Lleshaj në Laç, premton zgjidhje afatgjatë për përmbytjet

schedule14:11 - 25 Shtator, 2019

schedule 14:11 - 25 Shtator, 2019

Përmbytjeve në lagjen Sanxhak të qytetit të Laçit duhet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare. Propozimin e bëri ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj gjatë inspektimit të disa familjeve që iu përfundojnë në ujë banesat sa herë nisin reshjet e shirave.

Shtëpitë iu përmbytën pas çarjes së argjinaturës së një kanali në afërsi të tyre. Kjo situatë i ka bërë të pabanueshme banesat e kësaj lagjeje periferike të Laçit. Puna ka nisur për riparimin e dëmeve, por kaq nuk mjafton u tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj që shkoi të shohë situatën e tyre.

“Këtu në Laç kemi dy probleme të mëdha; kemi këtë argjinaturë ose kanalin e ujërave të larta, dhe përroin që kalon përmes qytetit. Të dy këto shkaktojnë probleme të vazhdueshme dhe kronike në qytet.

Ne do të merremi shumë shpejt për t’i adresuar në themel këto dy çështje, në mënyrë që të zgjidhet një herë e mirë. Pa u zgjidhur këto, ne nuk mund të kemi stabilitet në çështjet e emergjencave civile në Laç”.

Ministri Lleshaj më herët bëri një inspektim në zonat përreth lumit të Ishmit, ku paraqiten problematika të ndryshme kryesisht për shkak të përmbytjeve kronike të shkaktuara nga dalja e lumit nga shtrati. Ai u shpreh se po planifikohen ndërhyrje për thellimin dhe hapjen e lumit, që të tërheqë ujërat e shirave të mbledhura nga kanalet anësore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!