Liverpul I jep fund serisë pozitive, duke u ndalur në humbjen 1-0 në fushën e Totenhem në gjysmëfinalen e vajtjes për Kupën e Ligës në Angli.
Një sfidë e luftuar, por ku nuk munguan ankthi dhe polemikat, ajo e luajtur në Londër.
Ndeshja nisi me një moment ankthi, pasi mesfushori i Totenhem, Bentankur humbi ndjenjat në fushën e lojës.
Futbollisti uruguajan la fushën me barrelë, ndërsa vetëm më pas u mësua se gjëndja e tij ishte jashtë rrezikut.
Pavarësisht rasteve për shënim nga të dyja skuadrat, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ritmi nuk ndryshoi as pas pushimit.
Në minutën e 76-të, të zotët e shtëpisë ndalën topin në rrjetë me Solanke, por festa në fushë dhe tribuna u shua nga sistemi VAR, që sinjalizoi për një pozicion jashtë loje.
Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, fati i ndeshjes ndryshoi vetëm katër minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Bergvall kaloi në epërsi Totenhem duke vulosur edhe fitoren e “Spurs”, që hedhin një hap të sigurtë drejt finales së Kupës së Ligës.
Gjithsesi, mbetet edhe ndeshja e kthimit, ku në “Anfield Road” Liverpul do të kërkojnë të përmbysë rezultatin./abcnews.al