Nga kriza te financimet ruse, zhdukja e Martinajt dhe ndërtimet pa leje, Rama u përgjigjet qytetarëve: Unë nuk them gënjeshtra

schedule11:48 - 17 Shtator, 2022

schedule 11:48 - 17 Shtator, 2022

Çështjeve më “të nxehta” të aktualitetit si financimet ruse në politikën shqiptare, largimi masiv i të rinjve jashtë vendit, kriza energjikike, konfiskimi i ndërtimeve pa leje dhe misteri i zhdukjes së Ervis Martinjat, kryeministri Rama vendosi t’i kthente përgjigje online.

Gjatë një bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë, kryeministri përzgjodhi disa prej pyetjeve “më pikante” dhe pranoi gjithashtu pyetjet e gazetarëve të ftuar në takimin online.

Sa i përket raportit se Rusia ka financuar dhjetëra vende dhe kandidatë, mes tyre dhe PD-në në Shqipëri në vitin 2017, Rama tha se PS e ka denoncuar e para, por shumë qeshën në kohën kur u hap çështja.

Sulmet kibernetike ishin një tjetër problem i diskutuar. Sipas kryeministrit, agresori  që fshihej pas këtyre sulmeve kishte për qëllim që të zhdukte të gjitha të dhënat e Shqipërisë dhe të linte pas një tokë të djegur, por nuk ia arriti qëllimit.

14:47 – Shkrimi mbi kartelin meksikan, Rama mbron vëllezërit shqiptarë: Po u bini me qafë kot, s’kanë asnjë lidhje

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për lajmet e publikuara së fundi në mediat meksikane, se karteli i drogës Sinaola ka lidhje në Shqipëri.

Rama tha gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se një familje e tërë shqiptare po kryqëzohet për një artikull, ndësa mohoi të njohë ndonjë kartel

“Mendoj se është e njëjta gjë. Mund të thuhet të vërteta dhe shumë të gënjeshtra. E konsideroj të neveritshme që me një copë letër që del diku, kudoqoftë, merret një familje e tërë shqiptare dhe kryqëzohet nga mëngjesi deri në darkë. Pa e pyetur fare, ore kush jeni? Me ça merreni dhe pastaj lidhet njeriu më i kërkuar në botë, pasuria e të cilit thuhet se është më e madhe se GDP e Gjermanisë, me një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë, ku një nga kartelet më të mëdha në botë i pastroka paratë këtu. S’e di se si bëhet kështu! Thjesht kap shqiptarë, amerikanë dhe përplas pas muri, ngri e ul trafikantë, kriminelë, ju qofshi, Zoti ju pastë në kujdes të gjithëve ju që merreni me këtë sport. Është e dhimbshme, e neveritshme. Jam i pafuqishëm për të bërë cfarëdogjëjë tjetër veç për të thënë të vërtetën. Nuk njoh ndonjë kartel, s’kam lidhje me aktivitet ilegal, nuk jetoj për të ngrënë më shumë dhe për të jashtënxjerrë sa më shumë. Jetoj për ca arsye të tjera. Nuk ka mbase asnjë mundësi që t’ua shpjegoj. Ju kam lënë Zotin të gjithë atyre që ndërtojnë të tilla fabula. Jo vetëm për veten time, por për të gjithë ata që përfshihen në vrulle dhe sulme të paimagjinueshme. Këto goditje shkatërrojnë familje, fëmijë, jetë njerëzish, gjithçka. Ju qofshi. Doli një artikull atje dhe mbushet i gjithë rrjeti i kanaleve të vatanit këtu, me një llumhane që se di si bëhet për ta frenuar. Është e tmerrshme, s’e di!”, tha Rama.

14:46 – TEC-et lundruese në Vlorë, Rama: Është e vështirë t’i gjesh në kohë krize, janë këtu si rezultat i punës diplomatike

Gjatë bashkëbisedimit online me gazetarët dhe qytetarët, kryeministri Edi Rama foli dhe për dy TEC-et lundruese që kanë ardhur në Vlorë, nga një kompani e huaj për prodhimin e energjisë elektrike.

Kryeministri tha se dy termocentralet lundruese që janë sot në gjirin e Vlorës, do të fillojnë prodhimin më 1 janar. Sipas tij është e vështirë që në kushtet e krizës të gjesh struktura të tilla.

Rama: Çfarë nuk është thënë. Jo vijnë nga Bangladeshi, jo do të helmojnë Vlorën, jo ku di unë se çfarë. E vërteta është që ato kanë ardhur sepse janë pronë e kompanisë amerikane “Excelerate Energy”.

Me këtë kompani ne kemi projektin e transformimit të TEC-it të famshëm të Vlorës, i cili prej vitesh u ndërtua, u shpenzuan shumë miliona dhe nuk u ndez kurrë, u la një gërmadhë që nuk i afrohej dot njeri në një burim energji me gaz të lëngshëm. Do të kemi 100 megawatt plus në fund të vitit 2023 dhe 200 të tjera plus, domethënë 300 megawatt do të prodhojë vetëm ai termocentral.

Ato nuk kanë ardhur këtu si rrënoja, por kanë ardhur këtu si rezultat i një punë të jashtëzakonshëm, diplomatike deri në nivelet më të larta. të gjesh sot në kushte e krizës struktura të tilla është e pamundur. Nevojë kanë të gjithë dhe struktura të tilla janë pak.

Kryeministri shtoi se kompania, të tilla struktura ka vendosur në Manhatan dhe Berlin. Sipas tij nuk jemi në kushtet kur kanë ardhur disa teneqe që dikush i ka sjellë këtu, por në kushtet kur kemi shtuar fuqi energjitike për vendin tonë.

13:30  –“Është miku im”, Rama reagon për lidhjet me zyrtarin e FBI nën hetim për lidhje me rusët. Berisha: Do ketë zbulime të tjera

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmeve se një zyrtar i lartë i FBI-së, i afërt me të, është duke u hetuar për lidhje me rusët.

Rama tha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët se zyrtari ka qenë mik i tij dhe shtoi se hetimet janë çështje e tij dhe për këtë do të flasë drejëtsia amerikane.

“Cilët rusë të mitë, shefi i kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA-të, është çështje e tij. Lëreni të flasë drejtësia në SHBA. Nuk bëhet drejtësia, nuk nxirren fajtorët dhe nuk bëhen akuzat në këtë farë feje se është e tmerrshme.

Nuk është e tmerrshme për mua, se nuk ka asnjë problem, sepse i pres të gjitha, por është e tmerrshme për këtë popull, për këtë vend, për të gjithë ato që i konsiderojmë vlera shqiptare, parime shqiptare. Çfarë të them më shumë se kaq. Bëhet fjalë për një çështje që është në SHBA, që nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare që nuk ka asnjë biznes të çfarëdollojshme se me këtë teori i bie që ne nuk duhet të takojmë askënd sepse nesër dikush mund të ketë probleme me drejtësinë në vendin e vet”, tha Rama.

Ndërkohë, lidhur me këtë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në një postim në “Facebook”, Berisha shkruan se zyrtari i FBI përdori llogarinë e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një biznesmeni amerikan.

Reagimi plotë:
Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij famoz Dorian Duçka nën hetim nga FBI!
Të dashur miq, në një hetim sekret për lidhje ruse të një ish-shefi të rëndësishëm të FBI, del se lidhje e tij private është Edi Rama. Në këtë kontekst, ndër të tjera sipas një gazete prestigjioze amerikane ‘Business Insider’, një juri e madhe në mandatin e saj ka kërkuar: t’i sillet çdo gjë dhe të gjitha regjistrimet, materialet në disponim të të gjykuarit që dokumentojnë çdo komunikim personal, përfshi këtu, por jo kufizuar, mesazhe celulari, mesazhe e-maili elektronik, mesazhe në aplikacion të inkriptuar celulari, mesazhe zanore, letra, ose shënime midis Charles McGinogal dhe midis të tjerëve: Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ose çdo personi të lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përfshi këtu, por jo kufizuar, kryeministrin Edi Rama.
Juria e madhe kërkon hetimin e çdo udhëtimi në Republikën e Shqipërisë të mikut të Edi Ramës nën hetim për lidhje ruse, zyrtarit të niveleve më të larta të FBI, Charles Mc Gonigal si dhe pagesa apo dhurata të dhëna Charles McGonigal nga përfaqësuesi i Ramës, famozi Dorian Duçka, Agron Neza ose çdo person i lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Autori i prestigjiozes ‘Business Insider’ shkruan se FBI nuk lejoi McGonigal të kontraktojë për llogari të Edi Ramës një kompani për një projekt antikorrupsion.
Autori i artikullit shkruan: “Dy burime i thanë Insajderit se McGonigal ishte i afërt me Edi Ramën, i cili shërben si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013. Sipas një e-maili të parë nga Insajderi, McGonigal përdori llogarinë e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një biznesmeni amerikan. Firmën e tij kryeministri po mendonte ta punësonte në një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI nuk i dha miratimin McGonigal për takimin”.
Zëdhënësi i Ramës i thotë gazetës se: “Nuk ka pasur kurrë takime me kompani, dhurata, pagesa, rimbursime të udhëtimeve përpara ose pasi zoti McGonigal të largohej nga puna” – thuhet në shkrim.
Zëdhënësi i Edi Ramës ka gënjyer sepse Syri.net ka vërtetuar se McGonigal jo vetëm ka vizituar Shqipërinë, por ai ka regjistruar një kompani me emrin e tij në Tiranë.
Miq, botimi i këtij artikulli nga Insider për hetimin për lidhje me ruset të një zyrtari të lartë të FBI, në të cilin si lidhje të tij përmendet në nivelet më të larta zyrtarë vetë Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij Dorian Duçka, mendoj se është një qitje me rreze të gjatë që do shoqërohet me zbulime të tjera të medha nga hetimi i FBI.
Këtu keni në anglisht urdhrin në mandatin e hetimit të Jurisë së Madhe:
Records, documents, or materials related to the folloëing:
1. Any and all records or materials in your possession documenting any personal communications, including, but not limited to, cellular text messages, electronic mail messages, encrypted celular application messages, voice messages, letters, or notes, betëeen you and Charles McGonigal regarding the folloëing topics:
(The government of the Republic of Albania or any person associated ëith the govemment of the Republic of Albania, including, but not limited to, Prime Minister Edi Rama)
(Any travel conducted by Charles McGonigal to the Republic of Albania etc Payments or gifts provided to Charles McGonigal by Agron Neza, Dorian Ducka, or any person associated ëith the government of the Republic of Albania)

13:09 – “Shpresoj që Juvja ta shfrytëzojë momentin për tu ringritur”, Rama: Zoti i zgjedh ata që i vendos barrët e rënda

Nuk kanë munguar dhe batutat e kryeministrit Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe qytetarët në Facebook.

Kryeministri tha se është tifoz i Juves dhe shpreson që së shpejti ekipi të dalë nga gjendja e vështirë në të cilën ka qenë kohët e fundit. Ai shtoi se ekipi gjithashtu duhet të përfitojë nga situata e  vështirë në të cilën ndodhet për tu ringritur.

Juventusi kohët e fundit është përballur me rezultate të dobëta. Kjo ka sjellë pakënaqësinë e tifozëve të cilët nuk duan trajnerin, Massimiliano Allegri.

Rama: A do dalë Juvja nga kjo gjendje? Unë nuk jam ekspert. Jam juventin dhe dua që Juvja të fitojë. Po kalon një kohë shumë të vështirë, por unë kam mikun tim Murinho që po ecën mirë. Gjithmonë ka një periudhë kur shkon më keq. Shpresoj që Juvja ta shfrytëzoj këtë moment për tu bërë më mirë. Karakteristika e guximtarëve dhe fitimtarëve është që nuk lënë mundësi të keq pa shfrytëzuar për të bërë mirë. Siç bëmë ne me tërmetin, pandeminë dhe do bëjmë me krizën energjtike. Thonë se Zoti i zgjedh ata që i vendos barrët e rënda.

12:38 – Pse nuk ka folur policia për zhdukjen e Ervis Martinajt? Rama: Duhet të kemi durim

Kryeministri Rama, disa ditë më parë,  i kërkoi policisë së shtetit të dilte me një deklaratë lidhur me misterin që mbulon zhdukjen e Ervis Martinajt prej 11 gushtit.

Por me sa duket fjalët e Ramës kanë rënë në vesh të shurdhër pasi policia ende nuk ka një version zyrtar.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe qytetarët në Facebook, Rama u pyet se kur do të reagojë policia.

Rama: Nëse përgjigjja do të ishte aty dhe do të ishte mbajtur e fshehur do të dilte për 9 ditë, por besoj se duhet të keni pak më shumë durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe unë jam besimplotë që do ta kemi shumë shpejt. Sepse përgjigjja e Policisë së Shtetit duhet të jetë një përgjigje që duhet të mbështetet dhe në prova, nuk është thjesht një përgjigje të cilën pak a shumë e kemi që sot, por s’mund të thuhet zyrtarisht sepse kërkon të jetë e provuar.

Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn?

Policia nuk ka një version zyrtar në lidhje me çfarë ka ndodhur me të, megjithatë në media deri më tani kanë dalë dy versione kryesore. Një pjesë e gazetarëve të kronikës raportojnë duke iu referuar një videoje që ata thonë se e kanë parë, se Ervis Martinaj është kapur nga kundërshtarët e tij dhe është ekzekutuar. Ndërkohë, versioni tjetër lidhet me një skenar në lidhje me zhdukjen e tij me qëllim shmangien nga policia e cila e kishte shpallur në kërkim, por edhe prej kundërshtarëve pas vrasjeve të fundit në rrethin e tij shoqëror.

“Tërmeti”

Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.

Kush është “mbreti” tani

Mësohet se përballë Ervis Martinajt janë organizuar disa grupe kriminale, të cilat kanë patur një qëllim të vetëm: Largimin e tij nga “loja” pasi ishte kthyer në një personazh që kishte prishur balancat e marrëdhënieve mes krimit, politikës dhe botës së biznesit. Hoxha paralajmëroi gjatë intervistës në ABC se grupi në fjalë, i cili ka financa tepër të shëndosha si edhe një grup të armatosur profesionistësh janë ata që do të mbretërojnë gjatë dekadës së ardhshme në fushën e krimit të organizuar.

Kush e donte të vdekur Ervis Martinajn?

Mësohet se një ndër ndërhyrjet më të forta të Martinajt në këtë trekëndësh ka qenë momenti kur u tentua monopolizimi i tregut ta basteve në Shqipëri, pak vite pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” që e goditi rëndë atë në fund të vitit 2013. Bëhet fjalë sipas Hoxhës për kompaninë “Bast Arena”, në të cilin tentuan të futeshin në lojë një politikan i njohur, i shpallur madje “non grata” nga SHBA-të; një biznesmen i fuqishëm si edhe një i afërmi i një politikani tepër të rendësishëm në vend.

Hoxha u shpreh se me ta mësuar këtë, Martianaj kishte kontaktuar me të tre duke iu thënë se duhej të hiqnin dorë nga kjo tentativë për ta nxjerrë atë tërësisht nga loja. “Bast Arena” u mbyll pak muaj më pas sipas Hoxhës.

Largimi nga skena i Ervis Martinajt mund të çojë në një rigjallërim të tentativave për të monopolizuar tregun e basteve në Shqipëri përmes dhënies së ndonjë licence kombëtare.

12:30 – “Unë nuk them gënjeshtra”, Rama: Kur dal para jush them vetëm të vërtetat e mia

Një nga qytetarët e akuzoi kryeministrin Rama se thotë gënjeshtra nga mëngjesi në darkë, dhe meqë ditën e sotme ishte pa punë, kishte vendosur t’i kthente përgjigje pyetjeve të qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri Rama tha se ai nuk gënjen asnjëherë dhe kur del para qytetarëve thotë gjithmonë të vërtetën.

Rama: Unë nuk them gënjeshtra as në mëngjes as në darkë. Kur dal para jush unë them vetëm të vërtetat e mia. Nga ana tjetër përpiqem t’i bëj pritë të gjitha problemeve. Meqë ti Artan mendon se unë gënjej nga mëngjesi deri në darkë merr shiko faturën e energjisë në shtëpinë tënde. Shiko sa paguan dhe shumëzoje çdo kilovat që paguan me 45 lekë. 9.5 shtoi 45 pastaj mblidh gjithë kilovatët dhe shiko çmimin. Më pas bëj pyetjen vetes pse më del kaq pak? Nëse je jashtë e ke më kollaj ta kuptosh që unë nuk gënjej. Nëse je jashtë nuk je si ata që mendojnë se jashtë do gjejnë mrekullinë. Ata që thonë se ata jashtë e  kanë rrogën më të madhe duhet të llogarisin se i kanë dhe shpenzimet më të mëdha.

12:22 – “Ishim të shqetësuar”, Rama e pranon: Ia kërkuam dorëheqjen Gledis Nanos

Rama ka konfirmuar sot se ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano i ishte kërkuar dorëheqja.

Rama tha se kërkesa erdhi pas shqetësimeve për zhvillimet për rendin publik në vend. Kujtojmë se Nano u shkarkua më pas me vendim qeverie.

Drejtori i ri u emërua Muhamet Rrumbullaku.

Rama: Po është e vërtetë. I është kërkuar dorëheqja drejtorit të mëparshëm, Gledis Nano. Ai ma ka konfirmuar se do ta jepte dorëheqjen ditën e hënë pasi biseda ishte bërë të shtunën nga ministri.  Ishim shumë të shqetësuar për zhvillime të pa pëlqyeshme lidhur me rendin publik dhe me vetë policinë e shtetit.

Ai ma ka konfirmuar se do ta jepte dorëheqjen ditën e hënë pasi biseda ishte bërë të shtunën nga ministri.

12:13 –Nafta kontrabandë dhe thyerja e embargos me Libinë, Rama: Nuk merrem me anije

Kryeministri Edi Rama është pyetur edhe për naftën kontrabandë që ka ardhur në Shqiëpëri ditët e fundit, konkretisht anija e nisur nga Libia me rreth 2200 tonë naftë dhe thyerjen e embargos ndaj këtij shteti.

Rama nuk dha një përgjigje duke thënë se ai “nuk merret me anije”, ndërsa shtoi se çështja i takon organeve të drejëtsisë.

“Nuk merrem me anije, çështja i takon organeve të drejëtsisë, policia ka bërë detyrën dhe nga ana tjetër sikiur edhe media të bëjë detyrën e vet dhe të mos përdor fuqinë e saj për të disinformuar apo për të sulmuar dhe për të vënë gjoba qoftë për autoritetet shtetërore qoftë për objekte biznesi, kjo do ishte një kontribut për ta bërë Shqipërinë më të mirë”, tha Rama.

11:55 – Pse nuk lini drejtësinë të merret me “pasanikët” e kullave? Rama: Kur kërkojmë drejtësi unë dhe shqiptarët jemi në një anë

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot drejtësinë, teksa u pyet për ndërtimin e kullave dhe VKM për legalizimin e kateve pa leje. Një qytetar e pyeti se pse amnistohen oligarkët, kurse qytetarët përballen me drejtësinë për një mur pa leje.

Pyetje:  Pse nuk lini drejtësinë të merret me “pasanikët” e kullave?

Rama: Kur vjen puna te drejtësia, unë dhe ti dhe gjithë shqiptarët që kërkojmë drejtësi jemi në një anë, nuk jemi në anë të ndryshme. Është shumë e vërtetë kjo që thua. E kam thënë dhe unë disa herë. Është e tmerrshme. Por pse ndodh kjo? Sepse këta më të pasurit me këtë drejtësi i zgjidhin punët. Ky është problemi. Nuk jam unë që nuk lejoj drejtësinë të merret me ta, por është drejtësia që nuk na lejon ne që t’i bëjë gjërat deri në fund. Në fund fjalën e ka drejtësia. Nëse në këtë vend Gjykata do bënin sa Policia e Shtetit, ky vend do ishte shumë herë më i përparuar se sa është në raport me aty ku e nisëm. Sa janë rastet që policia i çon fajtorët në Gjykatë dhe sa janë raste që fajtorë marrin bekimin e Gjykatës dhe nuk shkojnë aty ku e kanë vendin.

Tek drejtësia e kanë kollaj. Keni dëgjuar shumë përralla për inceneratorët. Lidhur me ato TVSH-të e paguara, ose e devijuara, ose lidhur me ata të vdekurit, atë skemë e kanë zbuluar Tatimet e Republikës së Shqipërisë dhe ajo skemë është denoncuar në Prokurori dhe për atë skemë prokuroria nuk ka bërë asgjë dhe po atë skemë prokuroria e ka çuar te nëndaja, te këta që me doku e prokurorisë dalin çorodisin miletin. SPAK-u është një institucion i ri që merret me gjërat e tjera, me zyrtarët e lartë, por prokuroria e Tiranës, prokuroritë e rretheve merren me këto. prokuroritë e rrethet në bashkëpunim me inspektorë policie plotësojnë dosje dhe mbushin statistikat duke çuar para drejtësisë njerëz për një mur. Këta që ndërtojnë pa leje për të shitur, këta e blejnë prokurorinë, e blejnë gjykatësin dhe para këtyre prokuroria dhe drejtësia është e pafuqishme, të gjithë të tjerat janë poshtërsira të njerëzve vemje me gjak jeshil që nuk lënë gjë pa thënë për mua, për ne, ne një ves nuk e kemi nuk i bëjmë gabimet me qëllim dhe nuk e përdorim pushtetin.

Gënjeshtra bën xhiron e botës ndërkohë që e vërteta s’ka ngritur pantallonat, thotë populli. VKM vjen si nevojë për të kapërcyer këtë ngërç të krijuar me vite. Ligji është aty me vite. Ejani më tregoni se sa të pasur janë vendosur para ligjit. Merrini shikojini. Prokurorët bëjnë pazare me ta. Kjo është e vërejta. Gjykatësit bëjnë pazare me ta. Dhe më pas prokurorët bëjnë tregti me median dhe politikën. Kjo është e vërteta. Drejtësia ka punën e vetë. 

Drejtësia ka punën e vet. Një vendim qeveri nuk amniston dot askënd. Një vendim qeverie nuk heq dot nga duart e drejtësisë asnjë. Nëse ti tek sheshi “Skënderbej” ose në qendër të Tiranës do ndërtosh 1 metër katror pa leje që pastaj do e paguash 5 mijë euro, nga mbrapa do kesh dhe drejtësinë e më pas do paguash gjobën, ti nuk ke pse ndërton më. Kjo është e vërteta. Po të vërtetën asnjëherë nuk ke për ta marrë vesh nëse nuk e kërkon në këtë llum.

11:55 –Shqiptarët me gomone drejt Anglisë, Rama: nuk kemi parajsë për t’ju ofuar, por kemi vullnet

Kryeministri Edi Rama po mban një bashkëbisedim online me qytetarë dhe gazetarë, ku po diskutohet për problemet dhe situatën aktuale në vend.

Rama u pyet në lidhje me emigrimin masiv të shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe pamjet që janë bërë virale të të rinjve që shkojnë me gomone drejt ishullit.

Rama tha se me paratë që paguajnë trafikantët, ata mund të investojnë në Shqipëri dhe mund të nxjerrin më shumë fitime se nga një punë e rëndomtë në Britani.

“Shqipëria nuk i ofron dot kushtet e Gjermanisë dhe Britansië së Madhe. Të harxosh 20 mijë 30 mijë paund për të paguar trafikantë, ndëkohë që me aq lekë ti mund të ndërtosh një agroturizëm dhe me atë mund të bësh më tepër lekë se sa mund të bësh nga një punë e rëndomtë në Britani, siguritsht nëse nuk përfshihesh në grupe kriminale, por mund t’ju çojë në ferr kjo gjë. Nuk kemi një parajsë për të ofruar, por kemi vullnetin për një Shqipëri më të mirë”, tha Rama.

11:43 – “Shumë familje i kalojnë 800 kWh në dimër”, Rama: Gënjeshtra të mëdha, çmimi nuk është rritur përgjithmonë

Rritja e çmimit të energjisë ka qenë një nga shqetësimet e ngritura nga një qytetar gjatë një bashkëbisedimi virtual me kryeministrin Edi Rama.

Qytetrari vuri në dukje lajmet në media, se shumë familje e kalojnë fashën 800 kWh në dimër, ndërsa Rama diçka të tillë shpifje.

“Nuk dua të bëj polemika me mediat. Është më shumë çfarë zgjedhim të dëgjojmë në një terren ku ka gënjeshtra të mëdha. Gjuha e urrejtjes kërkon shumë furnizim dhe furnizimi kryesor i gjuhës së urrejtjes është shpifja, akuzat e montuara, turravrapi për të asgjësuar karakteret, në pamundësi të asgjësimit të vet personave, sepse nuk jemi në diktaturë apo lufte civile me armë. Por jemi në një situatë lufte civile me gojë dhe kjo është shumë e rëndë. Nuk kam asnjë rrugë tjetër që të bëj përpjekjen time që të mos kontribuoj fare në këtë tymnajë dhe tu referohem të vërtetave. Janë mbi 1 milionë e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kWh dhe mbi 40 mijë familje që kosnumojnë mbi 800 dhe në periudhën e pikut ky 40 mijë shkon  deri në 60 mijë. Vendoseni në shkallë 1 million me 60 mijë. Kjo është shumë e thjeshtë për njerëzit. Të marrë secili faturën dhe të shohë sa konsumon. 800 + është vendosur me një qëllim, duke marrë parasysh se deri në 800 mund të plotësohen të gjitha nevojat bazë. Ne kemi vendosur dy gjëra që koha do ta tregojë nëse janë kurajo apo ambicie e madhe që do na kushtojë shtrenjtë. Kemi zgjedhur të mbrojmë familjet dhe biznesin e vogël dhe të mos kufizojmë enegjinë elektrike. Por për një pjesë të familjeve që konsumojnë më shumë se 800 se kanë më shumë se një palë elektroshtëpiake, më shumë se sa për të ngrohur mjedisin ku rrinë, ne nuk mendojmë që duhet të paguajnë 1 milion e 90 mijë të tjerë. Ky çmim nuk është përgjithmonë, është nga 1 tetori deri në dhjetor dhe në bazë të situatës energjetike të vendit do ta rishikojmë nëse do ta mbajmë apo lëvizim”, tha Rama.

11:40 – Akuzat e Berishës se mbylli çështjen “Basha” me drejtësinë, Rama: Kjo është dora e një shejtan budallai, ku hyj unë këtu?

Ish-kryeministri Berisha gjatë ditës së djeshme akuzoi kryeministrin e vendit, Edi Rama se i mbylli Lulzim Bashës hetimin lidhur me çështjen e lobimit rus.

Lulzim Basha, i pyetur nga unë, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare në SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë. Midis artikullit të gazetës dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit. Më vonë jam vënë në dijeni të faktit se Basha mbahej peng me dosjen Muzin, dhe se çështja ndaj tij u mbyll në gjykatë me ndërhyrje të Agaçit, ku prokurori duke shkelur ligjin, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, në kundërshtim flagrant me ligjin”, deklaroi dje Berisha.

Kryeministri gjatë bashkëbisedimit me gazetarët tha se nuk ka lidhje me këtë çështje.

Pyetje: Sa gisht keni ju në mbylljen e çështjes Basha sa i përket financimeve ruse?

Rama: Ai që ju quani kryetari i PD është turpi në gojën e kujtdo që e sjell si pikë referimi në raport me botën e informacionit. Që kur Shqipëria është bërë shtet nuk e ka një të dytë si ai. tani çfarë kërkoni. Kërkoni realisht ta marr seriozisht këtë pyetje dhe t’ju jap përgjigje. A nuk është i njëjti që mohoi me forcë çdo lidhje të financimeve ruse me PD? A nuk është i njëjti që i vuri gjoksin dehe e mbrojti Lulzim Bashën? Ku hyj unë? Ku është dora ime në këtë mes? Kjo nuk është dora e një budallai, por një shejtan budallai që torolis një vend të tërë duke ju tërhequr për hunde të gjithë ju që vazhdoni e pranoni me veten tuaj që ta konsideroni si pikë referimi, si një subjekt që meriton të hyjë në gojën tuaj dhe të futet të mes të debatit publik?

11:37 – Vrasjet dhe atentatet në vend, Rama: Shqipëria është e sigurt si asnjëherë më parë

Kryeministri Edi rama po u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve në një bashkëbisedim virtual.

Rendi dhe siguria ka qenë një ndër pyetjet e bëra nga një qytetar, i cili i kujtoi Ramës premtimin e bërë për sigurinë në vend.

Rama tha se Shqiëpria është e sigurt si ansjëherë më parë, ndërsa shtoi se vrasjet janë përgjysmuar në krahasim me vite më parë.

“Ne nuk kemi humbje jetësh 24 orë. Ne kemi pasur problemet tona me rendin, sidomos gjatë muajit gusht. Ne kemi pasur një kohë kur në Shqipëri vriteshin 100 persona në vit, përpara se ne të merrnim drejtimin e vendit. Në vitin 2012 janë vrarë 12 persona. Ne e kemi ulur përgjysmë numrin e vrasjeve në Shqipëri. Me këtë nu them që nuk do bëjmë akoma më shumë. Nuk ka vend ku të mos ketë vrasje, mund të përmirësojmë dhe do të përmirësojmë statistikat.

Sot ne jemi në mesataren e kontinentit europian. Kemi qenë në fundin e një pusi ku nuk na dukej emri. Sot jemi më morë se disa vende emfrat e të cilave s’po i përmend për të mos u kthyer në humor, ashtu si nuk jemi më mirë se disa vende në rajon. Shqipëria ëhstë një vend më i sigurt is asnjëherë më parë. E tregon dhe fakti që Shqipëria turistike po hedh hapa më të shpejtë përpara”, tha Rama

11:22 – Financimet ruse “trazuan” politikën shqiptare, Rama ironi me opozitën: Është për të ardhur keq…

Më 14 shtator  një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”, zbuloi se Rusia  ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende.

Një nga këto vende ishte dhe Shqipëria.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe gazetarët i është përgjigjur pyetjes për financimet ruse në politikën shqiptare.

Rama: PS financime ruse? Nga? Apo përsëri është një rast për të ndryshuar temën. Dua t’ju kujtoj që po e trajtoni me të drejtë këtë teme sepse është rikthyer në qendër të vëmendjes pas një ripublikimi të bërë nga SHBA. Kjo nuk është një temë e re. Është një temë që kur ne e kemi trajtuar dhe e kemi ngritur, shumë prej jush, përfshirë dhe ata që sot hidhen përpjetë sepse e konsiderojnë një tjetër gur për luftën e tyre të brendshme na kanë përqeshur. Askush prej një mase të madhe, qoftë të medias, qoftë të politikës, përveç PS, nuk ka marrë përsipër të thellohet në këtë drejtim. Kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni Prokurorisë, jo mua. Drejtësia e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk i ka dhënë kurrë asnjë përgjigje. Është për të ardhur keq që sot shoh shumë që janë të tronditur, të shokuar, jo se duhet të na besonit ne kur u hap çështja, por se duhet të bënin detyrën e tyre.

11:19 – “Pensionet nuk janë rritur mjaftueshëm”, Rama i përgjigjet qytetarit: I kemi indeksuar dy herë brenda vitit

Kryeministri Edi Rama po mban një bashkëbisedim virtual me qytetarët.

Një ndër pyetjet që i ëhstë drejtuar kishte të bënte me pensionet, të cilat sipas një qytetari nuk janë rritur mjaftueshëm krahasuar me rritjen e çmimeve.

“Kjo është një çështje shumë sensitive, është një çështje e shqetësimit tonë dhe tim të përditshëm, si t’iu gjendemi më pranë pensionistëve. Sado shumë ti ngremë pensionet, asnjëherë s’mund t’i themi vetes dhe pensionistëve se kemi bërë mjaftueshëm. Por ne kemi ndërhyrë për herë të parë për të indeksuar pensionet dy herë brenda një viti. Ne kemi rritje të pensioneve. Kemi bërë dy ideksime, një në prill dhe një duke nisur nga muaji tetor në mënyrë që tu gjendemi pensionistëve për të përballuar goditjen nga inflacioni. Pensioni është rritur me mesatarisht 15 mijë lekë në krahasim me sa ishte. Çdo rritje është e nevojshme në raport me një inflacion që duhet ta themi, Shqiqpria po e mban në kontroll në raport me vendet e tjera”, tha Rama.

11:10 – Rama: Sulmi kibernetik kishte qëllim të linte pas një tokë të djegur, ishte i pasuksesshëm

Ashtu siç kishte lajmëruar ditën e djeshme, kryeministri Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook. Pyetja e parë kishte të bënte pikërisht me sulmin kibernetik nga Irani i cili shënjestroi faqet online dhe platformat qeveritare.

Pyetje: Sa e përgatitur është Shqipëria është të përballojë një sulm tjetër kibernetik? Sa të sigurta janë të dhënat tona?

Rama: Ky është një shqetësim i ri sepse ne kemi sulme të vazhdueshme prej shumë vitesh. Gjithë këto sulme të regjistruara nga institucioni që koordinon të gjithë projektin e revolucionin digjital kanë qenë sulme të pasuksesshme përgjithësisht. Ndërkohë që ky është një agresion i mirëfilltë luftarak në botën e internetit  dhe gjithë sistemeve digjitale. Agresioni kishte një qëllim shumë të qartë, zhduken të gjitha të dhënave dhe shkatërrimin e të gjitha sistemeve për të lënë një tokë të djegur nga mbrapa. Ky është konkluzioni i ekspertëve.  Sulmi nuk e ka arritur qëllimin. Dëmet janë shumë më të lehta se sa shkalla e agresivitetit. Sistemet janë kthyer në punë. Kjo luftë vazhdon.

Pyetje: Pse u sulmua Shqipëria nga Irani? Çfarë ka ndodhur me sigurinë e TIMS?

Rama: Në kushtet kur ne sulmohemi ka shumë konfuzion he ka një keqkuptim që pengon të shihet e vërteta. E vërteta është që ne kemi rezistuar me sukses ndaj sulmit. Po të shihni raportin e bërë nga ekspertiza e microsoftit dhe agjencive të specializuara të SHBA, që kanë bashkëpunuar me ne, e vërteta është që sulmi ka dështuar.  Ne kemi një plan që të përshpejtojmë projektin e ngrehinës kibernetike. Ne e kemi nisur, por kërkon një financim intensiv dhe ne e kemi fazuar në një kohë për të gjatë. Tani ka ardhur koha ta shkurtojmë kohën.

Shqipëria ra pre e dy sulmeve të njëpasnjëshme kibernetike. Nga sulmi i parë i 15 korrikut u hakuan faqet online të qeverisë dhe platforma online e-Albania, ndërsa më 9 shtator pre e sulmit ra sistemi TIM në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë.

Pas sulmve qëndronte Irani me të cilin Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.

/Abcnews.al/