Zhvillimet në rajon, përkatësisht në Kosovë, gjyqi në Hagë, situata në Maqedoninë e Veriut dhe marrëdhëniet me Shqipërinë u komentuan në emisionin “Balkan Update” në ABC News, me të ftuar gazetarin Arben Ratkoceri.
Gazetari Ratkoceri u shpreh se politikat e Albin Kurtit kanë izoluar Kosovën nga ndërkombëtarët.
Gjatë intervistës në “Balkan Update”, gazetari e ka krahasuar politikën e Kurtit me politikat e Millosheviçit.
“Është e habitshme për ne që Kosova të ftohë marrëdhëniet me SHBA dhe BE. Më duket një politikë kopje e politikave të Millosheviçit. Nuk them që është identik, por ngjason…”, tha ai.
Sa i përket gjyqit në Hagë, ai vlerësoi dëshminë e James Rubin duke thënë: “Dëshmia e James Rubin mendoj është historia, sidomos për brezat më të rinj që duan të kuptojnë se çfarë ka ndodhur realisht në ’99. Rubin ishte ai që e shtjelloi në mënyrë fantastike qoftë konfliktin dhe para-konfliktin apo pas konfliktin duke ua njohur të gjithë meritat atyre burrave që janë në Hagë”, nënvizoi ai.
Duke vijuar me analizën e tij në Maqedoninë e Veriut dhe zgjedhjet lokale atje, tha se i sheh më interesante në pjesën shqiptare, duke shtuar se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ‘provokojë’ zgjedhje të paralajmëruara.
“Zgjedhjet në Maqedoni më interesante janë në pjesën shqiptare, ku kemi dy grupime politike që garojnë. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, do të provokojë zgjedhje të paralajmëruara sepse qeveria aktuale shihet e paqëndrueshme”, përfundoi ai.
/abcnews.al/

