“Lojtarët e Dortmund entuziastë për rinisjen, e vendosin vetë nëse do luajnë”

schedule20:37 - 14 Maj, 2020

schedule 20:37 - 14 Maj, 2020

Dita e shtunë rikthen emocionet e futbollit gjerman. Bundesliga do të rifillojë dhe të gjithë po e presin me padurim diçka të tillë. Dortmund e nis me një sfidë të zjarrtë në shtëpi, atë derbi kunder Schalke 04, duel që do të nisë në orën 15:30.

Drejtori i përgjithshëm dhe trajneri i skuadrës, janë rikthyer pas shumë kohësh në konferencë për shtyp. Michael Zorc nënvizon lumturinë e madhe të lojtarëve, teksa zbulon se e kanë vetë në dorë për të luajtur apo jo, qëndrim që konfirmohet edhe nga Lucien Favre.

Lojtarët janë të lumtur, e dallova gëzimin te secili prej tyre sapo ju treguam datën e rifillimit të kampionatit. Kemi biseduar me ta rreth aktivizimit. Nëse dikush do të ketë shqetësime, do ja lëmë në dorë atij për të vendosur, nëse do të zbresë në fushë apo jo”, deklaron Zorc.

Radha për të folur i ka kaluar trajneri Favre. Zvicerani sqaron gjendjen e skuadrës, rifillimin e futbollit dhe aprovon rregullin e ri, atë të kryerjes së pesë zëvendësimeve gjatë ndeshjes. “Jemi stërvitur mirë në këto javë. Ndodhemi në hotel dhe të gjithë po e bëjnë shumë mirë punën e tyre.

Nuk kemi probleme, teksa është bukur të kemi pranë ekipit një psikolog, pasi është një situatë e veçantë për të gjithë. Pesë zëvendësimet? Një ide e shkëlqyer, besoj se do të jenë shumë të nevojshme kaq ndërrime”, deklaron trajneri i verdhezinjve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!