Liverpuli nuk gabon dhe afrohet 1 pikë me Sitin

schedule18:51 - 10 Mars, 2019

schedule 18:51 - 10 Mars, 2019

Liverpuli iu përgjigj Mançester Sitit duke fituar dhe duke u afruar në vetëm 1 pikë largësi me kreun e Premier Ligës. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop mendon tani për duelin ndaj Bajernit në Champions.

Nuk ishte suksesi më i lehtë, por ishte gjithsesi ai që duhej. Liverpuli mundi 4-2 Uatfordin dhe iu afrua sërish në 1 pikë diferencë Mançester Sitit kryesues, në renditjen e Premier Ligës.

Formacioni i trajnerit Jurgen Klop përballoi presionin, pasi rivali mbaroi punë që të shtunën, po ashtu përballoi edhe dizavantazhin e hershëm, kur miqtë shënuan që në minutën e 6-të, madje direkt nga goditja e këndit.

U duk se portieri Alison u pengua, por gjyqtari e quajti golin e Eshli Uestudit.

Jo më kot Klopi kishte deklaruar se lojtarët e tij janë aq të fortë sat a përballojnë trysninë, dhe ata e bënë më së miri.

Reaguan shpejt që në pjesën e parë, me golat e Roberto Firminos e Sadio Manesë.

Vazhduan presionin pas pushimit, kur Firmino realizoi edhe golin e tretë.

Nuk u prish ndonjë punë që në fund, Uatfordi shkurtoi diferencën me anë të islandezit Gudmundson.

Sadio Mane plotësoi dygolëshin e tij dhe kompletoi fitoren e vendasve.

Liverpuli ka tani 73 pikë, vetëm 1 pikë më pak se Siti, por me golaverazh më të dobët.

Trajneri Klop nuk u kursye aspak me formacionin, duke hedhur në fushë lojtarët më të mirë, edhe pse të mërkurën do të ndeshet me Bajernin në Mynih, në një duel vendimtar për kualifikimin në Champions. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!