Lleshaj: Pas 1 janarit çdo lokal bastesh, do të shihet si parcelë kanabisi

schedule13:59 - 30 Dhjetor, 2018

schedule 13:59 - 30 Dhjetor, 2018

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një takimi me drejtues policie, tha se duke filluar nga data 1 janar, policia do të angazhohet fuqimisht për mbylljen e veprimtarisë së lojërave të fatit. Ai tha se pas kësaj date, një lokal bastesh do të trajtohet si një parcelë kanabisi.

I vetmi që mungoi në takimin me shefin e ministrisë së Brendshme ishte drejtori i Policisë së qarkut të Elbasanit, Altin Qato. Arsyeja e mospranisë së tij ndoshta lidhet me mbledhjen e provave të reja apo ndoshta me mbylljen e statistikave për vrasjet, duke shtuar në listen e ekzekutimeve të tipit mafioz në Elbasan edhe emrat e tre personave si, Endrit Alibej, Arben Dylgjeri bashkë me një shtetas turk Erdal Duranay.

Ndërkohë Lleshaj paralajmëroi drejtorët e policisë vendore se duhet të marrin masa për ndalimin e basteve sportive nga data 1 janar 2019.

“Nga 1 janari në territorin e vendit ndalohen të gjitha veprimtaritë e lojërave të fatit. Ndalohen reklamat audiovizive. Me rëndësi të madhe është fakti që policia e shtetit është e angazhuar drejtpërdrejt në zbatimin e ligjit. Jam informuar për të dhënat e mbledhura lidhur me veprimtarinë e këtyre subjekteve. Jam informuar mirë për masat e mira të marra nga policia për njoftimin e pronarëve, ashtu sikurse jam informuar për faktin se shumë pronarë lokalesh kanë marrë masa ndërkohë për ndërprerje e këtyre aktiviteteve. Nga data 1 janar 2019, në çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur apo të fshehur veprimtaria e lojërave të fatit duhet të trajtohet si një parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë qasja e Policisë së Shtetit”.

Sipas ministit të Brendshëm, gjatë festave të fundvitit policia e shteit ka rritur kontrollet e uniformave blu në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

“Duhet të shtohen kontrollet dhe bashkëpunimet me qytetarët. Meqenëse jemi mbledhur këtu, dua të sqaroj edhe disa probleme që kanë rëndësi. Siç është menaxhimi i festave që janë në prag. Ndaj kërkohet që të shtohen shërbimet e policisë në pikat kufitare. Vëmendja e shtuar duhet të shtohet ndaj personave në kërkim, apo atyre që janë me precedentë kriminale”.

Në fund ministri Lleshaj kërkoi edhe ndalimin e fishekzjarreve dhe lëndëve plasëse, ku shpesh sipas tij, zhurma e tyre ngatërrohet edhe me atë të armëve.

Gazetar: Andi Qosja

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!