Ljuis Hamilton dominon çmimin e madh të Francës në Formula 1

schedule22:35 - 23 Qershor, 2019

schedule 22:35 - 23 Qershor, 2019

Jo vetëm që vështirë ta fitojnë titullin, por vështirë të dalin edhe të dytët. Pilotët e Ferrarit u detyruan të pranonin një tjetër dominim të Mercedesit këtë sezon në Formula 1, pasi dyshja Ljuis Hamilton-Valteri Botas, zuri dy vendet e para në Çmimin e Madh të Francës.

Diferenca e makinave gjermane me ato italiane ishte kaq e madhe, saqë Sebastian Feteli doli në vend të 5-të, me një vonesë prej më shumë se 1 minute.

Sharl Leklerk mbrojti nderin e Ferrarit duke u ngjitur në podium, pra duke dalë i treti, madje duke tentuar edhe vendin e dytë.

Kjo ishte fitorja e 8-të e Mercedesit në 8 gara të këtij sezoni, dhe nga këto Hamiltoni ka fituar 6, dhe Botas 2.

Tashmë, duket se dueli për titull, nëse do të ketë një të tillë, bëhet mes dy pilotëve të Mercedesit, pasi Fetel është 76 pikë larg vendit të parë.

Hamilton u nis në krye dhe e mbajti kryesimin në të gjitha xhirot, që nga fillimi deri në fund, madje duke e lënë shokun e tij të skuadrës plot 18 sekonda prapa.

Kampioni i botës arriti fitoren e 79-të në karrierë, duke qenë tani vetëm 12 suksese larg rekordit të mbajtur nga Shumaher.

Po ashtu, ai po shkon drejt titullit të 6-të, me shpresë për të barazuar edhe rekordin tjetër të Shumaherit që ka 7 kampionate të fituara.

Hamilton ka 187 pikë në krye të renditjes, ndaj 151 të Botasit, ndërsa Mercedesi kryeson klasifikimin e skuadrave me 338 pikë, me Ferrarin që është i dyti me 198 pikë. /ABc news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!