Lot dhe “thumba”, Suarez: Iki pa pengje, ju tregoj kujtimet më të bukura

schedule14:42 - 24 Shtator, 2020

schedule 14:42 - 24 Shtator, 2020

Tashmë është zyrtare. Luis Suarez është lojtari më i ri i Atletico Madridit pas plot gjashtë viteve të kaluara me Barcelonën. Madrilenët kërkonin një zëvendësues për Alvaro Moratën, i cili kaloi pak ditë më parë tek Juventusi. Uruguaiani ishte në një konferencë lamtumirë së bashku me presidentin Bartomeu, ku u ndal në shumë tema të ndryshme.

“I jam mirënjohës këtij klubi sepse më besoi në një moment kur unë kisha gabuar. Jam krenar që po e mbyll kështu aventurën time me Barcelonën. Kam bërë shumë shokë dhe kjo më bën mua të lumtur. Përveçse jam një lojtar, mbi të gjitha jam një njeri me ndjenja. Gjithçka që kalova këtu do të më mbetet në memorien time. Gjithashtu edhe përkrahjen e tifozëve nuk do ta harroj kurrë, i falenderoj pafund ata”.

“Kujtimi më i bukur? Janë disa. Mund të përmend golin e parë, fitoren e parë të kampionatit apo të Champions League. Plus të luaja me lojtarë që i kisha parë vetëm në Play Station ishte një ëndërr për mua. Vendimi për t’u larguar erdhi pas ardhjes së Koeman, i cili më lajmëroi se isha jashtë projektit të tij. Nuk ka asgjë të keqe dhe unë i kërkova vetëm të stërvitesha deri sa të gjeja një ekip të ri dhe ai ra dakord me këtë pjesë”.

“Zgjedhja e Atleticos mund të duket ironike, por nuk është. Kur Barcelona më nxori në merkato ishin shumë oferta. Unë kërkoja një klub ku mund të garoja me Realin dhe Barçën dhe Atletico ishte zgjedhja më e mirë. Ndonjë peng? Unë apo… ( Bartomeu)? Nuk kam asnjë peng, kam luajtur edhe kur kam qenë i dëmtuar”.

“Messi? Ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Tashmë jemi aq të rritur sa për t’i dhënë njëri-tjetrit këshilla. Kam luajtur kundër Messit me Uruguain dhe përballja jonë nuk do ta ndryshojë aspak marrëdhënien që kemi ndërtuar”, përfundon Suarez, i cili u shfaq disa herë i përlotur gjatë konferencës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!