Qytetarët në nevojë tashmë do të kenë mundësi që të kenë një llogari pagesash me shërbime bazike që do t’iu nga të gjitha bankat tregtare ne vend. Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” një nismë kjo e Bankës së Shqipërisë dhe ministrisë së financave.
Në bazë të ligjit bankat do të ofrojnë llogarinë e pagesave me shërbime bazike pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme. Ata që përfitojnë nga kjo nismë janë personat që trajtohen me pagesë të papunësisë, janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, marin pagesë për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, pensionistët urbanë dhe ruralë në skemën e sigurimeve shoqërore, si dhe përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë.
Qytetarët që dëshirojnë të përfitojnë duhet të paraqesin pranë një banke tregtare kërkesën për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike. Në rastet kur bankat e nivelit të dytë refuzojnë hapjen e një llogarie bazike Banka e Shqipërisë vendos gjobë nga 50 000 lekë deri në 250 000 lekë.
Ky draft është një masë e marrë për të rritur trasaksionet nëpërmjet bankave në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të gjashtëmujorit të këtij viti, në Shqipëri përdoren rreth 1.4 milion karta bankare në total, ose 30 mijë më shumë se në fund të vitit 2022./abcnews.al