Liverpuli është favorit ndaj Portos, në duelin e parë çerekfinale të Championsit, që do të luhet sonte në orën 21:00. Trajneri Jurgen Klop vlerëson se skuadra e tij është në formë shumë të mirë
Vjet nuk pati histori.
Madje, nuk qe nevoja që të synohej fitorja në “Anfild”, pasi Liverpuli e siguroi kualifikimin që në fushën e Portos me fitoren 5-0.
Përballja e sotme, në orën 21:00, është sërish në Champions, veçse një shkallë më lart në çerekfinale, dhe anglezët cilësohen sërish favoritë për të kaluar.
Skuadra e trajnerit Jurgen Klop është madje në formë edhe më të mirë sesa edicionin e kaluar, pasi pretendon për titullin në Angli, gjë që vjet as nuk mund ta mendonte.
Trajneri gjerman, për fat, ka një skuadër thuajse të plotë, ndonëse ka edhe mungesa.
Mbrojtësi Gomez nuk është ende i gatshëm, në dyshim edhe Lalana, ndërsa mbrojtësi i krahut Robertson është i pezulluar.
Vajnaldum, Matip e Van Dajk kanë shqetësime të vogla, por pritet të luajnë.
“Ne jemi në një moment shumë të mirë, – pohoi Klopi, – kjo shihet që nga mënyra sesi lojtarët e mi stërviten. Edhe koha duket shumë e bukur, çdo mëngjes zgjohemi me kohë të mirë, gjë që nuk ndodh shpesh. Ne jemi në garë për dy trofe të mëdhenj dhe duan të shkruajmë disa gjëra në librin tonë të historisë. Natyrisht, nuk ka asgjë të sigurt, ndaj Portos, por do të bëjmë gjithçka për të fituar”.
Po Porto a ka sado pak shpresë?
Portugezët janë në formë të mirë në kampionatin e tyre, me pikë të barabarta me Benfikën, në krye, dhe me shpresë për titullin.
Gjithsesi, mungesat në “Anfild” janë të rëndësishme, pasi nuk do të luajnë dy nga futbollistët me më shumë përvojë, Pepe dhe Hektor Herrera, ndërsa Aleks Tejes është në dyshim.
“Ne nuk do të luajmë për hakmarrje, – siguron trajneri I portugezëve, Serzhio Konseisao, – është një ndeshje futbolli, dhe secila ndeshje ka historinë e saj. Ajo që ndodhi, ndodhi, por nuk do të thotë se do të përsëritet. Liverpuli, natyrisht, është shumë I fortë, ka potencial më shumë se ne, por do të provojmë shanset tona dhe them se mund t’ia dalim”.
Pavarësisht se Liverpuli është favorit absolut për të fituar sonte dhe për t’u kualifikuar, sërish Porto mbetet e rrezikshme, siç e tregoi turin e kaluar kur eliminoi Romën./abcnews.al