Liturgjia e parë e Kryepeshkopit Joan/ Mban meshën e parë si kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale

schedule09:18 - 30 Mars, 2025

schedule 09:18 - 30 Mars, 2025

TIRANË- Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi ka mbajtur liturgjinë e parë, pas caktimit në krye të Kishë Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Shërbesa  u mbajt në Tiranë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Të shtunën,  po në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet u mbajt ceremonia e fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Joan Pelushi.

Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij grek, si dhe delegacione nga 13 Kishat Ortodokse të botës. Të pranishëm në ceremoni ishin kreu i Shtetit, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe përfaqësues nga radhët e opozitës.

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Joan Pelushi u shpreh se forcimi i unitetit brenda kishës është nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj.

Fortlumturia e tij nënvizoi se diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por jo zemrat e besimit.

“Falenderojmë dhe nderojmë martirët e lirisë që përhapën dritën e besimit në trevat ku jetojmë, një listë e gjatë të cilën do ta kujtojmë me nderim e mirënjohje. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX kisha u përball me persekutimin e egër komunist. E gjitha infrastruktura materiale e shpitërore u shkatërruar pjesërisht apo plotësisht. Kishat e shkatërruan nga themelet (…) Diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por nuk mundi të shkatërrojë zemrat e besimit. Në kohë kritike Perëndia vizitoi kishën tonë, nderoj kujtimin e paraardhësve të mi, në listën e gjatë përmend dy personalitete të shquara. Im Zot Fan Noli, ishte njeriu i duhur. Ai ishte pajisur nga perëndia me talente të jashtëzakonshme, dha kontribut për ndërgjegjësimin kombëtar. Në kohë rekord ai pajisi kishën me librat kryesorë”, tha ai.

Më tej, Kryepeshkopi shpalosi shtatë shtylla themelore të misionit të tij të ri: ruajtjen e Traditës së Shenjtë, forcimin e unitetit brenda Kishës, ruajtjen e ekuilibrit midis “Ungjillit të Mbretërisë” dhe “Ungjillit Social”, mbrojtjen e vlerave të martesës dhe të familjes, ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, inkurajimin e të rinjve për të dashur atdheun e tyre dhe për të mos e braktisur atë, si dhe kultivimin e marrëdhënieve me të gjitha Kishat dhe bashkësitë e tjera fetare.

Sinodi i Shenjtë më 16 mars me votë unanime zgjodhi Joan Pelushin si Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Ai pason në këtë post Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!