“Luajmë për 3 pikë”, Shehi kërkon fitore ndaj “Bardhezinjve”: Nuk është kundërshtar i lehtë

schedule11:36 - 20 Janar, 2024

schedule 11:36 - 20 Janar, 2024

Pas fitores, në përballjen debutuese, ndaj “Durrsakëve të Teutës, tekniku i “Demave të Kuq”, të Partizanit, Orges Shehi tashmë kërkon fitoren e dytë radhazi, teksa kërkon ta mbajë sa më të “karikuar” skuadrën, në nëmnyrë që të arrijnë edhe për një tjetër vitë fitimin e titullit kampion.

Ashtu siç e do zakoni para sfidës u zhvillua edhe një konferencë për shtyp, Shehi është ndalur pak edhe për rikthimin e Skukës, nga ku tha se “bomberit” dibran i duhet pak kohë, që të vijë në 100% të formës së tij, teksa theksoi se deri më tani është tejet i lumtur me përpjekjet që 25-vjeçari po bën për t’u “rikthyer” si dikur.

Konfeenca e plotë për shtyp e teknikut Orges Shehi:

Si e prisni ndeshjen ndaj Laçit?

Nuk mendoj që ka kundërshtar të lehtë. Të gjithë kundërshtarët kanë vështirësinë e tyre, të gjithë kërkojnë të marrim maksimumin e pikëve. Mendoj se është një ndeshje që ka shkallën e vështirësisë së vet dhe rëndësinë maksimale. Për sa i përket gjendjes së skuadrës, kemi patur një javë të plotë për të punuar, pas fitores ndaj Teutës. Na mungon për arsye kartonësh Sembene, ditët e fundit na janë bashkuar Mehmeti dhe Keko. Kontigjenti sa vjen e po plotësohet.

Çdo kundërshtar ndryshon, ka ekipe që luajnë me sisteme të ndryshme, me individë të caktuar, që gjatë lojës ndryshojnë. Laçi është një skuadër që kërkon të ketë topin në zotërim, ka elementë cilësorë, të cilët po nuk pate përqendrimin e duhur, mund edhe të të ndëshkojnë. Patjetër që përpara çdo ndeshjeje analizohet kundërshtari.

Ndaj Laçit, dy fitoret e fundit kanë ardhur në minutat e fundit…

E rëndësishme është të luajmë për të fituar, kjo është kryesorja, se kur vjen fitorja është tjetër gjë. E rëndësishme është të kemi përqendrimin e duhur, situatat ndryshojnë nga minuta në minutë. Duhet të japim maksimumin.

Me siguri e keni analizuar Laçin e dy ndeshjeve të fundit, që është përballur me Partizanin…

Nga ndeshjet e kaluara është pak kohë e gjatë, ne mundohemi të analizojmë sidomos këto ndeshjet e fundit. Patjetër, disa elementë mund të jenë të ngjashëm për mënyrën e lojës.

Në ndeshjen ndaj Teutës u detyruat të bënit modifikime në lojë…

Unë e kam thënë edhe në fillim, e rëndësishme është të na kthehen të gjithë lojtarët. Sigurisht kemi mënyrën tonë të lojës dhe nuk dua të ndalem tek ajo që themi gjithmonë, se një skuadër duhet të ketë ekuilibër. Çdo ndeshje duhet të ketë specifikën e vet.

Si është Skuka?

Skukës i duhet pak kohë për të parë atë lojtar që ne njohim, ato cilësitë që besojmë se do të na ndihmojnë më shumë. Gradualisht po e merr formën, por nuk arrihet kjo për një javë. Kësisoji, do edhe pak kohë. Jemi të kënaqur me angazhimin që ka, sepse është shumë i përqendruar. Vetë është më i interesuar se gjithkush tjetër të arrijë formën optimale.

A e synon Partizani vendin e parë, pavarësisht formulës së re të kampionatit?

Unë e kam thënë që në fillim: edhe pse kampionati ka një formulë ndryshe këtë sezon, ku i gjithë fokusi është te “Final Four”, kërkojmë të jemi protagonistë, të jemi në majë. Pra, gjithmonë kërkojmë të përmirësohemi. E kemi si objektiv që të jemi gjithmonë në rritje dhe të kërkojmë kreun, të paktën pas 36 javëve kampionat. Më pas ,“Final Four” është tjetër histori.

Dy ndeshje në shtëpi , sa ju ndihmon mbështetja e tifozëve?

Nga ajo që kam parë, mbështetja e tifozëve nuk na ka munguar si këtu, edhe jashtë. Unë mendoj që miti i fushës në kampionatin shqiptar ka rënë. Nuk është se ka skuadra fushe apo skuadra transferte. E kemi filluar kampionatin me dy ndeshje në shtëpi si rrjedhojë e kalendarit, por do të vijë edhe momenti që të luajmë jashtë. Mendoj se duhet të fokusohemi tek ajo që bëjmë. Duhet të kemi një fytyrë, një fizionomi kudo që luajmë.

A keni ndonjë dëshirë nga merkatoja e dimrit?

Që ditën e parë që jam prezantuar e kam specifikuar se nuk jam trajner që kërkoj të marr këtë apo atë lojtar. Drejtuesit janë duke punuar gjithmonë për ta forcuar skuadrën. Edhe po nuk arritëm që të gjejmë lojtarët e duhur, sepse nuk kërkojmë lojtarë sot për sot, por lojtarë të dobishëm për një projekt më të gjatë se qershori, nuk është problem. Nëse nuk arrijmë të gjejmë profilet e duhuara, ne e kemi kontgjentin e duhur. Shpresoj të na rikthehen të dëmtuarit sa më shpejt, për të synuar maksimumin edhe me kontigjentin aktual. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!