Kohët e bukura në Champions kanë përfunduar për skuadrat e Premiere League. Pas dominimit në fazën e ligës, sfidat e para në 1/8 ishin një zhgënjim total për anglezët, që shënuan katër humbje dhe dy barazime.
Një prej tyre e regjistroi Arsenal, që nuk shkoi më shumë se shifrat 1-1 në transfertën kundër Bayer Leverkusen.
“Topçinjtë” e Londrës rritën shumë kuotat e tyre mes favoritëve, pasi mbyllën me pikë të plota fazën e ligës në Champions, por paraqitja e fundit ishte shumë larg pritshëmërive.
Por mund të shkonte më keq se kaq për skuadrën e drejtuar nga Mikel Arteta.
Kjo pasi Bayer Leverkusen iu afrua shumë fitores, që I iku nga duart vetëm në limitet e kohës së rregullt.
Vendasit kaluan në epërsi në nisje të pjesës së dytë, duke përdorur armën më të fortë të rivalëve. Nga goditja e këndit, Andrish ndali topin në rrjetë për festën e Leverkusen.
Rezultati qëndroi pandryshuar deri në momentin më të diskutuar të ndeshjes në minutën e 86’.
Arsenal mori një 11 metërsh të kontestuar, ndërsa nga pika e bardhë Kai Havertz goditi saktë, duke vulosur fatin e sfidës dhe shpëtuar Arsenal nga humbja.
Për mënyrën se si shkoi ndeshja, ky barazim mund të cilësohet si një rezultat pozitiv për kryesuesit e Premier Ligës, që mbeten favoritë për kualifikimin, pasi sfidën e kthimit do ta luajnë të martën e ardhshme në fushën e tyre.


