Kastrioti dhe Apolonia do të përballeshin sot në një ndeshje miqësore, por nuk do të ndodhë kështu. Abcnews.al mëson se shkak është bërë testi serologjik i bërë nga Eljon Sota, të cili i janë zbuluar antitrupa të COVID-19. Mbrojtësi do të testohet sërish për të parë nëse është i infektuar, por për momentin është izoluar për të mos rrezikuar.
Nëse del pozitiv, atëherë do të duhet të testohen edhe futbollistët e tjerë të Apolonisë për të parë nëse ndonjë prej tyre është infektuar. Sota kështu rrezikon të humbasë edhe grumbullimin me Shqipërinë U21, një lajm jo i mirë për trajnerin Alban Bushi, i cili ka pak mbrojtës në dispozicion për takimet me Austrinë dhe Andorrën.
NJOFTOI EDHE KASTRIOTI – Apolonia do të ndeshej me Kastriotin sot në Fushë-Krujë dhe mes klubeve ka pasur komunikim për anulimin e sfidës miqësore. Krutanët dolën edhe me njoftim, teksa bënë me dije edhe arsyen e shtyrjes së ndeshjes.
“Anulohet miqësorja mes Kastriotit dhe Apolonisë. Shkak për anulimin e ndeshjes është bërë dalja pozitiv me “Covid 19” e njërit prej lojtarëve të Apolonisë”, thuhet në njoftimin e bërë nga klubi i Kastrioti. /abcnews.al