Liverpuli fitoi dhe thelloi kryesimin në Angli

schedule19:51 - 19 Janar, 2019

schedule 19:51 - 19 Janar, 2019

Liverpuli arriti një fitore shumë të vështirë në Premier Ligën angleze. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop vuajti mungesat e shumta në mbrojtje, por mori tri pikët dhe thelloi epërsinë në krye

U shpëtua nga sulmi I mbiquajtur “atomik”, por thuajse u mor në qafë nga mbrojtja.

Liverpuli mezi mundi të fitonte 4-3 ndaj Kristël Palasit, edhe pse luajti në stadiumin e vet, “Anfild”, me tifozët që vuajtën deri në sekondat e fundit.

Suksesi padyshim që ishte i rëndësishëm pasi e ngjiti skuadrën e trajnerit Jurgen Klop në kuotën e 60 pikëve në krye të Premier Ligës, 7 më shumë se Mançester Siti, veçse vuajtja ishte thuajse e jashtëzakonshme.

Vendasit nuk kishin mbrojtësit Gomez, Lovren e Trent-Arnold, dhe Klopi u detyrua të aktivizonte mesfushorin Xhejms Milner në pozicionin krejt të pazakonshëm të mbrojtësit të krahut.

Kjo ndikoi në ekulibrat e skuadrës, e cila vërtet luajti shumë mirë në sulm, por pësoi shumë gola, diçka aspak normale për Liverpulin e këtij sezoni.

Gjithsesi, u desh treshja e sulmit që të siguronte fitoren.

Mohamed Salah shënoi golin e barazimit 1-1, Roberto Firmino realizoi për avantazhin 2-1, dhe për epërsinë e dytë 3-2, ndërsa Sadio Mane u duk se mbylli llogaritë në fund.

Megjithatë, asgjë nuk ishte e sigurt deri sa gjyqtari vërshëlleu.

Milner doli me karton të kuq kur rezultati ishte 3-2, ndërsa londinezët ngushtuan shifrat në 3-4 me anë të Maks Majerit.

Për fat, nuk pati kohë për gol tjetër, dhe Liverpuli vazhdoi sezonin e tij shumë të mirë në Premier Ligë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!