Autoritetet franceze arrestuan të martën katër persona të tjerë për grabitjen spektakolare të bizhuterive nga muzeu i Luvrit muajin e kaluar.
Të arrestuarit janë dy burra të moshës 38 dhe 39 vjeç, dhe dy gra të moshës 31 dhe 40 vjeç, të gjithë nga rajoni i Parisit.
Sipas mediave franceze, midis tyre mendohet të jetë anëtari i fundit i bandës me katër persona që dyshohet se kreu grabitjen gjatë ditës.
Të arrestuarit u bashkohen katër të dyshuarve të tjerë të ndaluar në fund të tetorit, të cilët do të merren në pyetje nga hetuesit, tha prokuroria e Parisit, e cila ende nuk ka publikuar detaje të mëtejshme rreth akuzave të mundshme.
Muajin e kaluar, një bandë prej katër personash bastisi Luvrin, muzeun e artit më të vizituar në botë, në mes të ditës, duke ku grabiti për vetëm 7 minuta bizhuteri me vlerë rreth 102 milionë dollarë përpara se të arratiseshin me skuterë.
Grabitja gjatë ditës ngriti dyshime mbi besueshmërinë e muzeut më të vizituar në botë për sigurinë e veprave të tij të panumërta.
Menjëherë pas ngjarjes, drejtori i Luvrit zbuloi se Galeria Apolon ku ndodhi grabitja, nuk ishte e monitoruar nga kamerat e sigurisë.
Që nga incidenti, masat e sigurisë janë rritur rreth institucioneve kulturore të Francës.
Luvri ka transferuar disa nga xhevahiret e tij më të çmuara në Bankën e Francës pas grabitjes, për t’i mbajtur më të sigurta.
Pavarësisht arrestimeve të shumta, deri më tani, nuk ka pasur asnjë gjurmë e bizhuterive të vjedhura.

