Lotë, ushtarë dhe “gafa”: Turqi-Shqipëri në tjetër kënd

schedule09:31 - 12 October, 2019

schedule09:31 - 12 October, 2019

Turqia nuk po kalon momente të qeta, teksa ka nisur një mësymje në Sirinë Veriore. Një ditë më parë populli turk gëzoi për triumfin ndaj Shqipërisë në futboll, por sigurisht sytë janë në tjetër vend. Gjithçka e qartë, mjafton vetëm të lexosh atë që trajneri Senol Gunes ka shprehur pas ndeshjes me kuqezinjtë tanë.

“Vendi ynë lufton prej vitesh me terrorizmin. Është e vështirë të flasësh për futboll në një ditë si kjo. Jemi gati të jetojmë në harmoni me të gjithë në vendin tonë, pa dallim rrace, gjuhe apo feje. Ata që rrisin terroristë, shpresoj që të mbyten në gjakun e tyre. Ka qenë një periudhë e vështirë për shtetin tonë dhe zhvilluam një ndeshje stresuese. I uroj të gjithë tifozët, ndërsa lojtarët i putha në ballë. Po kalojmë një moment jashtëzakonisht të vështirë. Ishte një përballje stresuese dhe shumë e vështirë, kështu që nuk dua të bëj shumë analiza për takimin”, ka deklaruar Gunes.

Në fakt gjithçka ishte kuptuar pa nisur ndeshja. Masa sigurie të një niveli të lartë, ndalim i futjes së pankartave dhe shumë sendeve të tjera në stadium, kontrolle të rreptësishme, ndërkohë që edhe festa e golit ishte me një qëndrim “gati-tu”. Edhe Turqia e futbollit po e përjeton luftën.

Lojtarët e Turqisë, duke festuar golin e Tosun

LOTËT DHE GAFAT – Tërbim për humbjen. Shqipëria nuk e meritonte, por në futboll ndodh gjithçka. Rey Manaj mund të ishte kthyer në një hero, por lushnjari në dy raste nuk ia doli të shënonte dot. I pari ishte më flagranti dhe sulmuesi sqaroi pas ndeshjes se ia devijuan topin, ndërsa në rastin e dytë e mori keq dhe nuk diti të përfitonte.

Të gjithë gabojnë, sikurse bëri edhe portieri Thomas Strakosha. “Nuk munda ta ndihmoj skuadrën time atëherë kur duhej. Më vjen keq, pasi jam 24 vjeç dhe e kam njëfarë eksperience. Nuk më lejohet të bëj gabime të tilla”, deklaroi pas ndeshjes portieri, i cili më parë kishte marrë mbështetjen e gjithë shokëve të skuadrës.

Madje i pari që shkoi drejt Strakoshës së përlotur ishte Etrit Berisha, ai të cilit “gardiani” i Lazios i ka zënë vendin. Shqipëria vjen e para dhe normalisht të gjithë mbështesin njëri-tjetrin. Berisha ka provuar në të shkuarën të jetë në vendin e Strakoshës dhe e di çfarë do të thotë të gabojë portieri. Turqia i përket së shkuarës, Shqipëria tani duhet të mendojë për Moldavinë dhe më shumë për të ardhmen. Është momenti… /abcnews.al

Manaj në një aksion kundër Turqisë