Lojtari i momentit te Kukësi, Cooper: Besoj te titulli, ëndërroj Serie A dhe Ganën

schedule09:57 - 13 Korrik, 2020

schedule 09:57 - 13 Korrik, 2020

Godberg Cooper është arma plus e Kukësit në këto momente. Sulmuesi 22-vjeçar erdhi në janar në Shqipëri dhe përfitoi nga dëmtimi i Vasil Shkurtajt në fazën finale të sezonit. Kundër Tiranës gjeti golin e parë në Superiore, një gol shumë i rëndësishëm që i hapi rrugë triumfit 1-2 dhe që mban verilindorët në garë për titullin kampion.

Më pas një dygolësh në fitoren 3-0 kundër Teutës, teksa ka realizuar edhe tre gola në Kupën e Shqipërisë, kompeticion në të cilin ekipi i Shehit ndodhet në gjysmëfinale. Italo-ganezi ka lindur në Bergamo dhe ka dhënë një rrëfim emocionues për gazetarin Gianluca Di Marzio, aty ku flet rreth jetës së tij sportive.

Kam ardhur në janar te Kukësi, është një nga klubet historikë të futbollit shqiptar. Unë jetoj për golin dhe shpresoj të shënoj sa më shumë. Jemi gjashtë pikë larg vendit të parë dhe kanë mbetur për t’u luajtur edhe tre ndeshje.

Mund t’ia dalim të shpallemi kampionë, unë besoj“, deklaron 22-vjeçari, i cili u rrit te moshat e Atalantës, provoi disa eksperienca në kategoritë e ulëta italiane, më pas kalimi në Portugali, eksperienca te Schaffhausen në Zvicër dhe tashmë Kukësi.

Janë eksperienca që të ndihmojnë të rritesh. Në Portugali hasa probleme në fillim. Ishte e vështirë të jetoje vetëm dhe larg familjes, nuk po ia dilja të lija shenjën time“, kujton Cooper, i cili nuk u dorëzua dhe ia doli të shënonte 10 gola në fazën e dytë me Clube Condeixa, aty ku fitoi kampionatin dhe Superkupën Coimbra.

Më pas kalimi te Arouca në Serie B, aventurë që nuk shkoi mirë. “Nuk më besuan aspak“, deklaron qendërsulmuesi. Cooper provoi edhe dy aventura të tjera në futbollin luzitan përpara se të transferohej në Zvicër.

Më erdhi mundësi të luaja në Zvicër verën e vitit të kaluar. Pranova menjëherë. Trajneri i Schaffhausen ishte Murat Yakin (vëllai i Hakan Yakin). Ai ka një personalitet të madh dhe më ka dhënë shumë këshilla se si të përmirësohem.

Po luaja rregullisht, por më pas u dëmtova. Ishte ndeshje kupe, kisha shënuar gol pak momente përpara se të dëmtohesha. Nuk e pashë më fushën e blertë“, tregon sulmuesi potent. Në janar u transferua te Kukësi dhe Cooper jep përshtypjet e tij rreth futbollit shqiptar dhe zbulon ëndrrat që ka.

Këtu luhet një futboll shumë fizik. U rikthyem në fushë më datë 3 qershor. Koronavirusi? Jam bergamask dhe kam kaluar muaj të vështirë. Ndjeva dhimbje të madhe për njerëzit që humbën jetën.

Kukësi? Jemi në garë për dy trofe, do të luajmë në Evropë. Dua të rritem dhe të luaj sa më shumë. Dy janë objektivat e mëdha që kam: të luaj në Serie A dhe të bëhem pjesë e kombëtares së Ganës. Punoj fort për t’i realizuar dy ëndrrat e mia“, përfundon Cooper. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!