Aktori Arnold Schwarzenegger i është nënshtruar një operacioni në zemër. Sipas zëdhënësit të tij, ndërhyrja kirurgjike ka shkuar mirë dhe ish-guvernatori i Kalifornisë po e merr veten.
Aktori i njohur austro-amerikan, Arnold Schwarzenegger i është nënshtruar një operacioni kirurgjik në zemër, në një spital të Los Anxhelesit. Ylli i filmave aksion dhe ish-guvernator i Kalifornisë, aktualisht 70 vjeç, duhet të zëvendësonte një valvul kateter. Pajisja ishte instaluar për herë të parë për të riparuar një aortë defektoze në vitin 1997.
Operacioni i fundit ka zgjatur disa orë, shkruan faqja e internetit TMZ, sipas të cilës Schwarzenegger është në gjendje të qëndrueshme dhe po e merr veten. Zëdhënësi i tij, Daniel Ketchell ka deklaruar se zëvendësimi i valvulës nuk ishte i përhershëm dhe se operacioni ka përfunduar me sukses. Duke reaguar ndaj lajmit, kancelari i Austrisë Sebastian Kurz i uroi mikut të tij shëndet në një postim në Twitter: “Mezi pres të të shoh sërish”.
Schwarzenegger konsiderohet si një nga “të fortët” e Hollivudit dhe është i mirënjohur për rolet e tij në filmat kult si “Terminator” dhe “Konan Barbari”. Ai shërbeu dy mandate si guvernator i Kalifornisë nga viti 2003 në 2011, përpara se t’i rikthehej aktrimit me filmin “The Expendables”, përkrah mikut të tij Sylvester Stallone. Në maj të vitit të kaluar, Schwarzy, siç njihet ndryshe, u nderua në Francë me titullin Kalorës i Legjionit të Nderit, medalja më prestigjoze e vendit, për punën e kryer në dobi të ambjentit./abcnews.al