Shqipëri-Kosovë në një Kuvend për 110-vjetorin e Pavarësisë, thirrje të përbashkëta për zgjerim të bashkëpunimit

schedule13:13 - 27 Nëntor, 2022

schedule 13:13 - 27 Nëntor, 2022

Ka nisur në Kuvend, mbledhja e parë e përbashkët Shqipëri-Kosovë, e organizuar në prag të 110-vjetorit të Pavarësisë. E para që ka marrë fjalën është kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila do të pasohet nga homologu i saj, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit Edi Rama, i cili do të pasohet nga homologu i tij, Albin Kurti. Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

13:10: Braktisi mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve, Vasili: Prisja që Rama të hiqte dorë nga Ballkani i Hapur

Deputet i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili thekson se u largua nga seanca e përbashkët plenare mes dy qeverive Shqipëri dhe Kosovë për shkak të kryeministrit Edi Rama. Vasili shprehet se priste nga kreu i qeverisë që të hiqte dorë nga Ballkani i Hapur, sipas të cilit është tradhtia më e madhe ndaj Kosovës.

“Braktisa fjalen e Rames sot ne Kuvendin e perbashket Kosove-Shqiperi, sepse mendova se Rama do deklaronte daljen nga Ballkani i Hapur qe eshte tradhetia me e madhe ndaj kosoves, por ai si peng i vucicit nuk e beri. Rama duhej te deklaronte heqjen e traut per vellezerit dhe motrat nga Kosova, ku edhe deputetet mysafire nga kosova kane paguar ramen dhe oligarket per te ardhur ne token amë.

Rama u sherben vetem interesave te Beogradit. Sa kohe te jete Rama kryeminister keto takime do te jene jo te sinqerta sepse ai i sherben Vucicit dhe izolimit te Kosoves. Ndaj sot Rama thjesht vazhdoi lojen e pabese antikosove dhe humbi rastin per te shplare disa faje te renda qe bien mbi te.”, ka shkruar Vasili.

12:26: 110-vjetori i Pavarësisë, Rama nuk harron Thaçin: Mungon përkohësisht por misioni vazhdon

Kryeministri Edi Rama, në seancën e përbashkët plenare Kosovë-Shqipëri, nuk harroi të përmende në përfundim të fjalimit të tij Hashim Thaçin. Rama tha se shqiptarët nuk do të ishin këtu ku janë nëse nuk do të ishte LDK dhe UÇK-ja dhe të dyja këto shtoi kryeministri, lidhen me Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin.

Rama tha se Thaçi mungonte sot në sallë, por është në i munguar I përkohshëm pasi misioni vazhdon.

“Dy emra do të sjell këtu në vëmendje pa të cilët nuk mund të kuptohet as ardhja në këtë ditë, as vazhdimësia pas kësaj dite, LDK dhe UÇK. Të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon”, tha Rama.

12:16: “Bojkotoi” seancën e përbashkët plenare, Berisha: U largova që të përfaqësoj ata shqiptarë të Kosovës që ndihen të tradhtuar nga Rama

Kreu i PD-së, Sali Berisha u largua nga seanca e përbashkët plenare Shqipëri-Kosovë kur mori fjalën kryeministri Edi Rama. Në deklaratën për mediat jashtë parlamentit,  Berisha tha se vendosi që të largohej në shenjë përfaqësimi për shqiptarët e Kosovës që ndihen të tradhtuar nga Rama.

“Fakti që u largova nga parlamenti, u largova për të përfaqësuar kombin shqiptar, të gjithë qytetarët e Kosovës që ndjehen të tradhtuar nga një kryeministër shqiptar, u largova për të përfaqësuar ndjenjat e dhjetëra-mijëra familjeve shqiptare që kanë humbur familjet e tyre nga barbaritë serbe, dhe Edi Rama prej katër muajsh, nuk lejon votimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.

U largova për të përfaqësuar ata dhjetëra-mijëra shqiptarë qau larguan nga Shqipëria prej politikave çnjerëzore të Edi Ramës. Të gjitha këto janë arsyet që nuk mund të pranoja të dëgjoja ligjëratën e një njeriu, që pas Enver Hoxhës është armiku më i egër i kombit shqiptar”, u shpreh Berisha.

12:06: Rama: Të bashkuar jo vetëm me zemër, marrëdhëniet sot më produktive se kurrë

Në seancën e përbashkët plenare mes Shqipërisë dhe Kosovës në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ndër të tjera deklaroi se sot shqiptarët janë më mirë se kurrë në marrëdhënie me njëri tjetrin dhe me të huajt.

Kreu i qeverisë u shpreh se marrëdhëniet mes dy palëve nuk janë vetëm të mira prej “lidhjeve të gjakut” por shtoi se ato nuk kanë qenë ndonjëherë më produktive dhe më konkrete në aspektin ekonomik dhe të projekteve të përbashkëta.

Rama tha po ashtu se në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet gara ndërkombëtare për portin e Porto Romanos me të cilin do të lidhen me anë të atyre që quhen “Dry Ports”, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa në fillim të 6-mujorit të dytë të 2023-it do të nisë puna në kantier.

“I takon institucioneve tona që të gjejnë një qasje të mirëmenduar për t’i hapur rrugë vendosjes aty ku duhet në libra e hapësira të përbashkëta, atyre 40 burrave pa të cilëve nuk dihet sesi do të vazhdonte bashkëjetesa jonë. Duke e kthyer fletën tek e sotmja më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë me mirë në raport me të huajt, por edhe sot nuk mendoj se janë më mirë në raport me vetveten. Le t’i kthehemi me syrin e mendjes jo vetëm pamjes së sotme të Kosovës të krahasuar me vite më parë…Besoj se njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë. Nga ana tjetër, akoma më e prekshme është pamja në RMV. Shumë më vonë pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Maqedonia e Veriut ishte vendi ku gjuha shqipe shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme…Nuk besoj se kanë qenë të shumtë ata që e kanë paraparë që mund të vinte dita që Mali i Zi të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot. Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës sot nuk janë më të shkëlqyera sepse jemi vende të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive, më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër. Këtë e tregojnë faktet e prodhuara nga vullneti dhe arritja e aftësisë për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok…,” tha Rama ndër të tjera.

12:02: Berisha: Edi Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme

Ndërsa po mbahet Kuvendi i përbashkët Shqipëri-Kosovë në kuadër të 110 vjetorit të Pavarësisë, Sali Berisha ka dhënë një prononcim. Teksa u uroi shqiptarëve festën, lideri demokrat nuk kurseu akuzat ndaj Ramës teksa tha se “ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme”.

“Ju uroj shqiptarëve sot, gëzuar përvjetorin e pavarësisë, shpreh dhe përulem me nderimin më të madh përpara Ismail Qemalit, Ibrahim Rugovës dhe burrave të mëdhenj të botës që bënë të pamundurën që Shqipëria dhe Kosovës të jenë dy vende të pavarura.

Një nderim i veçantë u përket atyre që derdhën gjak që sakrifikuan për lirinë dhe jetën që të jemi të pavarur. Asnjë komb nuk ka sakrifikuar për liri më shumë se shqiptarët. Nën udhëheqjen e komandantit Adem Jashari, shqiptarët kryen luftën e fundit në Europë dhe Kosova falë ndërhyrjes së NATO-s u bë e lirë.

Por, sot nuk mund të mos ndalem të theksoj se aktualisht, në platformën e këtij parlamenti, po flet njëri nga dy armiqtë kryesorë të qenies së shqiptarëve që nga themelimi deri më sot, një nga armiqtë më kryesorë të Kosovës, njeriu i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij, Alekandër Vuçiç, njeriu që në vend që të bëjë avokatinë e Kosovës, të mbrojë interesat legjitime të saj, kalon nga samiti në samit duke lobuar për Vuçiçin dhe Rusinë e vogël në zemër të Ballkanit, Serbinë.

Edi Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme. Ai u përpoq të zhbëjë arritjet e saj, përfshirë këtu edhe skenarët për ndarjen e saj me Aleksandër Vuçiç. Për të justifikuar vasalitetin ndaj Vuçiçit, ai kërcënon me luftën e Vuçiçit. Në të gjithë këto qëndrime, ai rezulton të jetë një antishqiptar i rrezikshëm për kombin shqiptar.”, tha Berisha.

11:51: “Shqipëria bëhet edhe Kosova bëhet,” Kurti nga Kuvendi: Të bëhemi bashkë më shumë e jo vetëm për festa

Në seancën e përbashkët plenare mes ligjvënësve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë ka marrë fjalën edhe kryeministri Albin Kurti.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë thirrje që shqiptarët të bëhen bashkë jo vetëm për festa, dhe jo vetëm në rang politikanësh. Ndër të tjera, Kurti theksoi se kjo e sotmja nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste, por edhe një ditë reflektimi.

“Të dashur shqiptarë kudo në Ballkan apo në mërgatë, ju uroj Ditën e Flamurit. Stërgjyshërit tanë kanë luftuar për shtëpinë e të gjithë shqiptarëve, e hapur për miqtë kontribuuese për paqe. Gëzuar për festën e shenjtë për identitetin tonë kombëtar.

Deklarata e pavarësisë, evidenton Ismail Qemalin si prijës republikan. Mendohet se deklarata është shkruar nga ministri i parë i Arsimit, Luigj Gurakuqi. Ndarjet krahinore ishin pengesë e prapambeturi atëherë siç janë edhe sot. Ndaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi me njëri tjetrin. Duhet të përfshihemi por jo për të penguar.

Politika e ekonomia nuk janë çifligje por kalaja ku vëmë të gjithë nga një gur. Duhet të jemi më shpesh bashkë. Jo etëm në kremte, e jo vetëm ne politikanët. Të pranojmë perspektivat e ndryshme dhe të punojmë së bashku.

Motra e vëllezër nesër shënojmë 110 vjetorin e pavarësisë ndërsa sot 25 vjetorin e shpalljes së UÇK në Llaushë. Bëjmë tani edhe për të ardhmen, nderojmë të kaluarën që na përbën sot dhe ecim bashkë. Në Kosovë i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, të çdo qeveria. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj para. Urojmë që suksesit të Shqipërisë veç t’ju shtohen për çdo ditë të flamurit. Jam e sigurt se njëlloj gëzoheni edhe ju për sukseset tona.

Mesazh ata që kanë marrë rrugën e kurbetit. Kjo ditë është më së shumti e juaja. Jeni mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona. E di se atje nuk po shkoni nga qefi por nga halli. E di që ende nuk kemi bërë mjaftueshëm që t’ju bindim që të rrisni fëmijët në atdhe. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet…”

11:37: “Edhe pse në mosdakordësi me qeverinë Rama,” Alibeaj: PD ka mbështetur gjithnjë nismat në mbështetje të Kosovës

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibaj në fjalën e mbajtur në seancën e përbashkët plenare Shqipëri-Kosovë theksoi se partia në të cilën ai bën pjesë e ka treguar qartë qëndrimin që ajo mban sa i përket Kosovës.

Alibeaj solli në vëmendje se “edhe pse në mosdakordësi me qeverinë Rama, PD ka votuar e mbështetur pa dilema nismat që janë në mbështetje të Kosovës.

Po ashtu, kreu i Grupit të PD-së theksoi edhe një herë qëndrimin kundër që të djathtët mbajnë ndaj “Open Balkan”, ndërsa solli në vëmendje se është një projekt që u vlerësuya nga Parlamenti Evropian si i papërputhshëm.

“Partia Demokratike është e përcaktuar në qëndrimin se dhe një ndër çështjet më delikate në rajon, siç është ai i i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka të gjithë mbështetjen tonë për t’u zgjidhur ne dialog, por në ç’do rast ne, Partia Demokratike, do ta shohim Serbinë vetëm përmes syve të Kosovës. Ne jemi për paqen midis popullit serb e atij shqiptar, por të palekundur mendojmë se të drejtën e shpalljes së kësaj paqeje e ka Kosova e populli i saj. Edhe pse në një mosdakordësi të plotë me qeverinë aktuale në Tiranë, PD ka votuar e mbështetur pa asnjë dilemë, çdo nisme që shkon në mbështetje apo me pjesëmarrjen e Kosovës. Kemi mbështetur mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe kemi kërkuar që marrëveshjet të implementohen në terren në mënyrë aktive e të mos mbeten në letë…Kundërshtitë tona energjike ndaj një projekti si ish-miniShengen apo Open Ballkan, i cili së fundmi edhe nga parlamenti evropian në dokumentin e strategjisë se zgjerimit u vlerësua me rezerva kundërshtuese, si i papërputhshëm me normat evropiane dhe që nuk garanton gjithpërfshirje.

Kundërshtitë tona për këtë projekt kanë qenë mbi të gjitha, se Kosova kurrë nuk e pranoi, se ky ishte e mbetet një projekt që e fut çështjen e Kosovës dhe rolin e shqiptarëve në Ballkan në një rrugë të dyshimtë e të paqartë.”

11:00: “Absurde sesi Kosova vazhdon të jetë e izoluar,” Spiropali: Së shpejti, në të dyja anët e Drinit do valëvitet flamuri i BE-së

Ministraj e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në mbledhjen e dy kuvendeve, Kosovë – Shqipëri me rastin e  110 vjetorit të Pavarësisë, u shpreh se Shqipria është avokate e Kosovës për daljen e saj nga izolimi i vizave.

Spiropali solli në vëmendje se Kosova ishte para që solli ndihma pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa Shqipëria ishte e para që dërgoi vaksinat për Covid-19 në Kosovë.

Kjo qeveri dhe kryeministri i saj janë optimist për fatin e Shqipërisë. Jemi optimistë dhe atëherë kur gurët e fatit rrokullisen sipër nesh, siç ndodhi me tërmetin e 26 nëntorit apo pandeminë. Ne shpresuam, punuam dhe po ia dalim t’i përballim këto sfida.

Dje gjatë ditëve të tmerrshme të tërmetit ndihma e parë erdhi nga Kosova. vaksinat e Shqipërisë ishin oferta e parë.

Shqipëria ka insistuar dhe insiston që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmat për paqe. Shqipëria është një nga vendet që e ka njohur izolimin, ndaj është një nga avokatet e Kosovës. Është absurde se si vazhdon të qëndrojë e izoluar në regjimin e vizave”, tha ndër të tjera Spiropali.

10:48: Konjufca : Të jemi të bashkuar, Serbia po e lufton Kosovën nga brenda e nga jashtë

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, në seancën e përbashkët plenare Shqipëri-Kosovë, u shpreh se 28 Nëntori i bëri tok dy vendet në Tiranë. Konjufca shtoi se aq sa duhet të festojmë, nevojitet edhe të reflektohet për shkak të trazirave që po ndodhin nëpër botë, duke shtuar se Serbia nuk e fsheh qëllimin destabilizues.

“Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, i nderuar kryeministër Edi Rama e Albin Kurti, mysafir të nderuar zonja e zotërinj. Na ka bërë tok në Tiranë 28 nëntori, le t’i përshëndesim ngrohtësisht të gjithë shqiptarët nga këtu në të gjitha trevat, çdokund ku ata jetojnë.

Jemi këtu, jemi me ju, ju kemi në zemër, urime dita e flamurit. 28 nëntori mban aspiratat e përbashkëta dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e nevojshme për të mbajtur gjallë emocionet më të thella, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara.

28 nëntori është i gjithë shqiptarëve. Historia jonë kombëtare është një substancë. Kur ecnim në tehun e hollë të ekzistencës na mbajti gjallë dashuria jonë për gjuhën shqipe dhe lidhja jonë e fortë. Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive, ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë. Orientimi gjeo-strategjik kombëtar është drejt BE-së, brenda NATO-s dhe me mbështetjen e Amerikës.

Aq sa duhet të festojmë, na nevojitet reflektim sepse bota sot po përballet me trazira. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj destabilizues, na lufton nga brenda e jashtë prej diplomacisë e deri te krimet brenda vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria me Kosovën! Përkatësia më e fuqishme thoshte Sami Frashëri është kombëria, kjo na mban të sigurt! Rrnoftë Dita e Flamurit! Rrnoftë Shqypnia!

10:32- Mbledhja Shqipëri-Kosovë sjell Bashën në Kuvend pas disa kohësh mungesë

Mbledhja e parë e përbashkët Shqipëri-Kosovë ka sjellë ditën e sotme në Kuvend edhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ish-kreu i të djathtëve shihet i ulur bashkë me ligjvënës të tjerë të Partisë Demokratike ndërsa në Parlament sapo ka nisur seanca e përbashkët në prag të 110-vjetorit të Pavarësisë.


Kujtojmë se Basha ka munguar kryesisht në seancat plenare që prej daljes së informacioneve se PD kur drejtohej nga ai ka marrë financime nga Rusia. Ish-kryedemokrati ka qenë prezent për herë të fundit në Parlament një mesnatë për të votuar.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbërritur mëngjesin e së dielës  në ambientet e Kuvendit do të mblidhen bashkë qeveria e Kosovës me atë të Shqipërisë me rastin e  110-vjetorit të Pavarësisë.

Ndërsa prezantohej me punimet e sjella nga delegacioni i Kosovës, Berisha tha se aty mungonte një stendë e zezë ku të vendoseshin personalitetet antikombëtare. Si të tillë, kryedemokrati listoi Ramën dhe diktatorin Enver Hoxha, ndërsa shtoi se historia duhet parë me të gjitha dritëhijet e saj.

“Do të doja të kishit një stendë të zezë ku të vendoseshin personalitetet antikombëtare të tipit, Enver Hoxhës dhe Edi Ramës, si vëllahut të Vuçiçit që i thotë ky për të tall kosovarët. Historinë duhet ta shohim siç është me të gjitha dritëhijet e saj. Faleminderit për punën që keni bërë,” u shpreh Berisha.

/abcnews.al/