Liverpool e mbyll vitin 2018 i pari

schedule18:39 - 27 Dhjetor, 2018

schedule 18:39 - 27 Dhjetor, 2018

Liverpool-i e mbylli vitin 2018, duke u shkëputur në krye të Premier League-s angleze. Trajneri Jurgen Klopp, gjithsesi, thotë se lufta për titullin do të jetë e gjatë.

Festat janë më në fund kuptimplota. Futbollistët e Liverpool-it ndihen tërësisht të lumtur këtë fundviti, pasi kurrë nuk kanë qenë më mirë këta 30 vitet e fundit. Skuadra e shquar angleze është vendosur fort në krye të Premier Ligës, duke e mbyllur 2018-n me një shkëputje nga rivalët. Fitorja 4-0 në “Anfield” ndaj Newcastle, ishte jo vetëm një goditje për ish-trajnerin Rafa Benitez, por edhe një distancim prej 6 pikësh nga Tottenham-i i vendit të dytë.

Për fatin e të kuqve, kampionia në fuqi dhe favoritja për titull, Manchester City, u mund papritur në fushën e Leicesterit, dhe mbeti 8 pikë prapa. Mbrojtësi kroat, Dejan Lovren shënoi golin e parë, Mohamed Salah fitoi një penallti dhe e ktheu vetë në gol, Xherdan Shaqiri realizoi të tretin, ndërsa zëvendësuesi Fabinho mbylli spektaklin përpara 55.000 tifozëve.

“Nuk e kisha idenë e rezultatit të City-t, – u shpreh pas ndeshjes trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, – stadiumi brohoriti me të madhe, por mendova se po e bënte për ne. Ishte një fitore e rëndësishme, ndonëse mbrojtja nuk ishte aty ku duhet. Diferenca prej 6 pikësh me vendin e dytë nuk është asgjë, pasi ka shumë ndeshje për t’u luajtur”.

Manchester City nuk mundi të përballonte Leicester-in, në stadiumin e këtij të fundit. Kampionët kaluan të parët në epërsi me anë të Bernardo Silvës, por vendasit reaguan shpejt. Albrighton barazoi, ndërsa në minutat e fundit të pjesës së dytë Ricardo Pereira siguroi fitoren për të mbiquajturit “Dhelprat”.

“Na mungon besimi në vetvete, – u shpreh trajneri i City-t, Pep Guardiola, – duhet ta pranojmë dhe të punojmë për të ndryshuar. Jemi të shqetësuar që po nuk po e ruajmë portën siç duhet, por gjithsesi sezoni është i gjatë dhe ne jemi të bashkuar. Liverpool-i dhe Tottenham-i, për momentin, e meritojnë të jenë përpara nesh”.

Liverpool-i kryeson me 51 pikë, ndaj 45 të Tottenham-it dhe 44 të Man chester City-t. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!