Duke qenë se nga 1 Janari nuk lejohet më në Shqipëri asnjë pikë basti apo lojërash fati, Policia e Tiranës ka vazhduar kontrolle për të evidentuar subjekete që ushtrojnë këtë veprimtari tashmë të kundraligjshme. Gjithsej u konstatuan dy subjekte që nuk kishin mbyllur aktivitetin dhe brenda u gjetën aparatura të dyshuar për zhvillimin e lojërave të fatit ndërsa dy pronarë janë proceduar penalisht.
I pari që u procedua është 22-vjeçari T.C. Përveç veprës penale të “organizimit të llotarive të palejuara”, mbi të rëndon edhe akuza tjetër e “vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”. Ai nuk kishte mbyllur aktivitetin në lokalin që kishte në rrugën “Bardhok Biba”.
Nga ana tjetër, mbi E.B rëndon vetëm vepra penale e “organizmit të palejuar të lojërave të fatit”. Në subjektin e tij në rrugën “Muhamet Allushi” u gjetën aparatura të dyshuara për lojëra fati. Policia e Tiranës ka njoftuar se do të vijojë kontrollet në të gjithë territorin e saj dhe do të ndëshkojë me ashpërsi të gjitha subjektete që ushtrojnë aktivitete antiligjore./abcnews.al