“Loja e shahut” Meta-Rama

schedule23:43 - 5 Nëntor, 2018

schedule 23:43 - 5 Nëntor, 2018

Lojë shahu midis Ramës dhe Metës. Ishte kjo tema në emisionin Byro Politike këtë të hënë. Të ftuar në studio: Shefqet Muçi, jurist; Mimoza Koçiu, gazetare; Jordan Daci, jurist dhe Fatos Hakorja, gazetar. Ish-ministri i Drejtësisë, Shefqet Muçi tha se situata nuk është e mirë dhe palët duhet të punojnë me njëra-tjetrën.

“Vetë përplasja midis dy titullarëve kryesorë, Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit nuk është një gjë e mirë jo vetëm për ata, por edhe për popullin. Nuk jemi në kohën kur t’i bëjmë karshillëk tjetrit, por palët duhet të ulen dhe ndoshta të merren vesh edhe paraprakisht për ato gjëra që duhet të bëjnë se në fund të fundit Kushtetuta thotë që ministri emërohet nga Presidenti me emërimin e Kryeministrit”, tha ai.

Gazetari Fatos Hakorja tha se ka një përplasje mes Kryeministrit dhe Presidentit. Ai tha gjithashtu se Meta duhet të japë argumente për refuzimin e kandidaturës së Sandër Lleshit.

“Të dyja institucionet janë në një përplasje frontale me njëri tjetri, por ndryshe nga herët e tjera sepse ky nuk është dekreti i parë që presidenti i kthen Kryeministrit mbrapsht. Ne kemi pasur ligjin e lojërave të fatit, po kështu edhe ligjin për tatimin ku Presidenti ka bërë një argument shterues të arsyeve se përse i ka kthyer dekretet. Në refuzimin e zotit Lleshi, ndoshta Presidenti nuk është i detyruar që t’i japë shpjegime opinionit publik, por opinioni publik duhet të dijë se për çfarë arsye Presidenti i Republikës refuzon një figurë të propozuar nga Kryeministri i vendit, i cili është zgjedhur për të krijuar kabinetin e tij qeveritar. Nëse vërtete duhet të ketë një sekret shtetëror në dhënien e mospëlqimit për ministrin atëherë Presidenti duhet ta shënojë këtë në rezervë, pra duhet ta lejë të kuptohet që ka një gjë të tillë. Në këtë rast ne nuk e kemi këtë argument, për më tepër kemi një refuzim, undë do thoja për arsye politike sepse besoj që Presidenti nuk e ka konsideruar një figurë politike”, tha Hakorja.

Nga ana tjetër përsa i përket emërimit si zëvendësministër i Brendshëm i Sandër Lleshit, Jordan Daci tha se “nuk mund të thuash që nuk më pëlqen se çfarë bëri Presidenti dhe për rrjedhojë nuk emëroj tjetër  e do vazhdoj me kandidaturën time se nuk është kjo qasja kushtetuese. Do të duhet të marrësh përgjegjësinë kushtetuese dhe do duhet të propozosh emrin tjetër”.

Ndërkohë Mimoza Koçiu tha se në këtë situatë janë gjetur shumë presidentë më parë. Sipas saj, kleçka që ka çuar në refuzimin e Lleshit është neni 103 i Kushtetutës.

“Kjo situatë është një situatë në të cilën janë gjetur shumë presidentë. Është neni 103 i Kushtetutës që flet për kriteret e përzgjedhjes së ministrit dhe përveç se duhet të ketë cilësitë e një deputeti që janë ato klasiket, dhe nuk duhet të ketë konflikt interesi, nuk duhet të jetë në një post tjetër ose drejtues i një organizate jofitimprurëse. Unë mendoj që aty është kleçka ku ka mbetur Meta dhe këtë e kam dëgjuar në mënyrë informale jo se është thënë zyrtare”, tha Koçiu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!