Lojtarët e Izraelit e quajtën “stallë dërrash” fushën e “Fadil Vokrri”, Komuna e Prishtinës reagon për mirëmbajtjen e stadiumit

schedule18:39 - 13 Nëntor, 2023

schedule 18:39 - 13 Nëntor, 2023

Komuna e Prishtinës ka reaguar se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por sipas tyre është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës. Madje pati kritika edhe nga lojtarët e Izraelit, një prej tyre e quajti, “stallë derrash”.

“Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit. Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në reagim.
Në komunikatë thuhet se kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022.

“Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë, prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit”, thuhet më tej në reagimin e komunës së Prishtinës./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!