Në seancën e sotme në Kuvend ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj replikoi me deputetin e opozitës Lefter Maliqi, pais ky i fundit e ftoi në interpelancë.
Maliqi iu drejtua ministrit duke i thënë se Rama e ka nxjerrë gjatë mbledhjes së qeverisë. Ndërsa Lleshaj iu përgjigj me rekomandimit që si ish punonjës i policisë së Shtetit, Maliqi të përfitonte nga vetingu gratis.
Lleshaj iu referua disa ngjarjeve në Rrëshen, që lidhen me periudhën kur Maliqi ka shërbyer në këtë zonë si punonjës i policisë. “Më mirë të mos publikohen kurrë”, tha Lleshaj.
“Meqenëse ma përmende Rrëshenin e njeh mirë se ke shërbyer ca kohë të palavdishme aty. Uroj që historitë e Rrëshenit mos bëhen asnjë herë publik se do ju frenojnë daljen në këtë foltore nëse do dihen ashtu siç i di unë. Ju si ish punonjësi policisë ke një fat ke mundësinë të përfitosh një vetting gratis, se ligji parashikon për ish punonjësit që të certifikohen për tu thënë shqiptarëve kush jemi, se the do flasim personalisht. Ju rekomandoj ta bëni për tu thënë shqiptarëve përse jeni larguar dy herë nga policia e shtetit”, tha Lleshaj.
LEXO EDHE: Maliqi uron nga Kuvendi Berishën për ditëlindje: Ka lënë gjurmë më shumë se të gjithë ju këtu
Ndërkohë, Maliqi iu përgjigj duke i sqaruar arsyet e largimit të tij dy herë nga policia, ndërsa tha se uronte që ministri të mos kishte fatin e Saimir Tahirit.
“Një me syze nuk e mposht dot atë që ka sytë si shqiponjë. Në Mirditë, po është e vërtetë që jam kërcënuar nga Agim Pepa dhe e kam arrestuar në bashkëpunim me forcat e policisë së Lezhës. Agim Pepa që vrau komisar Malushin, që bashkëpunonte me drejtues të policisë së sot është me burgim të përjetshëm. Jam larguar nga policia dy herë, pasi kam denoncuar një drejtor policie të lidhur me mafien dhe me krimin dhe u dënua 7 vjet, me kërkesën time. Jam larguar në 2005 sepse ju futa politikës me kërkesën time. Kur të duash, herën tjetër t’i bie dy shkresat që kam ikur me kërkesën time. Nuk do të merrem me rezultatet po ju them zoti Ministër, jeni mirë, rrini urtë, ishalla ju mbajnë, ju ka prishur karrigia shumë. Nuk po merrem kur ke qenë komandant i regjimentit, u ke dhënë tre vëllezërve të tu tre ish-reparte ushtarake, i ke privatizuar në Marikaj, Vorë dhe depo uji në Kamëz, apo ndonjë shtëpi në Lalëz. Kur të duash Ministër, me ato që ke aty, ndonjë drejtues ta ka marrë në makinë peng ai Agim Pepa. Rri urtë se nuk je i zoti të drejtosh Rrëshenin, as Lezhën, as Ministrinë. Nuk të pyet drejtori i përgjithshëm, nuk të pyet sekretari i përgjithshëm, të kanë mbajtur një ministër kukull. Uroj të mos kesh fatin e Saimir Tahirit”, tha Maliqi. g.v/abcnews.al