LIVE/ Tensione për çmimet dhe të vdekurit në Kuvend. Rama: Ngjani si mbetje të komunizmit, Basha: Lukashenko i Shqipërisë

schedule12:02 - 7 Tetor, 2021

schedule 12:02 - 7 Tetor, 2021

Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare. Temë e punimeve të sotme është Akti Normativ “për  “për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer export b.v. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021″.

Seanca e sotme pritet të jetë e gjatë, ku janë regjistruar për të folur 29 deputetë. Fjalën e para e mori ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila mes të tjerash tha se Akti Normativ që do të votohet sot i hap rrugë mbërritjes së 500 mijë dozave Pfizer deri në dhjetor.

Pas ministres fjalën e mori, Basha i cili hodhi akuza ndaj autoriteteve se kanë veshur numrin e viktimave pasi sipas tij janë 16 mijë më shumë. Kjo ka sjellë një acarim të situatës, ku Manastiriu i përmendi humbjet në zgjedhje Bashës, ndërsa më tej i hodhi poshtë akuzat e ngritura.

Nga ana tjetër një debat është zhvilluar lidhur me krizën energjitike. Basha ngriti akuza për rritje të çmimeve duke pretenduar se po vjen si pasojë e keqmanaxhimit, të situatës nga qeveria. Rama mori fjalën menjëherë duke akuzuar opozitën si një “mbeturinë të Partisë së Punës”.

Në seancën e sotme, pritet të miratohen ndryshimet në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin me vaksina nga/dhe ndërmjet Pfizer dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik.

14:44-“Të del miu s’di nga të vesh”, deputeti i Lushnjës godet sërish: Qyteti s’ka më mace, i kanë çuar në spital

Deputeti Sajmir Korreshi u bë viral gjatë seancës maratonë të 16 shtatorit në kuvend, ku teksa fliste për kushtet në spitalin e Lushnjës, lëshoi batuta se “të del miu, s’di nga të vesh”.

Në seancën e sotme, deputeti u ndal sërish te problematikat e Lushnjës, ku riktheu sërish faktit se “spitali është pushtuar nga minjtë”.

Sipas tij, tani qyteti nuk ka më mace, pas i kanë çuar në spital, të luftojnë minjtë.

Korreshi:
“Nuk e kemi vetëm te vaksinat, për hir të vërtetës i gjithë grupi parlamentar ka qenë pro. Në Lushnjë duhet mik i fortë për të bërë Pfizer, për një skaner duhen dy javë dhe atëherë virusi ka kaluar dy herë në trupin e njeriut. Skaneri i spitalit në Lushnjë do mik, 4 jave qe qytetaret te marrin përgjigjet. Dua ti falenderoj mjekët por jo drejtuesit, në kulmin e pandemisë, ju ftoj të vini ta shikoni urgjencën. Nuk ju kërkoj shumë kohë, vetëm atë që harxhoni në parukeri, ju qeshët herën e parë se aty kalojnë minj, sot aty nuk gjenden mace pasi i kanë çuar në spital të hanë minjtë. Do t’ju lutesha të gjithëve që me rrogën tuaj të parlamentit do t’ia dilnit në fund të muajit, jo më me rrogën e qytetarit”

14:20- “Spitali i Lushnjes, vetëm për synetlliqe, heqin dy herë apendicitin”: Deputeti lushnjar godet sërish, demokratët në siklet nga e qeshura

Deputeti demokrat Saimir Korreshi, në seancën e sotme plenare,  numëroi një mori problemesh që has Lushnja në lidhje me sistemin shëndetësor dhe atë arsimor sidomos gjatë pandemisë.

Korreshi i mëshoi faktit se në spitalin e Lushnjes nuk jepet asnjë shërbim, përveç synetllëqeve, kurse shkollat sipas tij janë në kushte skandaloze.

Këto fjalë të Korreshit shkaktuan sërish reagime në sallë, ashtu si edhe herën e fundit, ndërsa për të mos përsëritur “gabimin” e parë, deputetët demokratë u përpoqën të merreshin me diçka tjetër ndërkohë që ai fliste. Gjekmarkaj vuri kufjet, Dashnor Sulaj nuk e mbajti të qeshurën, kurse Alibeaj ia arriti duke u sforcuar shumë.

Në fjalën e tij, Korreshi sqaroi se opozita gjithnjë ka qenë pro vaksinimit, por shtoi se deri dje në dispozicion ishin vetëm vaksinat kineze. Sipas tij, në Lushnje për të bërë vaksinën e Pfizer duhet “mik i fortë” dhe për të bërë një skaner duhet të presësh të paktën katër javë.

“Në Lushnje për të bërë Pfizer duhet ndërhyrje, për një skaner duhen 4 javë. Nuk punon priza, nuk ka lëng për të bërë skanerit, sa do presin këta njerëz për t’ua diagnostikuar?”

Nuk munguan as akuzat për drejtuesit e Spitalit të Lushnjës për të cilët tha se në kulmin e pandemisë “kishin hallin e tenderit të urgjencës.”

“Asnjë s’e merr në dorëzim, thonë se ka shkuar 250 milionë. Një kërkesë kam, vetëm kohën që harxhoni në parukeri u them të vini në Lushnje. Qeshët me minjtë, sot s’po gjen mace, i kanë çuar të gjithë te spitali. A e dini që infermierët po gëzojnë se jemi në kushte pandemia se bëjnë shërbime jashtë dhe kërkojnë nga 50 mijë lekë.Spitali i Lushnjës është kthyer në një spital që bën vetëm synetlliqe dhe ndonjëherë të apandecitin.”

Kurse duke folur për shkollat, deputeti i Lushnjës tha se jo vetëm masa që nuk janë marrë por as maska nuk ka për shkollat. Sipas tij, kushtet janë të mjerueshme në institucionet e arsimit.

Për krizën aktuale të paralajmëruar, duke shpjeguar se nuk i kupton mirë shifrat, kishte vetëm një lutje: “Do t’u lutesha ta provoni një muaj me rrogën tuaj të parlamentit nëse do t’ia dilni në fund të muajit.”

13:11-Bardhi përplaset me Manastirliun për shifrat: Gënjeve, jep llogari pse jemi të fundit për vaksinimet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u përplas në Kuvend me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lidhur me shifrat e vaksinimit.

Bardhi tha se ministrja gënjeu, pasi janë vetëm 28% të qytetarëve shqiptarë të vaksinuar dhe jo 36% sikurse ka thënë ajo.

“28 % janë qytetarët që janë vaksinuar qytetarët me të dyja dozat jo 36% sa gënjeve ti të gjitha komisionet parlamentare. Erdhe këtu dhe pranove shifrat zyrtare që janë 28% jo siç keni gënjyer qytetarët. Akuzoi opozitën me gënjeshtra dhe më pas konfirmoi shifrat tona. Jemi vendi i parafundit në rajon. Na e ka kaluar, Kosova, Maqedonia, të gjithë vendet e rajonit me përjashtim të Bosnjës. Eja jep llogari pse jemi të fundit dhe pastaj akuzo opozitën,” tha Bardhi.

13:10-“Keni në ndërgjegje 16 mijë të vdekur”, Manastirliu debat me Shehun: Po nxisni shqiptarët të mos vaksinohen

Vijojnë debatet mes mazhorancës dhe opozitës në parlament sa i përket mënyrës sesi është menaxhuar pandemia. I fundit ishte debati mes deputetit Tritan Shehu dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Shehu e akuzoi qeverinë se ka në ndërgjegjen e saj mbi 16 mijë të vdekur prej koronavirusit. Sipas tij, autoritetet e Shëndetit tregoi papërgjegjshmëri dhe mungesë të thellë profesionalizmi në menaxhimin e situatës.

Ashtu si edhe deputetë të tjerë të opozitës, Tritan Sheu u shpreh se Shqipëria është shumë prapa me procesin e vaksinimit ndërsa kërkoi që të ndërpritet administrimi i vaksinave të pacertefikuara nga EMA.

“Vaksina është një nga armët kryesore për luftimin e epidemisë. Duhet së bashku me një mori masash. Kjo qeveri që kam pas kurrizit e që mungon tregoi papërgjegjshmëri, mungesë të thellë profesionalizmi. Komitetin e kthyet në komitet politik, për të vendosur edhe për fatin e zgjedhjeve dhe komisioneve parlamentare… Ju akuzoj sepse mbi koshiencën tuaj rëndojnë mbi 16 mijë të vdekur. Shumë larg standarteve botërore. Ndër vendet e para në botë për humbjen e njerëzve. Gjendja vijon të thellohet se nuk mësuat asgjë nga dështimi. Nuk keni strategji vaksinimi, nuk ka asnjë datë të përcaktuar. E keqja nuk ka mbaruar akoma, dhe ndoshta mund të jetë shumë e hidhur. Rëndojnë mbi ndërgjegjen tuaj. U munduat ti fshinit numrat…Unë ju pyes juve, si është Shqipëria me vaksinimin? 30.5% kanë marrë dy doza, keni sjellë vaksina elektorale.”

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë e kritikoi sërish opozitën se po përdor rastet fatale për të bërë politikë. E revoltuar Manastirliu tha se është alarmante që në parlamentin e Shqipërisë dëgjohen deklarata që, sipas saj, nxisin shqiptarët të mos vaksinohen.

Ministrja u shpreh se shifrat që disponon opozita duhen interpretuar në mënyrën e duhur.

12:54- Alizoti i kthehet Ramës: Je pinjoll i xhelatit

Demokratëve nuk u ka dalë e keqja nga deklarata e kryeministrit Edi Rama ku i cilësoi si mbeturina të Partisë së Punës.

Deputeti demokrat Tomor Alizoti me tone të larta ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke thënë se Partia e Punës janë njerëzit e tij Kristaq Rama dhe Spiro Koleka.

“Shqipëria nuk duhet të reshtë së protestuari sepse është vendi me padrejtësitë të mëdha. Nëse në botë sfidat e mëdha janë mjedisi apo teknologjia në këtë vend sfida është uria.  Opozita bëhet të bëjë më shumë protestë, unë jam për protestë maksimale ndaj një njeriu të tillë. Për mendimin tim PD duhet të jetë në pararojë të protestave. Ka protestuar kur i ati i Kryeministrit ishte anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës”,  tha ndër të tjera Alizoti. 

12:39-Grida Duma i reciton Ramës poezinë e Dritëro Agollit

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PD-së, Grida Duma, zgjodhi disa vargje të shkrimtarit Dritëro Agolli, për t’ju drejtuar kryeministrit Edi Rama. “Në vendim tim në vendin tënd, një i çmendur një vend e çmend”

Duma mes të tjerash shprehet se shqiptarët që marrin vetëm 240 euro pagë minimale, paguajnë 72 mln euro nga xhepi i tyre për atë që mazhoranca e konsideron “shëndetësia falas”.

“Në këtë vend shumica bën lojën humbje-humbje dhe pakica lojën fitim-fitim. Në këtë vend, në vendim tim, në vendin tënd, një i çmendur një vend e çmend”, tha Duma.

Pjesë nga fjala e Dumës:

“Në këtë vend, në vendim tim, në vendin tënd, një i çmendur një vend e çmend. Do tju kish thënë një poet që dikur është ulur diku aty… Në kohën kur gjithçka ndaloi ne u mbyll kur shqiptarët jetonin karantinën shumica me frikën se do humbnin punën, të tjerë me frikën se s’do përballonin me lekë shëndetësinë falas, ata në fshatra jo vetëm paguanin 40 mijë lekë ti vinte një infermier por luteshin zotit ti vinte. Ndërsa ndiqnim si po e përballonte perëndimi krizën dëgjova në CNN një mjek britanik i cili me gjithë urtësinë e profesionit dhe jetës tha që udhëheqësit kudo duhet t’i drejtohen njerëzve e t’i thonë që ‘normaliteti do të vijë shpejt dhe kjo kohë do të jetë vetëm një kujtim i shkurtër’. A mund ti thuhet kjo shqiptarëve, a mund ti drejtohesh shqiptarëve e ti qetësosh duke i thënë që normaliteti do të vijë shpejt e pandemia do jetë një kujtim i shkurtër. Në kujtesën e shqiptarëve vetë normaliteti është një kujtim i shkurtër. Kur ka qenë kjo kohë në të cilën shqiptarëve i është ofruar normalitet. Ne e kemi gjendje normale çmendurinë. Të gjithë shajnë të gjithë, të gjithë sillen kundër të gjithëve sepse gjendja mendore ekonomike sistemi i vlerave ka rënë e është thërrmuar.
Kjo nuk është gjendje e shoqërisë është gjendje e udhëheqësisë! Si mund të jenë normal shqiptarët kur dëgjojnë që ata që po qeverisin krizë pas krize flasin sikur po jetojnë një mrekulli. (realizimi i planit të fabrikave përpunuese 101 %; kooperativat bujqësore në Bubq e tejkaluan planin me 182%) një Shqipëri hipokrite me një çmenduri frenetike; një gënjeshtër e pranuar si normalitet. Të gjithë e dinë që ca gënjejnë e popullit i del detyrë ta hajë gënjeshtrën”, tha Duma. 

12:01- Tabaku: Kemi qeveri të majtë që mbron vetëm biznesin e madh dhe ka zhdukur konkurrencën

Banka e Shqipërisë konfirmoi se ekonomia shqiptare u rrit me 17.9 për qind gjatë periudhës prill-qershor 2021, por kjo sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku lidhet vetëm me zgjedhjet.

Sipas saj, janë shpenzimet publike të bëra gjatë fushatës elektorale si edhe paraja e zezë që qarkulloi, e cila ndikoi në këtë rritje.

 “I lanë shqiptarët në mëshirë për një vit dhe krenohen se dhanë tre paga. Varfëria ka shkuar në 41%. Këto janë fakte dhe dokumenta të prodhuara nga ju. Është rritur ekonomia me 17.9% në tremujorin e dytë. Amerika e ka rritur me 6%. E gjitha është e ditës së zgjedhjeve. 120 milion eurot e rindërtimit kanë rritur ekonominë. E gjithë rritja artificiale që është vetëm page3sat që rriten me ditën e zgjedhjeve. Shqipëria reale është ajo që po përjeton inflacionin. Qeveria që mbron gjithmonë të madhin. Qeveria e majtë që na jep ne këtu leksione për tregun, ndërkohë që kanë zhdukur konkurrencën,” tha ajo.

11:58- “Në krye një Lukashenko”, Basha: 5 shtete në Samitin e Sllovenisë s’duan që t’i hapin Shqipërisë negociatat

Në seancën e sotme plenare nuk kanë munguar debatet mes shumicës dhe opozitës. Nga foltorja kreu i demokratëve Lulzim Basha ka hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë. Ai u shpreh se pesë shtete në samitin e Sllovenisë kanë vendosur që të mos hapin negociatat për vendin tonë edhe nëse Bullgaria vendos që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Në Slloveni 5 vende kanë vendosur që të mos hapin negociatat edhe nëse Bullgaria vendos që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, sepse vendin e drejton një Lukashenko”, tha ndër të tjera Basha.

11:49 – Basha: Shqipëria është katandisur nga korrupsioni, 5 shtete nuk duan të hapen negociatat me BE

Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha në replikë me kryeministrin Rama në kuvend këtë të enjte është shprehur se fytyra e qeverisë është ajo e korrupsionit dhe e oligarkëve.

Basha ndër të tjera thekson se vendi ynë sot është shndërruar si Bjellorusia e Lukashenkos. Sipas tij Rama nuk guxon që të flasë për raportin e ODIHR dhe mbi të gjitha për përgjigjen e 5 vendeve që ka marrë në Slloveni.

Kryedemokrati ka deklaruar se dhe nëse Maqedonisë i hiqet veto nga Bullgaria, Shqipërisë nuk do i hapen negociatat.

“Shikoni si e koncepton politike, si i drejtohet opozitës që të mbyllin gojën pasi ka frikë nga opozita. Për vite me radhe që kur nuk ishte në politike që kur ishte kryebashkiak e ka parë përmes syzeve të optikës. Nuk i bëhet vonë që raporti i ODIHR nxjerr se Shqipëria është katandisur në vendin e Bjellorisë së Lukashenkos, nuk e thotë ky që në Slloveni 5 vende anetare janë kundër hapjes se negociatava dhe nëse Maqedonisë do ja heqë veton Bullgaria Shqipërisë nuk i hapen votat.

Vetëm një rekomandim mjafto për të kuptuar se ku është katandisur vendin, ky që rreh gjoksin si student i vonuar i dhjetorit. Ky vend në drejtimin e tij është kthyer në nyje të trafikantëve të trafikantëve të krimit të organizuar, pasi i mban ky dhe e ndan pushtetin me to për të vjedhur shqiptarët. Prandaj nuk hapen negociatat, por që akuzon shtete anëtarëve që janë të padrejta jo janë të pasinqerta këtë e kam thënë dhe unë. Thuaja në sy burokratëve pse nuk i hapin negociatat. Për ne janë njerëzit dhe për ato kemi bërë betejën tonë.

Kjo nuk është një garë e brendshme e partisë, apo socialistët e ndershëm dhe të thjeshtë, por një garë mes patriotizmit të vërtetë, dashurisë për vendin dhe dhembshurisë ku është katandisur vendin, dhe pengut apo pengarrësit të atij që i përdor ato si kukulla. Është beteja mes llumit të tranzicionit shqiptar të Ramës dhe çdo politikani tjetër që kanë 30 vite që sa vijnë dhe bëhen më të fuqishëm kundrejt një shprese të re që sa më shpejt do të behët realitet si në ’92. Nga 238 euro vetëm 120 milionë janë disbursur ku janë të tjerat, pse shtyhen shkollat, pasi nuk ka shkolla në disa zona, premtimi për të qenë gati nuk janë mbajt si shumica e premtimeve që nuk janë mbajt nga një rrenacak me certifikatë.

Politika e tij e taksave e ka çuar vendin në qeverinë më të korruptuar të Ballkanit, këtë se thotë opozita por e thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo duket nga varfëria nga të ardhurat. Aleanca me korrupsionin dhe me krimin e organizuar është produkt i vetëm i këtij njeriu, dhe ne jemi këtu në aleancë me qytetarët për të zhbërë këtë aleancë. Për ti dhënë fund shpifjeve që ai u përpoq të mos jepte përgjigje”, ka thënë Basha.

11:34 -“Peng dhe pengmarrës”, Rama dhe Basha huazojnë retorikën e Berishës

Kohë më parë ish-lideri i PD-së Sali Berisha përdori një retorikë të ashpër ndaj Lulzim Bashës pas largimit që ky i fundit i bërë nga grupi parlamentar. Berisha akuzoi Bashën se është marrë peng nga Rama dhe mendoi vetëm për veten e tij kur e largoi.

Ndërkohë sot në Kuvend kjo retorikë e Berishës është risjellë nga Rama por tashmë në foltoren e Parlamentit dhe jo në “foltoren” që ka nisur ish kreu i PD-së.

Rama ka thënë se është krijuar një garë për të përcaktuar kukullën, pengun dhe personin që shpif. Rama mendon njëjtë si Berisha, por pengmarrësi ndryshon, pasi sipas tij Basha është marrë peng nga vetë Berisha.
“Aty ju kam gjetur dhe aty do ju lë. Nëse vazhdoni të përsërisni këtë. Megjithatë kjo është zgjedhja juaj. Jemi në një garë kush është kukulla dhe kush është pengu. Dhe kush shpif e shan më shumë se nuk është as kukull as peng. Urtësia e një populli ka një barometër dhe u bënë 5 ditë gjykimi rresht që u thotë populli “ju ta harroni” me këto mend që keni.” tha kryeministri Rama.

11:32- “Mbushjani gotën me ujë”, Basha ironi me Ramën: Nona e së keqes

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur me ironi replikën e tij për kryeministrin Edi Rama. Basha kërkoi që gotën me ujë t’ja lënë të mbushur sepse i thahet fyti, ndërsa e cilësoi si “nona dhe baba e së keqes”.

“Kryeministrit lërjani gotën e ujit të mbushur që mos e ketë fytin e tharë. Dalka këtu për të përsëritur ato që thashë unë por të shtrembërua. Është nona e të keqes dhe baba e të keqes. Shikoni pak të dashur qytetarë se ku e vendos një debat që është për xhepat tuaja,” tha Basha.

 

11:01-Rama: Nafta dhe benzina sot, më lirë se sa kur qeverisnin demokratët

Kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të opozitës për shkaqet e krizës energjetike në vend si edhe rritjen e çmimit të bukës e karburanteve. Rama tha se gjithçka po ndodh për shkak të konjukturave ndërkombëtare dhe jo prej ndikimeve të brendshme apo veprimeve të qeverisë.

Kryeministri tha se furrat e bukës e kanë përdorur energjinë elektrike me çmime preferenciale gjatë gjithë viteve që ka qeverisur PS-ja, ndërsa theksoi se çmimi i naftës sot është më i lirë krahasuar me vitin 2013 kur PD iku nga pushteti.

Sa për çmimin e bukës, po ju njoftoj se sot dhe gjithë ditën furrat e bukës e marrin energjinë elektrike me çmim preferencial që prej ditës që kemi ardhur ne në pushtet. Rritja e çmimit të bukës nuk ka lidhje fare me gjëra të tjera përveç se konjukturën ndërkombëtare.  Ne kemi qenë për ekonominë e lirë të tregut dhe kemi zgjedhur që të jetojmë në një vend të hapur që përfiton nga të gjitha të mirat dhe të marrin edhe goditjet”, tha Rama.

10:55 – Debat Basha-Manastirliu në Kuvend për viktimat e pandemisë: E keni kthyer vdekjen në refren

Nuk ka munguar ngritja e zërit në Kuvend pasi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka replikuar me kryedemokratin Lulzim Basha për çështjen e shifrave të fataliteteve gjatë pandemisë.

E keni kthyer vdekjen në refren. Keni kohë tashmë 18 muaj që hiqni vallen e vdekjes. Nuk e kuptoj përse këmbëngulni me kaq kënaqësi në retorikën e vdekjes. Akuzat shterpë nuk mund të jenë fakte ashtu sikurse shifrat nuk mund të jenë opinione” tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së tij më herët, Basha u shpreh se qeveria ka dështuar me menaxhimin e pandemisë ndërsa shtoi se janë dhënë shifra të rreme lidhur me vdekjet dhe vaksinimet. Këto deklarata sollën edhe reagimin e ministres.

10:39- Pa grup parlamentar, “ndëshkohen” Monika Kryemadhin

Mungesa e një grupi parlamentar duket se do t’u hapë probleme deputetëve të LSI-së në lidhje me fjalimet e tyre gjatë seancave plenare të Parlamentit. Gjatë seancës së sotme, Kuvendi iu ka planifikuar atyre fjalime që zgjasin jo më shumë se 2 minuta ndërkohë që deputetët e tjerë do të flasin shumë më gjatë.

Gjatë seancës së sotme janë planifikuar të flasin 29 deputetë, dhe secili do të mbajnë fjalime nga 2 minuta, siç është për ata të LSI-së deri në 15 minuta për ministrat.

Basha do të ketë një kohëzgjatje 10 minuta për shembull. Po aq gjatë do të flasin edhe pjesa më e madhe e deputetëve të PS-së dhe PD-së.

LSI nuk mundi të gjejë edhe tre deputetë “borxh” për të ngritur një Grup Parlamentar duke bërë që të mbetet në Kuvend me katër të tillë. Madje kjo gjë shkaktoi edhe një tension mes tyre, ku PD nuk pranoi t’i ofrojë deputetë nga të vetët për të bërë Grupin Parlamentar.

10:31-“Keni gënjyer”, Basha insiston: 16 mijë viktima më shumë nga Covid, rrena edhe për vaksinimin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza ndaj qeverisë lidhur me vaksinim anticovid. Basha ka thënë se qeveria ka dështuar me menaxhimin e pandemisë ndërsa shton se autoritetet kanë dhënë shifra të rreme lidhur me vaksinimin por edhe me vdekjet nga covid.

Këtë akuzë Basha e bazon sipas tij në raportin e Komisionit Europian, sipas të cilit Shqipëria kishte shifrën më të lartë të vdekjeve për vitin 2020. Sipas kreut të PD-së, janë 16 mijë shqiptarë më shumë të vdekur se mesatarja e viteve të kaluara.

“Rendi i ditës së sotme që ka në qendër marrëveshjen me Pfizer vendos pandeminë në qendër të debatit. Është diskutuar në komisione nga opozita për vaksinimin dhe shifrat e raportuara dhe institucionet ndërkombëtare. Si në traditën më të keqe ajoi që thuhet nuk bëhet. Kanë gënjyer për ndihmën ekonomike për ribursimin e covid. Tenderat abuziv kanë gënjyer. Në dosje që këndelle në gjumë SPAK. Kanë gënjyer edhe për jetë e humbura që deri para 6 muajsh ishin 16 mijë prindër, nëna, baballarë dhe fëmijë. 16 mijë më shumë se mesatarja e viteve të kaluara dhe jo shifra e qeverisë së rrenave. Këtë e konfirmon raporti i Komisionit Europian ku thotë se Shqipëria ka shifrën më të lartë të vdekjeve për vitin 2020” tha Basha. 

10:21- Manastirliu-opozitës: Bëjuni thirrje qytetarëve të vaksinohen se nuk është turp

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka bërë një thirrje nga foltorja e Kuvendit opozitës, që të bëhet pjesë e përpjekjeve për të nxitur qytetarët të vaksinohen, duke mbrojtur kështu shëndetin e tyre.

“Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është VAKSINA. Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe rrezikimin e jetës së dhjetëra njerëzve nesër. Flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze. Nuk do të ishte turp, as lëshim, as humbje, as dorëzim, as tërheqje, sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë, të shfrytëzonte të paktën një herë të vetme, hapësirën në media, në rrjetet e veta sociale, për t’u bërë një thirrje të sinqertë qytetarëve: VAKSINOHUNI!”, bëri thirrje Manastirliu.

Manastirliu në fjalën e saj u shpreh se luftës për jetën i bëjnë dëm deklaratet dhe debatet shterpë në kohën që qytetarëve u duhet bërë thirrje për t’u vaksinuar.

“Luftës për jetën, i bëjnë dëm deklaratat e hedhura pa teklif, sa nga dritaret e rrjeteve sociale, e ndonjëherë edhe nga deklaratat e të papërgjegjëshmve për fat të keq edhe në këtë sallë, për “vaksina të pasigurta”. Luftës për jetën e qytetarëve i bëjnë dëm edhe thirrjet për të nxirë dhe shtrembëruar realitetin e spitaleve, duke i bërë njerëzit të hezitojnë, dhe ta mbajnë frymën në spital, atëherë kur mund të jetë tepër vonë. Edhe debatet shterpë që nuk lënë gjë pa e përdorur për politikën e ditës, apo sinkronin e mbrëmjes, nuk i shërbejnë luftës për jetën, që stafet tona po e zhvillojnë prej gati dy vitesh”, tha Manastirliu. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!