Liverpool mendon për një rikthim të bujshëm të Philippe Coutinho. Braziliani ishte një zhgënjim në Liverpool, ndërsa trajneri Jurgen Klopp ka ende besim tek ai.
Në “Camp Nou” nuk ishte version që ai donte, dhe që shpresonin tifozët. Edhe pse shënoi shumë gola, dhe shërbeu mjaft asiste, sërish Philippe Coutinho nuk bëri dot tek Barcelona atë që klubi dhe shokët e skuadrës prisnin prej tij.
Ylli brazilian kaloi sezonin më të vështirë të karrierës në Spanjë, dhe tani katalanasit mezi presin që ndonjë klub i madh të vijë e t’u trokasë në derë për brazilianin. Deri tani, flitej për Manchester United, por në Katalonjë ka dalë në skenë edhe emri i Liverpool.
Gazetat shkruajnë se Jurgen Klopp po mendon ta marrë sërish lojtarin që shkëlqeu në “Anfield” dhe që u transferua tek Barça për më shumë se 150 milionë euro, transferimi i tretë më i shtrenjtë në histori pas Neymar e Mbappe.
Nuk dihet saktë nëse trajneri liverpulas do ta ndajë mendjen për “po”, veçse mendohet që ai ka shpresë që Coutinho në Angli të jetë sërish ai i dikurshmi.
Me një sulm të përbërë nga Salah, Firmino e Mane, dhe me një mesfushë të fortë, braziliani do të shtonte klasin dhe do ta bënte edhe më të fortë, edhe më të paparashikueshme skuadrën kampione të Europës.
Liverpuli mund të dilte me fitim në këtë histori, pasi Barcelona mund të pranonte edhe ulje çmimi deri në 100 milionë euro, apo diçka më shumë, sepse nuk ka besim se Coutinho do të ngrihet në nivelin që dëshirohet.
Në fund të fundit, Klopp dhe Liverpool kërkojnë titullin kampion në Premier Ligë pas 30 vjetësh, dhe për këtë ia vlen të shpenzosh./ABC News Albania 24/7