FIER– Policia e Shtetit ka kryer një operacion në qarkun e Fierit, në Tiranë dhe Dibër, në lidhje me “piramidat online”, ku shumë qytetarë kanë rënë pre e mashtrimit.
Policia theksoi se janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit ka dalë në konferencë dhe ka dhënë detajet e operacionit.
Grupi i strukturuar ka mashtruar qindra qytetarë në këto zona përmes platformave të dyshimta që funksiononin në formatin e investimeve mashtruese online, të njohura ndryshe si “firma piramidale”.
Sipas skemës, ishin paktën katër persona, që vepronin si agjentë për të joshur njerëzit, kryesisht të afërm të tyre, për të investuar fillimisht në këtë skemë piramidale dhe më pas tërhiqeshin njerëz të tjerë me fjalën e gojës dhe premtimin për fitime të shpejta.
Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hardisk, 1 automjet, 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga. Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.
Drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj, tha se u ushtruan 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online. /abcnews.al

