Luan Daci merret i pandehur nga SPAK, të premten i komunikohet akuza

schedule16:00 - 22 Korrik, 2020

schedule 16:00 - 22 Korrik, 2020

Nga Glidona Daci

Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci është marrë i pandehur nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme e ka thirrur Dacin ditën e premte për t’i komunikuar akuzën për falsifikim dokumentesh.

Gjyqtari i KPA akuzohet se ka fshehur vendimin e shkarkimit nga detyra për paaftësi që ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë i dha në vitin 1997.

Mësohet se gjyqtari Daci do të jetë i pranishëm në seancën e 24 korrikut bashkë me avokatët e tij ku do të njihet me akuzën dhe provat që disponon Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Më pas çështja do të kalojë në seancë paraprake ku do të vendoset nëse do të pushohet, do kalojë për gjykim, apo gjykata mund ta ktheje për plotësim hetimesh në prokurori.

Më herët Gjykata e Shkallës së Parë vendosi pezullimin e Dacit nga detyra por ishte apeli që e rrezoi këtë vendin duke e rikthyer në detyrë.

Në vitin 2017, ndërsa kandidonte për anëtar të KPA, Daci u mor në pyetje në komisionin parlamentar Ad Hoc.

Deputetja Vasilika Hysi i kujtoi Luan Dacit vendimin e firmosur në 1997 nga presidenti Mejdani për  largimin nga detyra.

Por në atë kohë gjyqtari deklaroi se dha dorëheqjen duke mos treguar motivin e vërtetë të largimit të tij nga detyra për paaftësi.

Këtë përgjigje gjyqtari Daci e justifikoi me pretendimin se nuk ishte i detyruar që ta bënte një deklaratë të tillë.

Dy muaj përpara se të paraqitej në komisionin parlamentar në 2017-ën, Luan Daci u refuzua nga KLD si gjyqtar i gjykatës së Tiranës pikërisht për arsyen e shkarkimit për paaftësi nga puna./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!