LIVE/ Ruset s’kursejnë as civilët, ABC raporton nga fronti pranë kryeqytetit ukrainas. Kievi e Kharkivi rezistojnë, ushtria e Putinit pëson shkatërrime të mëdha

schedule20:25 - 7 Mars, 2022

schedule 20:25 - 7 Mars, 2022

Sot është gdhirë dita e 12 e luftimeve në Ukrainë. Rusia vijon përpjekjet për të hyrë në zemër të Kievit dhe për të marrë në dorë kontrollin e qytetet dhe rrjedhimisht edhe të gjithë Ukrainës. Deri më tani rezistenca ukrainase ka bërë që ushtria ruse të pësoje humbje të mëdha. Sot pritet një raund i tretë bisedimesh.

Por çfarë po ndodh në Ukrainë?

-Rusia thotë se po hap korridore të reja humanitare nëpër qytete të shumta të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev, të hënën për të lejuar evakuimin e civilëve – kjo vjen disa ditë pasi përpjekjet e ngjashme në Mariupol dështuan pas bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse gjatë orëve të armëpushimit të rënë dakord, sipas Ukrainës.

-Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për vrasjen e civilëve, pasi një sulm rus të dielën në Irpin vrau një familje të re.

-Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes pretendojnë se forcat e tyre kanë rimarrë qytetin lindor të Chuhuiv.

-Ka pasur bombardime të reja ruse në qytetin port jugor të Mykolaiv.

-Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do t’i japë Ukrainës 100 milionë dollarë shtesë për të ndihmuar në funksionimin e qeverisë në mes të pushtimit rus.

-Çmimet e naftës janë rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2008 pasi SHBA tha se po diskutonte një embargo të mundshme ndaj furnizimeve ruse me aleatët e saj.

20:20-SHBA kërkesë Interpoli: Pezullo aksesin e Rusisë sistemet e agjencisë globale të policisë

SHBA dhe aleatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Interpolit të pezullojë aksesin e Rusisë në sistemet e agjencisë globale të policisë

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland i është bashkuar ministrave të drejtësisë nga disa vende aleate për të kërkuar që Interpoli të pezullojë menjëherë Rusinë nga aksesi në sistemet e saj, sipas zëdhënësit të Departamentit të Drejtësisë, Anthony Coley.

20:05- VIDEO/ Momenti kur forcat ukrainase godasin anijen luftarake ruse në Odesa

Një anije luftarake ruse u godit nga forcat ukrainase në përpjekje për të mbrojtur portin e Odessa nga trupat pushtuese.

Ky fakt është bërë i ditur nga marina e Ukrainës. Në videon në fjalë shihen forcat e mbrojtjes ukrainase, me bazë në Odessa, duke brohoritur ndërsa shkëmbejnë zjarr me anijet në Detin e Zi në orët e para të mëngjesit.

Thuhet se forcat ukrainase kanë goditur anijen patrulluese ruse ‘Vasily Byko’.

20:05-Sapo përfundoi raundi i tretë, Rusia dhe Ukraina planifikojnë takimin e radhës

Në përfundim të raundit të tretë të negociatave Rusi-Ukrainë për luftën, palët po bëhen gati për takimin e radhës.

“Një raund i katërt negociatash me Ukrainën pritet në “të ardhmen shumë, shumë të afërt”, thotë një negociator rus , raporton Reuters.

20:03-Presidenti ukrainas do të mbajë nesër fjalim historik për parlamentin britanik

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbajë një “fjalim historik” për deputetët britanikë virtualisht nesër në orën 17:00, shkruan Skynews.

19:55-Kërcënimi rus, Amerika shton 500 trupa ushtarakë në Evropë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin urdhëroi që 500 trupa shtesë dhe mjete ushtarake amerikane të vendosen në pjesë të ndryshme të Evropës në mes të pushtimit të vazhdueshëm rus të Ukrainës për të mbështetur më aleatët e SHBA-së në NATO, u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, shkruan CNN.

19:46-Humbje e madhe për Putin, rubla ruse bie në nivel të ri rekord kundrejt dollarit amerikan

Rubla ruse është zhytur edhe më tej kundrejt dollarit amerikan, duke arritur nivele të ulëta rekord, teksa bisedimet për sanksione të mundshme kundër energjisë ruse po shtohen.
Aktualisht 1 dollarë vlen 155 rubla, shkruan CNN. 

19:00-BE do të shqyrtojë pranimin e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë

Kërkesat për anëtarësim në BE nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia do të shqyrtohen nga Komisioni Evropian.

Vendimi për të shqyrtuar aplikimet, të marra nga ambasadorët e BE-së, duhet të nënshkruhet nga Këshilli Evropian – por kjo po përshkruhet si një formalitet procedural.

19:00-Lufta, përfundon raundi i tretë i negociatave Rusi-Ukrainë: Zhvillime pozitive

Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës përfundojnë raundin e tretë të negociatave për luftën, thotë ambasada ruse. Sipas The Guardian takimi ka përfunduar me “zhvillime të vogla pozitive” në lidhje me korridoret e mundshme humanitare.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se një negociator ukrainas konfirmoi se kishte pasur zhvillime të vogla. Bëhet fjalë për negociatorin Mykhailo Podolyak i cili tha se bisedimet nuk “përmirësuan ndjeshëm situatën” në tërësi.

18:19-Gjermania dhe Hungaria nuk i mbështesin sanksionet ndaj energjisë ruse

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Evropa nuk mund të sigurojë furnizimet e saj me energji pa importe nga Rusia.

Energjia u la qëllimisht jashtë raundeve të mëparshme të sanksioneve, tha Scholz në një njoftim për shtyp të hënën, duke shtuar se energjia e Rusisë ka “rëndësi thelbësore” për jetën e përditshme të qytetarëve të saj.

18:05-Rusët qëllojnë për vdekje kryebashkiakun ukrainas, po shpërndante ushqim dhe ilaçe

Trupat ruse kanë qëlluar dhe vrarë kryebashkiakun e Hostomel, sipas zyrtarëve ukrainas, shkruan Skynews, përcjell abcnews.al.

Hostomel ndodhet afër kryeqytetit ukrainas Kiev.

Këshilli i qytetit tha se Yuri Prylypko vdiq ndërsa shpërndante bukë dhe ilaçe për personat që kishin nevojë për ndihmë në zonën e rrethuar. 

17:40-Pasojat e luftës në infrastrukturë, dëmet përllogariten deri në 10 miliardë dollarë

Ukraina ka pësuar dëme me vlerë prej 10 miliardë dollarësh (7.62 miliardë paund) në infrastrukturën e saj që prej fillimit të pushtimit rus të vendit, njoftojnë autoritetet ukrainase, shkruan Skynews.

Ministria e infrastrukturës e Ukrainës tha se vlerësimi i fundit mbulon dëmet që nga fillimi i pushtimit rus të vendit 24 shkurt deri ditën e djeshme 6 mars.

17:25-Blinken: Po forcojmë krahun lindor të NATO-s me 7000 trupa ushtarakë dhe avionë luftarakë F-35

Kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, tha se NATO planifikon të përforcojë krahun lindor të NATO-s me 7 mijë trupa ushtarakë dhe avionë luftarakë F-35.

Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm në Lituani, Blinken tha se SHBA-të kanë vendosur 7 mijë ushtarë për të përforcuar anën lindore të NATO-s, duke përfshirë ushtrinë amerikane në Lituani, e cila u vendos në rajon vitin e kaluar.

17:21-Dorëheqja e bujshme, vjen goditja e madhe ndaj Putinit pas pushtimit të Ukrainës

Shteti mbështetës i ofensivës ushtarake të Putinit në Ukrainës, Bjellorusia është tronditur nga një dorëheqje e papritur në rangjet e larta të drejtimit të ushtrisë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se gjatë ditës së sotme ka dhënë dorëheqjen Zëvendësministri bjellorus i Mbrojtjes gjeneralmajor Viktor Gulevich.

Ky i fundit ishte në listën e personave që iu vunë sanksione nga Perëndimi, ndërsa në letrën e dorëheqjes ka shkruajtur se nuk mund të vijonte detyrën pasi nuk mbështeste pushtimin e Ukrainës nga Putini.

16:55-Kanadaja sanksionon 10 bashkëpunëtorët që ndihmuan Putinin për pushtimin e Ukrainës

Kanadaja ka njoftuar sanksione të reja kundër 10 individëve “bashkëpunëtorë” të Valdimir Putin në pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi sanksione të reja ndaj 10 individëve lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, shkruan BBC. 16:50 –Britania do të akordojë 230 milionë dollarë shtesë ndihmë për Ukrainën

Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi ditën e hënë se Mbretëria e Bashkuar do të akordojë një ndihmë shtesë prej 230 milionë dollarësh (175 milionë paund) për Ukrainën.

‘Ky është momenti që “miqtë e Ukrainës të krijojnë një koalicion të mbështetjes ushtarake humanitare, ekonomike dhe mbrojtëse për të siguruar që Putini të dështojë në këtë pushtim katastrofik,” tha ai të hënën, ndërsa fliste gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologët e tij holandezë dhe kanadezë në Londra. Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Holanda “qëndrojnë krah për krah” kundër pushtimit rus të Ukrainës, shtoi Johnson.

Ai thoi mëtej se do të koordinohen grupet ndërkombëtare për t’i dhënë një ndihmë afatgjatë Ukrainës.

16:43 – Rusët sulmojnë fabrikën e miellit në Kiev, të paktën 13 të vrarë

Të paktën 13 persona janë vrarë në një sulm ajror nga rusët në fabrikën e miellit në Kiev, thonë shërbimet e urgjencës ukrainase, raporton Skynews.

Ndërkohë mësohet se pesë persona që ndodheshin në fabrikë gjatë sulmit janë shpëtuar.

Autoritete ukrainase njoftojnë se në fabrikën e miellit ndodheshin rreth 30 punonjës përpara se të ndodhte sulmi.

Ukrainasit kanë ditur të përballen me luftën në mënyrën më të mirë.

16:17- Teatër në luftë, violinistja “qetëson” banorët e tmerruar nga bombardimet në Ukrainë

Violinistja dhe mësuesja Vera Lytovchenko ka organizuar një teatër në bodrum ku ka luajtur me violinën e saj për banorët e tjerë të Kharkiv-it që janë të tmerruar nga bombardimet ruse.

Lytovchenko tha se ishte frymëzuar duke parë një nga studentët e saj duke luajtur në një strehë të improvizuar.

16:04- Një kamion godet derën e ambasadës ruse në Dublin

Një kamion i madh është përplasur në portat e ambasadës ruse në Dublin, shkruan SkyNews, raporton abcnews.al.

Ngjarja dyshohet të jetë sulm i qëllimshëm, megjithatë pritet një konfirmim zyrtar nga policia irlandeze, e cila ndodhet në terren për zbardhjen e ngjarjes.

Skynews raporton se si pasojë e sulmit ka rënë në prangat e policisë një person, emri i të cilit nuk është bërë i ditur ende.

Policia irlandeze tha se kamioni goditi portat e ambasadës në rrugën Orwell në jug të Dublinit rreth orës 13:30 të drekës sot.

Ambasada ka qenë vend i protestave ditët e fundit, pas pushtimit rus të Ukrainës.

15:26- ABC në frontin e luftës, Taulant Kopliku raporton në vijën e zjarrit mes rusëve dhe ukrainasve

ABC ndodhet prej disa ditësh në Kiev. Gazetari Taulant Kopliku dhe operatori Ardian Kamberi ishin sot shumë pranë vijës së kuqe, zona më e rrezikshme, ku më herët ka qenë e pamundur futja e mediave aty.

Gazetari bëri për pak momente raportim pranë vijë së zjarrit mes rusëve dhe ukrainasve në kushte tepër të rrezikshme. Teksa po raportonte në sfond dëgjoheshin bombardimet e vazhdueshme dhe tymi i zi që pushtonte qiellin.

“Pas shpinës së operatorit janë më dhjetëra ushtarë të Ukrainës që janë vendosur në një vijë mbrojtje por e kemi të pamundur sepse nuk na lejohet. Mësa kemi informacione forcat rusë po intensifikojnë sulmet për të marrë Kievin. Rezistenca e forcave ukrainase vijon të jetë e fortë. Ky është fronti kryesor i luftës që po bëhet për mbrojtjen e Kievit. E kam të vështirë të raportoj sepse ka shpërthime në të dy anët dhe janë shumë afër. Do të duhet të largohemi nga kjo zonë sepse jemi shumë afërt. Na bëjnë më shenjë që duhet të ndërpresim menjëherë transmetimin”, tha  Kopliku.

Gazetari u detyrua të mbyllë raportimin live, pasi ia kërkuan ushtarët ukrainas, ndërsa rusët intensifikonin bombardimet.

15:00- OKB: Më shumë se 400 civilë të vrarë nga sulmet ajrore në Ukrainë, mes tyre 27 fëmijë

Sipas raporteve të zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, më shumë se 400 civilë janë vrarë gjatë sulmeve në Ukrainë. Por sipas OKB-së, numri i viktimave pritet të jetë më i lartë se sa është raportuar.

Gjithsej 406 civilë, përfshirë 27 fëmijë, kanë vdekur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, ndërsa janë plagosur 801 persona.

14:54- Delegacioni ukrainas mbërrin në Bjellorusi për bisedime

Delegacioni ukrainas ka mbërritur në Bjellorusi ndërsa pritet fillimi i raudit të tretë të bisedimeve të paqes me Rusinë. Bisedimet janë caktuar të fillojnë në orën 14:00, (15.00 me orën lokale)  sipas agjencisë bjelloruse të lajmeve Belta.

Në dy raundet e mëparshme të bisedimeve nuk është mundur që të sigurohet një armëpushim i përhershëm ose tërheqjen e Rusisë, megjithëse zyrtarët rusë kanë rënë dakord të respektojnë armëpushimet e përkohshme ndërsa civilët janë evakuuar.

Megjithatë, Ukraina thotë se Rusia nuk i ka respektuar armëpushimet e planifikuara deri më tani.

13:44- Zelensky bën thirrje për më shumë sanksione: Bojkotoni naftën ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka dhënë një tjetër mesazh publik. Në daljen e fundit, presidenti ukrainas ka bërë thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë.

Duke folur në konferencën e tij ditore, Zelensky thotë se pushtimi i vazhdueshëm tregon se “Rusia nuk ka braktisur planet e saj kundër Ukrainës”, prandaj, shton ai, “ne kemi nevojë për një paketë të re sanksionesh”.

Zelensky bën thirrje gjithashtu për “bojkot të eksporteve ruse, në veçanti refuzimin e naftës dhe produkteve të naftës nga Rusia”.

13:07-Boris Johnson: Britania po përpunon mijëra aplikime për viza nga ukrainasit

Qeveria britanike është vënë nën shënjestrën e kritikave këtë mëngjes pasi u zbulua se vetëm 50 viza u janë dorëzuar ukrainasve që duan të kërkojnë strehim në Britani.

Megjithëse këto shifra erdhën nga Zyra e Brendshme, kryeministri Boris Johnson tha se nuk ishte i sigurt se ishin të sakta kur u pyet lidhur me këtë.

Duke folur për mediat, ai tha se Mbretëria e Bashkuar po përpunon mijëra aplikime aktualisht dhe Britania do të jetë bujare.

I pyetur se cila është shifra e vërtetë, nëse jo 50, ai tha: “Nuk mund t’ju jap numrin.”

12:35-Rusia shpall Shqipërinë vend jomiqësor, Putini firmos dekretin: Masat kundër

Qeveria e Federatës Ruse ka miratuar të hënën një listë të shteteve dhe territoreve të huaja që kryejnë veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj sipas agjencisë TASS.

Lista e vendeve të konsideruara armiqësore përfshin Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar (përfshirë Jersey, Anguilla, Ishujt e Virgjër Britanikë, Gjibraltar), Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marino, Maqedoninë e Veriut, dhe gjithashtu Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Mikronezinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin.

Sipas “TASS”, vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të “një operacioni special ushtarak të Forcave të Armatosura Ruse në Ukrainë”.

Madje, Rusia ka vendosur që të marrë masa kundër këtyre shteteve, raporton abcnews.al.

Qeveria vuri në dukje se sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla.

Procedura e re e përkohshme zbatohet për pagesat që kalojnë 10 milionë rubla në muaj (ose një shumë të ngjashme në valutë të huaj).

Kjo është një kundërpërgjigje që Rusia bën ndaj shteteve të mësipërme duke bërë që borxhet t’ua paguajë në Rubla dhe jo dollar apo euro.

12:23-Rusët vrasin zyrtarin e lartë në Ukrainë, po shpërndante ushqime

Rusët vranë kryebashkiakun e Gostomel pranë Kievit. Kjo është bërë e ditur nga autoritetet lokale në Ukrainë.

“Kryetari i komunës Gostomel – Yuri Illich Prylypko – vdiq duke shpërndarë ushqime për popullatën e uritur”, kanë shkruar ata në faqen e komunës në Facebook.

“Ai vdiq për popullin e tij, vdiq si hero”.

11:59-I veshur me uniformë ushtarake, Poroshenko-Perëndimit: Na jepni mundësinë t’ju mbrojmë, embargo naftës e gazit rus

Ish-presidenti i Ukrainës, i veshur me uniformë ushtarake, u është bashkuar grupit të civilëve që po sigurojnë ndihma për ushtarët. I armatosur, Petro Poroshenko, sipas raportimeve, ndodhet në një nga rrugët kryesore që është ende e hapur jashtë kryeqytetit Kiev.

Duke folur me një grup xhirimi të Sky News, ai u shpreh se grupi i tij ka siguruar mbrojte ushtarake për 2,500 njerëz.

“Rreth 17 raketa goditën mbrëmë në Kiev”, tha ai.

I pyetur nëse pret që Rusia t’i përmbahet premtimit të saj për një armëpushim të përkohshëm për të lejuar evakuimin e qytetarëve, ai tha: “Ju lutemi mos i besoni Putinit”.

“Presidenti rus nuk i ka mbajtur kurrë premtimet e tij gjatë tetë viteve të luftës.”

Poroshenko shtoi se ai nuk është “shumë optimist” për bisedimet e paqes midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas që pritet të mbahen sot.

“Ne nuk kemi nevojë tani për pilotë amerikanë, nuk kemi nevojë për ushtarë amerikanë, thjesht na jepni mundësinë t’ju mbrojmë. Kjo është shumë e thjeshtë. E dyta, është shumë e rëndësishme që të mos blini gazin rus, sepse çdo dollar që shpenzoni për të, është dollar për ushtrinë ruse. Ju lutem vendosini embargon naftës ruse…” 

11:27-Vendoset ora dhe vendi, ku do zhvillohet raundi i tretë i bisedimeve Rusi-Ukrainë

Delegacioni rus u nis për në Bjellorusi për raundin e tretë të bisedimeve me homologun ukrainas. Kështu raporton Interfax.

Takimi është planifikuar për në orën 15:00 me orën e Moskës (13:00 në Itali) në pyllin Belovezhskaya Pushcha, në rajonin e Brestit në Bjellorusi, ku u zhvilluan edhe dy negociatat e para.

“Bisedimet janë planifikuar për në 15:00, por koha mund të ndryshojë në lidhje me problemet e mundshme logjistike të homologëve ukrainas”, tha një analist bjellorus.

11:20-Rusia refuzon seancën në Gjykatën e Lartë

Avokatët rusë nuk u paraqitën në një seancë dëgjimore në Gjykatën e Lartë të Kombeve të Bashkuara këtë mëngjes. Ukraina kishte nisur një “ofertë” ligjore për të ndalur pushtimin rus në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Por një radhë vendesh të rezervuara për delegacionin rus ishte bosh kur seanca u hap, pasi ambasadori rus në Holandë tha se qeveria e tij nuk kishte ndërmend të merrte pjesë.

11:20-Lufta, Ukraina kufizon eksportin e produkteve bujqësore

Qeveria ukrainase ka vendosur kufizime në eksportet e disa produkteve bujqësore për vitin 2022 ndërsa është përfshirë nga një pushtim rus, raportoi Interfax Ukraine, duke cituar një vendim të autoriteteve.

Sipas një dekreti të publikuar mbrëmjen e së dielës, tani kërkohet leja nga autoritetet për të eksportuar grurë, mish shpendësh, vezë dhe vaj luledielli.

Kuota u vendosën edhe për eksportet e kafshëve të fermës, mishit të tyre, kripës, sheqerit, tërshërës, thekrës.

Ukraina është një eksportues botëror i produkteve bujqësore, por pushtimi rus pengon eksportet dhe kërcënon prodhimin. Rusia dhe Ukraina janë dy nga eksportuesit më të mëdhenj të lëndëve të para bujqësore. Çmimi i grurit dhe misrit në tregun europian ka arritur tashmë një nivel rekord.

Kujtojmë se për shkak të luftë edhe në Shqipëri janë rritur çmimet e ushqimeve bazë.

11:10-Zelensky: Nuk e kemi dashur kurrë këtë luftë

Gjatë një fjalimi presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, tha se Ukraina nuk e ka dashur kurrë këtë luftë, por kanë qenë të tjerët që i kanë shpallur luftë popullit ukrainas, shkruan skynews

Ne nuk e kemi dashur  kurrë  këtë luftë, por të tjerët na e sollën.”  “Ne kurrë nuk kemi dashur të vrasim dikë, por duhet të luftojmë për ta larguar armikun nga toka dhe nga jeta jonë.

“Ne duhet të tolerojmë atë që asnjë komb i vetëm në Europë nuk e ka toleruar në 70 vitet e fundit.”

Ai shtoi se ka folur me kryeministrin Boris Johnson, presidentin e Polonisë, kreun e qeverisë italiane dhe presidentin e Francës.

Nëse situata përkeqësohet, atëherë vendet duhet të miratojnë sanksione të reja për të siguruar paqen.”

“Ne duhet të luftojmë kundër të keqes që dëshiron të shkatërrojë njerëzimin,” përfundoi Zelensky.

10:49-Sulmi në Ukrainë, Koreja e Jugut do të vendosë sanksione të tjera ndaj Rusisë

oreja e Jugut është një ndër vendet që u është bashkëngjitur vendeve të tjera për  sanksione ekonomike në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Mediat e huaja shkruajnë se ditën e martë, Koreja e Jugut do të imobilizojë çdo aktiv të mbajtur nga banka qendrore ruse në valutë të fituar dhe do të ndalojë transaksionet me bankën qendrore të Rusisë , pas lëvizjeve të ngjashme nga SHBA dhe BE.

Ministria koreane e financave  ka bërë me dije se ndëshkime të reja do të ketë për fondet kryesore të pasurisë sovrane ruse, Fondin Kombëtar të Pasurisë së Federatës Ruse dhe Fondin e Investimeve Direkte Ruse, si dhe Bankën Rossiya, për t’i shkëputur ata nga çdo biznes me njerëzit dhe kompanitë e Koresë së Jugut.

Masat pasojnë vendimin e Koresë së Jugut javën e kaluar për të ndaluar transaksionet me shtatë banka të mëdha ruse dhe filialet e tyre, duke përfshirë Sberbank.

10:34-“Marrëveshjet me Rusinë vetëm në teori”, rruga e evakuimit për nga Mariupol ishte i e minuar

Edhe pse mes Ukrainës dhe Rusisë u arrit një marrëveshje për armëpushim në mënyrë që të evakuoheshin civilët, nuk kanë munguar viktimat nga predhat e pushtuesit.

Dominik Stillhart, drejtor i operacioneve për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq duke folur për BBC Radio 4 të hënën në mëngjes tha se marrëveshjet deri më tani kanë ekzistuar vetëm në parim. I pyetur se çfarë nuk shkon me të ashtuquajturit korridore humanitare, ai tha se me dy palët u bisedua për “për ditë të tëra”, por problemet mbetën.

Stillhart tha se sfida ishte arritja e një marrëveshjeje që të ishte “konkrete, e zbatueshme dhe e saktë”.

Por, marrëveshjet janë arritur vetëm “në parim”, pasi janë prishur menjëherë për shkak të mungesës së saktësisë, sa i përket rrugëve dhe kush mund t’i përdorte ato.

Duke ilustruar pikëpamjen e tij, ai tha se anëtarë të stafit nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ishin përpjekur të dilnin nga Mariupol përgjatë një rruge të rënë dakord të dielën, por shumë shpejt e kuptuan “rruga që po ndiqnin ishte në të vërtetë e minuar”.

10:31-Ukrainasit shkatërrojnë anijen ruse në Odesa

Ushtarët e Forcave të Armatosura të Ukrainës njoftojnë se kanë fundosur një anije ushtarake ruse. Kjo u njoftua nga kryetari i Shtabit Operativ të Odessas, Serhiy Bratchuk.

” Ushtria ukrainase fundosi një anije ushtarake ruse në Detin e Zi,” shkroi ai.

Burimet e InfoResist në Komandën Detare raportuan se një anije patrullimi Project 22160 ishte fundosur. Bëhet fjalë për anijen “Vasily Bykov”.

10:13-Zyrtari amerikan: Rusia ka lëshuar 600 raketa që nga nisja e pushtimit të Ukrainës

Sipas një zyrtari amerikan, Rusia ka lëshuar 600 raketa që nisja e pushtimit të Ukrainës. SHBA ka monituar luftimet e vazhdueshme në Kherson dhe Mykolaiv të dielën, ndërkohë që forcat ruse janë përpjekur të marrin kontrollin në  Kiev, Khakhiv, Chernihiv dhe Mariupol, shkruan ukrinform

Por forcat ruse janë përballur me rezistencën e fortë të ukrainasve, duke ngadalësuar përparimin rus. Ndërkohë, kolona e automjeteve ruse në veri të Kievit është ende e bllokuar, dhe nuk ka asnjë informacion se sa larg ndodhet nga Kievi.

Në fund të javës së kaluar, ishte afërsisht 16 milje (25 kilometra) nga qendra e qytetit të Kievit. Presidenti Vladimir Putin filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Trupat ruse po bombardojnë dhe shkatërrojnë infrastrukturën, duke goditur me raketa zona të banuara në disa qytete të Ukrainës.

10:12-Rusët vijojnë sulmet mbi civilët, pamjet nga bombardimet në Ukrainë

Imazhet e reja të publikuara nga autoritetet ukrainase tregojnë shkallën e dëmtimit në qytetet kryesore, teksa Rusia vijon sulmin e saj të paprovokuar.

Qyteti jugor i Mykolaiv u godit nga disa raketa të hënën në mëngjes, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës në Facebook.

Një tjetër imazh tregon brendësinë e banesës së rrënuar. Qyteti verilindor i Kharkiv-it gjithashtu pësoi bombardime të shtunën dhe të dielën në mbrëmje, tha Policia Kombëtare e Ukrainës në një deklaratë në Facebook.

10:10- “Na ndihmoni, po mbarojnë ushqimet dhe paisjet mjeksore”, Shevchenko bën apel për ndihmë

Rusia vazhdon të sulmojë ushtarakisht Ukrainën, ndërsa nga kjo luftë kanë mbetur shumë të vrarë, ndërsa tani duket se populli ukrainas është futur edhe në një vështirësi të madhe.

Në një intervistë për “DAZN” ish-legjenda e Milanit, Andriy Shevchenko ka bërë një apel për ndihmë, teksa është shprehur se tani Ukrainës po i mbarojnë ushqimet dhe paisjet mjeksore.

Gjithashtu Shevchenko theksoi se mbledhja e fondeve është shumë e rëndësishme, sepse tani Ukraina ka hyrë në një fazë kritike, ndërkohë për sportin ai shprehet se e dëshmoi se është në krah të vendit të tij.

“Ndihem shumë keq, ndihem shumë i dëshpëruar. Jam i shqetësuar për atë që po ndodh. Vendi im është nën sulm”.

Si e kuptoni këtë luftë?

Unë mendoj se është gjëja më e keqe që dikush në botë mund të imagjinojë. Ne e dimë se për çfarë po luftojmë, domethënë për të drejtat tona, për tokën tonë, për atë që besojmë. Dhe dot të luftojmë deri në fund.

E shihni fundin e luftës?

Për mua po e fitojmë luftën, sepse po ua tregojmë të gjithëve vlerën tonë. Vendi po lufton për vlerat evropiane, për një drejtim evropian. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera kanë qenë pranë nesh dhe e ndjejmë këtë mbështetje. Ne luftojmë për vlera shumë më të larta, shumë më të rëndësishme, që shkojnë përtej politikës. Ne luftojmë për tokën tonë. Nëna ime, motra ime, miqtë dhe të afërmit e mi janë në Kiev, ata nuk janë larguar nga vendi. Dua të falënderoj shumë presidentin tim për guximin dhe shpirtin me të cilin po lufton për të ardhmen tonë.

Si e jeton njeriu këtë distancë me të dashurit që jetojnë në Kiev?

Është shumë e vështirë, sepse unë jam këtu (në Londër). Megjithatë, puna ime është të flas sa më shumë, të përpiqem të gjej fondet për të ndihmuar njerëzit në Ukrainë. Tani për tani është një tragjedi njerëzore. Ka spitale që janë bombarduar nga rusët. Ka fëmijë të vrarë, civilë të qëlluar ndërsa flinin në shtëpi. Është e pamundur të shpjegohet pse po ndodh kjo.

Çfarë mund të bëjë populli italian për të ndihmuar popullin ukrainas?

Ne kërkojmë vetëm ndihmë për të gjetur fondet, sepse Ukrainës ka filluar t’i mungojë ushqimi, pajisjet mjekësore, gjithçka. Kemi nevojë gjithashtu për mbështetje morale. Ne kemi nevojë për më shumë protesta, më shumë njerëz që flasin për këtë dhe njerëzimin.

A duhet edhe ju ta demonstroni?

Ne duhet të demonstrojmë derisa kjo luftë të ndalojë. Ne duhet të përpiqemi në çdo mënyrë për ta ndihmuar vendin tim ta fitojë këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’iu japim fund humbjeve njerëzore.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Nuk ka asgjë më të keqe se lufta. Tani për tani ka ferr në vendin tim. Ka strehimore që kanë nevojë për ndihmë, njerëz në Ukrainë që kanë nevojë për ndihmë.

Çfarë mund të bëjë sporti?

Bota e sportit dëshmoi se është me Ukrainën. Ata po bëjnë shumë, por mbledhja e fondeve është e rëndësishme për ne.

A ka një kanal të veçantë për mbledhjen e fondeve?

Tani për tani, Kryqi i Kuq dhe kanalet zyrtare të qeverisë, si ambasadat.

Dëshironi të shtoni diçka?

Dua të falënderoj shumë popullin italian për mbështetjen që i ka dhënë vendit tim. Është shumë e rëndësishme ta dëgjojmë këtë mbështetje nga të gjitha anët. Faleminderit shumë, Italia është atdheu im i dytë dhe do të mbetet gjithmonë një vend i rëndësishëm për mua. Tani është e njëjta gjë për vendin tim. Nëse mundeni, shikoni faqet e internetit të ambasadës ukrainase duke kërkuar llogari rrjedhëse për të dërguar një kontribut. 

10:00- I vetëm në kufi me një lodër pellushi në qese, vogëlushi ukrainas lë pas shtëpinë mes lotësh

Në më shumë se 10 ditë nga Ukraina janë larguar të paktën 1.5 milionë njerëz, kryesisht fëmijë dhe gra. Fotoreporterë nga e gjithë bota sjellin pamje të momenteve të dhimbshme nëpër kufij apo stacione treni ku familje ndahen duke mos e ditur nëse do të mund të ribashkohen sërish.

https://youtu.be/MNtRlCstukY

Së fundmi është publikuar një tjetër video prekëse. Një djalë i vogël shihet ndërsa kalon kufirin në Poloni, i vetëm duke qarë. Vogëlushi është i veshur trashë pasi janë të ftohta këto ditë lufte në Ukrainë dhe në dorë mban një qese në të cilën ka një lodër pellushi.

Nuk dihet nëse djali i vogël është i vetëm apo i shoqëruar nga të afërm të tij. Shumica e refugjatëve kanë ikur nga Ukraina në Poloni, ndërsa të tjerë kanë kaluar në Hungari, Sllovaki, Moldavi dhe Rumani.

09:52-Borrell: Europa duhet të përgatitet për fluksin e refugjatëve

Numri i refugjatëve ukrainas vazhdon të rritet ndjeshëm dhe më shumë se 1.5 milionë njerëz janë larguar nga vendi deri më tani. Filippo Grandi, komisioneri i lartë i agjencisë, atë që po ndodh sot me ukrainasit e ka cilësuar krizën me rritjen më të shpejtë të refugjatëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërkohë,  sipas shefit të BE-së Josep Borell,  rreth pesë milionë ukrainas pritet të largohen nga vendi nëse vazhdojnë bombardimet ruse ndaj Ukrainës,  duke theksuar se Europa duhet të përgatitej për fluksin e refugjatëve.

“Ne duhet të përgatitemi për të pritur rreth pesë milionë emigrantë.  Ne gjithashtu duhet të mobilizojmë të gjitha burimet e BE-së për të ndihmuar vendet që do të strehojnë ukrainasit që po largohen nga lufta, ” përfundoi Borrell.

09:44-Ukraina: Vendimi i Rusisë për korridoret humanitare, i pamoralshëm

Zyrtarët ukrainas thanë se propozimi i Rusisë për korridore humanitare, që i çojnë refugjatët në Bjellorusi ose Rusi, është “plotësisht i pamoralshëm”.

Qytetarët ukrainas duhet të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre përmes territorit ukrainas, tha një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Vuajtjet e njerëzve përdoren për të krijuar pamjen e dëshiruar televizive”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

Rrugët e evakuimit të publikuara nga agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti, treguan se civilët do mund të largohen për në Rusi dhe Bjellorusi.

Korridori nga Kievi çon në Bjellorusi, ndërsa nga Harkivi çon në Rusi. Korridoret nga qytetet Mariupol dhe Sumi çojnë në qytetet e tjera të Ukrainës, si dhe në Rusi.

09:37-Inteligjenca britanike: Rusia kërkon të kufizojë aksesin e ukrainasve në lajme dhe informacione

Rusia kërkon të kufizojë aksesin e Ukrainës në lajmet dhe informacionet e besueshme, sipas një njoftimi të inteligjencës britanike, shkruan CNN

“Rusia ndoshta po synon të reduktojë aksesin e qytetarëve ukrainas në lajme dhe informacione të besueshme”, tha ministria në një deklaratë të postuar në Twitter.

“Rusia goditi me raketa një kullë televizive në Kharkiv, duke pezulluar transmetimin. Kjo pason një goditje të ngjashme në një kullë televizive në Kiev më 1 mars 2022”, sipas një deklatatë të ministrisë.

“Linjat e internetit ka gjithashtu shumë të ngjarë të ndërpriten si rezultat i dëmit kolateral nga sulmet ruse.

Gjatë javës së kaluar, janë raportuar ndërprerje të internetit në Mariupol, Sumy, Kiev dhe Kharkiv.”

Javën e kaluar, Rusia miratoi një ligj që dënon personat që publikojnë lajme të rreme, duke censuruar më tej shtypin rus dhe duke kufizuar zërat kundërshtues.

09:16-Kina do t’i ofrojë Ukrainës ndihmë humanitare

Kryqi i Kuq i Kinës do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën, tha ministri i Jashtëm Wang Yi, teksa përsëriti thirrjen për vazhdimin e bisedimeve diplomatike. Ai theksoi se miqësia e Kinës me Rusinë vazhdon të jetë e fortë  dhe perspektivat për bashkëpunim janë shumë të mëdha, shkruan BBC

Vendimi i Yi vijnë disa orë pasi kryeministri i Australisë Scott Morrison i kërkoi Kinës të marrë masa ndaj Rusisë. Në një fjalim ditën e djeshme, Morrison tha se Kina ka folur vazhdimisht për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.

“I takon Kinës, në këtë pikë kyçe të historisë, të tregojë se këto janë më shumë se vetëm fjalë”, tha Morrison, duke shtuar se “asnjë vend nuk do të kishte më shumë ndikim tek Rusia sesa Kina”.

Deri më tani, qeveria kineze nuk ka vendosur sanskione kundër Rusisë. Por në fillim të kësaj jave, Yi sinjalizoi se Kina ishte e gatshme të ndërmjetësonte armëpushimin midis dy vendeve.

09:05- Ukraina: Kemi rimarrë kontrollin e Chuhuiv

Forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e Chuhuiv, sipas një deklaratë të zyrtarëve ukrainas. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e Kievit kishin rimarrë kontrollin e  qytetit pas pushtimit nga forcat ruse, shkruan BBC

Zyrtarët ukrainas pohuan gjithashtu se dy komandantë rusë janë vranë gjatë betejës për qytetin. Chuhuiv ndodhet rreth 23 milje larg nga qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkiv, i cili ka qenë nën bombardimet e forcave ruse për më shumë se një javë.

08:55- Zelanda e Re vendos sanksione kundër 100 oligarkëve rusë

Në një lëvizje të paprecedentë, Zelanda e re ka vendosur sanksione kundër disa personave më të pushtetshëm në Rusi, shkruan The Guardian

Të hënën, vendi shpalli një listë të re sanksionesh që synojnë dhjetëra shtetas rusë. Kryeministrja Jacinda Ardern tha se sanksionet përfshijnë ndalim udhëtimi për 100 oligarkë rusë, duke ndaluar  jahtet, anijet dhe avionët e regjistruar në Moskë që të hyjnë në hapësirën ajrore ose ujërat e Zelandës së Re.

08:48- Kriza e karburanteve, çmimi i naftës rritet në nivelin më të lartë në 13 vite

Stoqet kanë shënuar sërish rënie të hënën pas rritjes së çmimit të naftës në nivelin më të lartë në 13 vite. Në Azi, Indeksi Hang Seng i Hong Kongut u ul deri në 5%. Nikkei 225 i Japonisë ra me 3.6%. Kospi i Koresë së Jugut ra me 2.5%. Shanghai Composite i Kinës ra me 1%, shkruan CNN

Në tregun amerikan, DoW ra 450 pikë, ose 1.3%. ndërsa S&P 500 dhe Nasdaq ranë përkatësisht me 1.6% dhe 2%. Nafta ka shënuar rritjen më të madhe që nga 2008, me më shumë se 7%. Nafta e papërpunuar Brent gjithashtu u rrit në nivelin më të lartë që nga viti 2008, me 8% në 127,66 dollarë për fuçi.

Çmimi naftës shënoi rritje  pas deklaratës së sekretarit amerikan Antony Blinken, i cili tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët e saj në Europë për të shqyrtuar mundësinë e ndalimit të importeve të naftës ruse në një përpjekje për të ndëshkuar më tej vendin.

“Masa pritet të përkeqësojë më tej çekuilibrin ofertë-kërkesë në një treg tashmë të ngushtë të naftës,” shkroi Yeap Jun Rong, një strateg tregu për IG Group.

“Rritja e çmimit të naftës mund të përbëjë një kërcënim për marzhet e firmave dhe perspektivën e shpenzimeve konsumatore, në një kohë kur Fed do të përballet me presion më të madh,” shtoi ai.

08:28- Lufta në Ukrainë, Zelensky: “Nuk do të falim dhe nuk do të harrojmë”

Gjatë një fjalimi, Zelenskiy paralajmëroi se do të ndëshkonte ata që kanë kryer mizori në Ukrainë , duke shtuar se “i vetmi vend i qetë” që i pret ata do të ishte varri.

Ne nuk do të falim shtëpitë e shkatërruara. Raketat që kanë goditur qytetet tona, popullin dhe fëmijët tanë. Ne nuk do të falim pushkatimin e njerëzve të paarmatosur. Shkatërrimin ë infrastrukturës sonë.

Dhe Zoti nuk do t’i falë këto mizori,  as sot as nesër as kurrë. Nuk mund të fshihesh nga ky realitet. Nuk mund të fshihesh nga vrasjet në Ukrainë”, tha Zelensky.

08:20- Rusia premton hapjen e korridoreve të reja humanitare për evakuimin e civilëve

Rusia do të hapë korridore të reja humanitare në qytete të shumta të Ukrainës të hënën për të lejuar evakuimin e civilëve, sipas mediave shtetërore, shkruan BBC

Armëpushimi pritet të fillojë nga ora 10:00, sipas ministrisë ruse të mbrojtjes, në Kiev, Kharkiv, Mariupol dhe Sumy. Të gjitha këto qytete janë aktualisht nën pushtimin rus.Gjatë fundjavës, dështuan përpjekjet për evakuimin e civilëve nga Mariupol në juglindje të vendit.

Sipas zyrtarëve ukrainas, kjo për shkak se  Rusia vazhdoi bombardimin e qytetit gjatë armëpushimit.

08:06- Rusi-Ukrainë sërish sot në tavolinë, vendi ende “sekret”

Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë sot raundin e tretë të bisedimeve, tha negociatori ukrainas David Arakhamia në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

“Rundi i tretë i negociatave do të zhvillohet të hënën,” tha Arakhamia pa dhënë detaje shtesë.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi të dielën se negociatori rus Leonid Slutsky konfirmoi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në kanalin Soloviev Live YouTube se raundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet më 7 mars.

Slutsky më herët i tha kanalit shtetëror rus Russia-24 se, “Gjatë raundit të dytë, pala ukrainase demonstroi aftësinë e saj për të negociuar”, sipas TASS.

“Ata e kuptojnë se jetët e njerëzve janë në rrezik. Ky është prioriteti ynë i përbashkët. Të paktën, kështu ishte gjatë bisedimeve,” tha Slutsky sipas TASS.

Arakhamia dhe Slutsky nuk thanë se ku do të zhvillohen negociatat./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!