Lleshaj: Prania e postblloqeve policore u jep rrugëve një pamje jo normale

schedule10:35 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 10:35 - 14 Dhjetor, 2018

Të mos ketë më postblloqe policore nga akset kryesore rrugore dhe të hiqet praktika e dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane. Këto janë dy urdhrat e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Lleshaj kërkon edhe heqjen e praktikës së dublimit.

Përmes një shkrese drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkon ndalimin e praktikës së ashtuquajtur ‘postoblloqe policore’ në akset e vendit, si dhe heqjen e praktikës së dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane. Ministri kërkon ndryshimin e situatës, duke theksuar se prania e Policisë në numër të tepruar dhe statike, nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

“Prania e postblloqeve policore u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, teksa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ultat në rajon.Me qëllim që të përmirësohet më tej niveli i sigurisë në qarkullimin rrugor, kërkoj që të merren masa të shpejta dhe të plota për të zbatuar gjithnjë e më shumë patrullimin në vend të postblloqeve në akset rrugore të vendit”.

Duke e konsideruar qarkullimin rrugor si një ndër sfidat e rëndësishme të punës së Policisë, Lleshaj kërkon që të evidentohen probleme që lidhen me aksidentet rrugore si edhe me kualifikimin e punonjësve të Policisë.Në njoftim e ministrisë së Brendshme thuhet se kjo kërkesë do të realizohet përmes organizmit të një sistemi të patrullimit të kombinuar me mjete policie të shenjuara, punonjës policie në uniformë e mjete civile, e punonjës pa uniformë. Masa e dytë, sipas Lleshajt ka të bëj me shmangien në maksimum të punonjësve të Policisë Rrugore, që të cilët deri tani dublojnë semaforët në shumë nga kryqëzimet më kryesore të qyteteve. Kjo praktikë ndikon në edukim të gabuar të përdoruesve të rrugës, në raport me rregullat e qarkullimit rrugor si edhe me ato të vendeve të BE. Në fund ndër masat e tjera që do të nisin zbatimin shpejt, thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme është projekti për dërgimin e gjobave nëpërmjet Postës, në adresë të shoferëve shkelës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!