Këta janë peshqit e mëdhenj që ka zënë rrjeta e drejtësisë deri më tani në Shqipëri. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, i citon një nga një, duke i dhënë mesazhin shqiptarëve se akush nuk është mbi ligjin.
Donald Lu: “Shqipëria ka mbështetur kapjen e një peshku të madh, Met Kanani që u kap në Turqi. Dy urdhër arreste janë lëshuar edhe për dy peshq të tjerë. Klement Balili dhe Arber Çekaj. Ata duhet të kapen. Fran Frrokaj dhe Roshi po ndiqen penalisht, hetimet po vazhdojnë ndaj Tahirit dhe Llallës, askush nuk është mbi ligjin”.
Askush nuk është mbi ligjin ishte mesazhi që ambasadori amerikan, Donald Lu, dha edhe një ditë pasi shumica në Kuvend rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nuk lejoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.
Sot Tahiri do të përballet me drejtësinë i pa mbrojtur nga imuniteti i deputetit dhe këtë kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë e përshëndet me një fjali.
Donald Lu: “Mirëpresim faktin që zoti Tahiri do përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet”.
Nuk dha detaje të tjera ambasadori Lu për hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm ndonëse një muaj më parë u shpreh shpresë plotë se Tahiri do të ndiqet penalisht.
Donald Lu: “Shikoni Saimir Tahirin, ish-Ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje”.
Kapja e këtyre peshqve është mundësia e Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian tha Ambasadori Lu. Por i takon shoqërisë civile, organizatave jo qeveritare dhe mediave të publikojnë fyturën e tyre të vërtetë.
Donald Lu: “Duhet të ndihmoni publikun të kuptojnë pse këta persona janë kaq të rrezikshëm”.

