Fitore e artë për Llapin e Tahir Batatinës. Ekipi nga Podujeva triumfoi në transfertë përballë kampionëve të Feronikelit. Mentor Zhdrella zhbllokoi ndeshjen në fundin e pjesës së parë, ndërsa Mentor Zeka barazoi për vendasit 8 minuta nga fundi.
U duk se dueli i pretendentëve u mbyll në barazim, por nuk mendoi kështu Mërgim Pefqeli. 25-vjeçari befasoi Feronikelin në minutën e fundit dhe dërgoi ekipin e tij në krye të renditjes.
Kjo ishte fitorja e tretë rresht për Llapin që nuk fitonte përballë ekipit nga Drenasi që prej 10 majit të vitit 2015 (2-0 në shtëpi).
Në krye me Llapin është bashkuar edhe Ballkani. Ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi konfirmoi formën e mirë dhe ia doli edhe në Ferizaj. Blend Baftiu dhe Artur Magani shënuan dy gola të shpejtë për miqtë, ndërsa Edon Sadriu rihapi ndeshjen në minutën e fundit të pjesës së parë.
Ballkani administroi avantazhin në pjesën e dytë dhe siguroi tre pikë të tjera. Ky ishte suksesi i tretë rresht në kampionat për ekipin nga Suhareka (fitorja e dytë rresht në transfertë) dhe tashmë ndan kreun me Llapin me nga 17 pikë.
Më në fund buzëqesh Dukagjini. Një gol i Husein Demirit në fundin e pjesës së parë i dhuroi fitoren e parë në kampionat përballë Trepça ‘89. /abcnews.al
Dukagjini – Trepça ’89 1-0
(Demiri 40’)
Ferizaj – Ballkani 1-2
(Sadriu 45’ / Baftiu 12’, Magani 34’)
Feronikeli – Llapi 1-2
(Zeka 82’ / Zhdrella 40’, Pefqeli 90’)
E enjte:
Flamurtari – Gjilani
Drita – Vushtrria
Më 16 tetor
Prishtina – Drenica
