Kukësi udhëton në Laç, për tu përballur me skuadrën e Mirel Josës, në sfidën e javës së 21-të të Abissnet Superiores. Një takim që do të luhet ditën e nesërme në orën 13:45.
Një sfidë shumë e rëndësishme për verilindorët të cilët kërkojnë 3 pikët përballë bardhezinjve, për t’iu marrë këtyre të fundit vendin e dytë por edhe për t’u hakmarrë për atë humbje në shkaktuar në “Air Albania” në fazën e dytë.
Në konferencën për shty, trajneri Diego Longo ka theksuar se përballja me kurbinasit është shumë e vështirë, ndërsa shprehet se në dy përballjet me Laçin meritonin të merrnin 6 pikë.
“E dimë që është një ndeshje e vështirë kundër Laçit. Ne meritonim më shumë pikë në dy ndeshjet e para. Ndoshta 6, të paktën 4. Nuk kemi qenë me fat. Shpresoj që të jetë një ndeshje pa presione të jashtme nesër, uroj që Federata të na ndihmojë neve edhe Laçin, që të luhet futboll i drejtë.
Kemi sulmin më të mirë. Në ndeshjen e parë, që përfundoi në barazim 2-2, pësuam gol në fund pasi një 20-vjeçar nuk e largoi topin në fundore. Në ndeshjen e dytë pësuam dy gola për 25 minuta, por dominuam 75 minuta të ndeshjes. Ishim budallenj për mënyrën se si pësuam golat.
Sfidë personale ndaj Laçit? Ata kanë marrë rezultate të mirë, për momentin Laçi është ekipi më në formë, kanë shumë vetëbesim, por do të tentojmë të marrim rezultat pozitiv.
Qëllimi ynë është përmirësimi në renditje. Kemi shumë besim se do të arrijmë sa më lart në renditje. Skuadra? Puntus do të bashkohet me ekipin në stërvitje javën e ardhshme.
Problem ka edhe për Milunovic, i cili ka tërheqje, por edhe Shkurtaj, i cili ndjeu një pickim në kofshë përpara takimit me Kastriotin. Nuk e di nëse do të jetë gati për nesër, por kemi disa probleme në sulm, por kam alternativa të tjera”, deklaroi trajneri italian i Kukësit. /f.a/abcnews.al