produkt i reformës në drejtësi, të shkelur, sipas tij.
Luan Rama: “Ligji që ne kemi miratuar nuk ia jep këtë autoritet Prokurores së Përkohshme. Edhe nëse i referohemi praktikës në Prokurori do duhet të ishte mbledhur Këshilli i Prokurorisë dhe pasi të merrej atje vendimi do duhej të ishte shpallur ligjërisht vakanca për vendin e liruar. Ku janë këto procedura? Kjo është pra kapja e shteti që nuk do të thotë që e merr e fut në xhep dhe e çon në shtëpi. Kapja e shtetit do të thotë ta përdorësh institucionin në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”.
Edhe pse apeli i sjellë në vëmendje, për ilaçet e hequra nga lista e rimbursimit, nuk mori përgjigje nga mazhoranca, kreu i kësaj të fundit Edi Rama për kundërargument në akuzën për reformën në drejtësi, i përdori atë që vetë e quajti “protagonist të jetës tonë publike” ambasadorin amerikan, Donald Lu.
Edi Rama: “A mund ta përfytyrojë kush, që, nëse do të kishte një fije të vërtete në goditjen e këtyre për lëvizjen e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, do kishte dalë miku ynë i shtrenjtë, njohësi i kudondodhur i të gjithë proceseve tona, për të vënë drejtësi në këtë vend”?!
Kryeministri Rama i referohet deklaratës së ambasadorit amerikan, i cili lëvizjen e kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, e quajti moment me rëndësi që Shqipëria të tregojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike, duke mbështetur gjithashtu emërimin nga kryeprokurorja Arta Marku të Donalika Prelës në vend të tij, si shenjë vullneti dhe aftësie zgjidhjes së efektshme dhe pa vonesa të çështeve të krimit dhe korrupsionit./abcnews.al