“Luajtëm një ndeshje të mirë”, Simeone pas humbjes në “Meazza: Jam optimist për sfidën e kthimit

schedule13:56 - 21 Shkurt, 2024

schedule 13:56 - 21 Shkurt, 2024

“Zikaltërit” e Inter zhvilluan një ndeshje të madhe, mbrëmjen e së martës, që sapo lamë pas, teksa në “mitikun” e Milanos, “Giuseppe Meazza” mposhtën me rezultatin minimal, 1 me 0, “Los Colchoneros” e Atletico Madrid, duke hedhur kështu një hap të madh, drejt çerekfinaleve, të këtij viti, të UEFA Champions League.

Mirëpo, nëse për “Zikaltërit” ishte një fitore e madhe, plot vlera, në krahun tjetër e kundërta ishte për “Los Colchoneros”. Pas ndeshjes, tekniku, Diego Simeone komentoi sfidën ndaj nënkampionëve të Evropës, teksa u shpreh se djemtë e tij luajtën një ndeshje të mirë dhe se kualifikimi është tërësisht i hapur për sfidën e radhës.

“Mendoj se luajtëm një ndeshje të mirë. Në pjesën e parë luajtëm mirë, por pa krijuar mundësi të mëdha, në fraksionin e dytë u përpoqëm më shumë, kishim edhe shansin e Morata-s në fund. Goli pësuar ka shumë faktorë, ne gabuam në disa raste, të gjithë gabojnë dhe në këtë mbrëmje ne toleruam më shumë.

Kualifikimi nuk është vendosur ende, por duhet të kuptojmë që kemi përballë një kundërshtarë të fortë, të ndërlikuar që do të ketë një avantazh në ndeshjen e kthimit. Në Madrid ne do të kemi edhe tifozerinë tonë dhe jam shumë optimist, pres një ndeshje të madhe”,- u shpreh fillimisht tekniku argjentinas.

Më tej, tekniku Simeone foli edhe për gjendjen fizike të skuadrës, pas sfidës në “Meazza”, teksa sipas fjalëve të tij la të nënkuptohej se humbja ndaj “Zikaltërit” nuk do të kalohej pa disa probleme në organikë.

“Gimenez doli sepse kishte dhimbje në këmbë dhe duhet të presim për të kuptuar se deri kur do të mungojë. Hermoso nuk mund të luante të gjithë ndeshjen sepse gjithmonë rrezikonte kartonin e dytë. Morata nuk është në kondicionin e duhur, teksa Griezmann kishte lodhje në kyçin e këmbës dhe nuk mund të rrezikoja. Tani për tani gjendja e tij nuk duket shumë shqetësuese”,- përfundoi “Cholo”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!