Liverpool-Bayern, dueli më i madh i Champons-it

schedule14:40 - 19 Shkurt, 2019

schedule 14:40 - 19 Shkurt, 2019

Liverpool-Bayern është dueli më i madh i Championsit në raundin e dytë. Dy skuadrat e famshme ndeshen sonte, në orën 21:00, në stadiumin “Anfield”, dhe anglezët janë favoritë për fitoren.

Një udhëtim i tillë do të quhej i mërzitshëm, nëse destinacioni nuk do të ishte ky që është. Bayerni nuk po shkon në një ndeshje të çfarëdoshme europiane, por në atë me Liverpool-in në Ligën e Kampionëve.

Një nga duelet më klasikë të klubeve në kontinent zhvillohet sonte në orën 21:00, në stadiumin e famshëm “Anfiled Road”.

Liverpool-i është qyteti i Bitëllsave, një nga grupet më të mëdhenj të historisë, në mos më i madhi, dhe gjermanët bënë një krahasim të famshëm. Katër prej tyre, Myler, Humels, Nojer dhe Levandovski, imituan kopertinën e njërit prej albumeve të Bitëllsave.

I tillë, albumi “Ebej Roud”, ku Lenon, Mekartni, Starr e Harrison, kalonin në vijat e bardha të rrugës Ebej Roud të Londrës.

Trajneri i bavarezëve, Niko Kovaç, ka shqetësime me mungesat, pasi Tomas Myler është i pezulluar, Toliso e Roben janë të dëmtuar, ndërsa Gorecka e Riberi në dyshim.

“Liverpool ishte shorti më i vështirë që mund të na qëllonte, – pohoi trajneri kroat, – një kundërshtar i madh dhe një stadium i madh me një atmosferë të jashtëzakonshme. Gjithsesi, lojtarët e mirë dinë ta përballojnë presionin”.

Liverpool-i e ka edhe më keq. Qendra e mbrojtjes do të jetë e zbuluar pasi lojtari kryesor, Van Dajk, është i pezulluar, Xho Gomez i dëmtuar, dhe kroati Lovren shumë në dyshim. Sulmuesi brazilian Firmino humbi stërvitjen e fundit, për shkak të gripit, por besohet se do të jetë gati. Ndeshja është vlerësuar si një sfidë personale e Jurgen Klopp, ish-trajner i Dortmundit, dhe gjermani sqaron.

“Nuk ka asgjë personale, nuk e mendoj kurrë kështu, – tha ai, – është duel mes dy skuadrave të mëdha. E vërtetë që isha tek Dortmundi dhe pata rivalitet me Bajernin, por kjo ishte normale. Shpresojmë të kemi sukses, mundësitë janë, por do të jetë shumë e vështirë”.

Përballja është mes dy skuadrave që e kanë fituar nga pesë herë trofeun më të madh të klubeve në Europë, si Champions apo si Kupë të Kampionëve, dhe që kanë që të dy nga 11 trofe kontinentalë.

Si bilanc, Liverpool-i ka fituar dy ndeshje, ka humbur një, ndërsa katër kanë përfunduar në barazim. Anglezët janë kualifikuar dy herë, janë eleminuar një herë, dhe kanë fituar finalen e Superkupës së Europës ndaj bavarezëve në 2001.

Golat janë 9-7 po për Liverpool-in. Liverpool-i jepet favorit për fitore sonte, si dhe lehtësisht favorit për kualifikim./abcnews.al