LIVE/ Dita e 4 e luftës, Zelensky pranon negociatat me Rusinë, Putini fut në veprim armët bërthamore

schedule20:10 - 27 Shkurt, 2022

schedule 20:10 - 27 Shkurt, 2022

Sot është dita e katërt e luftës në Ukrainë, që kur forcat ushtarake ruse hynë në vend me tanke e armë. Pushtimi rus i Ukrainës po përshkallëzohet, me Moskën që ka nisur sulme të përgjithshme për të pushtuar Kievin , në një kohë kur numri tragjik deri tani përfshin dhjetëra viktima civile.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka konfirmuar se negociatat mes Kievit dhe Moskës do të zhvillohen në kufirin Bjellorusi-Ukrainë. ” Alexander Lukashenko ka marrë përgjegjësinë që gjatë udhëtimit, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas, të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin Bjellorusi do të qëndrojnë në terren”, njoftoi zyra e presidentit Zelensky.

Putin nga ana tjetër Vladimir Putin ka urdhëruar kalimin në një regjim të veçantë shërbimi të forcave të ushtrisë që kanë kontrollin e mbushjeve bërthamore të Rusisë. Sipas agjencisë “TASS”, urdhri i Putinit ndaj këtyre forcave është dhënë pak më parë “ për shkak të deklaratave agresive nga Perëndimi”.

Më poshtë gjeni raportimin LIVE të Abcnews.al për luftën në Ukrainë:

22:01-BE i “shpall luftë” Rusisë, shtetet që mund të furnizojnë Ukrainën me avionë gjuajtës

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës pritet të intensifikohet në ditët në vijim. Ukrainasit nuk janë dorëzuar lehtë siç prisnin rusët, përkundrazi janë duke u furnizuar me sasi të mëdha armatimi nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të. Gjatë konferencës së mbrëmjes së të dielës me gazetarët, shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrel bëri edhe deklaratën e bujshme, sipas të cilit shtete të unionit do të furnizonin Ukrainën me avionë gjuajtës. Kjo përbën një ndryshim të fortë në qasjen e BE-së ndaj luftës në Ukrainë, të cilët deri më tani ishin mjaftuar me sanksione ndaj Rusisë dhe furnizim me municione dhe artileri.

21:56- Lufta në Ukrainë, Franca kalon në “aksion” për të qetësuar Rusinë

Franca do të paraqesë një rezolutë nesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të bërë thirrje për armëpushim. Pas disa thirrjesh midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe liderëve botërorë këtë fundjavë, presidenti dhe homologët e tij pranuan “nevojen për të punuar në kushtet për dërgimin e duhur të ndihmës humanitare në Ukrainë”. Rezoluta franceze do të synojë “të garantojë akses të papenguar humanitar për të përmbushur nevojat urgjente të popullsisë së mbetur në Ukrainë”, thuhet në deklaratë. Për më tepër, Franca do të bëjë thirrje për një armëpushim duke sugjeruar negociata paqësore.

21:33-E BUJSHME/ BE gati të furnizojë Ukrainën me avionë kundër Rusisë, lufta merr rrjedhë tjetër

Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell ka bërë një ndër deklaratat më të forta sa i përket qendrimit të unionit në raport me luftën në Ukrainë. Gazetarja e ABC në Bruksel, Erissa Zykaj raporton se ndër të tjera, Borrel tha se BE është gati t’i ofrojë Ukrainës edhe avionë gjuajtës nëse do të jetë nevoja, jo vetëm municione për avionët.

21:18-Lufta, paralajmëron Borrell: Duhet të jemi vigjilentë për impaktin e krizës në Ballkan

Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell ka shprehur hapur shqetësimin e Bashkimit Europian për rrjedhojat e krizës së agresionit rus në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor. Borrell është shprehur gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp në Bruksel në përfundim të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, se BE-ja i frikësohet impaktit në Ballkanin Perëndimor që mund të ketë agresioni rus në Ukrainë.

21:11-BE “hyn në luftë” me Rusinë për agresionin në Ukrainë: Sanksionet e reja

Bashkimi Europian “hyn në luftë” me Rusinë për agresionin në Ukrainë. Shtetet anëtare të kësaj organizate ndërmarrin hapa që ishin të paimagjinueshëm vetëm disa ditë më parë.

1. Bashkimi Europian do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve të tjera ushtrisë në Ukrainë.
2. Bashkimi Europian mbyll hapësirën ajrore të BE-së për çdo avion rus, duke përfshirë avionët privatë të oligarkëve.
3. – Bashkimi Europian do të ndalojë makinën mediatike të Kremlinit në BE.
4. Bashkimi Europian përjashton disa bankat ruse nga sistemi SWIFT.

Eshtë hera e parë që Bashkimi Europian furnizon me armë një vend nën agresion ushtarak. “Por jemi në kohë të jashtëzakonshme” është shprehur përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrel në një konferencë për shtyp në Bruksel. Ai ka anonçuar, se ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian arritën konsensus për paketën e tretë të sanksioneve kundër regjimit të Rusisë dhe regjimit të Lukashenkos

20:51-Turqia sinjalizon se mund të bllokojë anijet luftarake të Rusisë në Detin e Zi

Turqia ka thënë se do të zbatojë kushtet e një marrëveshjeje ndërkombëtare që mund ta bëjë atë të bllokojë hyrjen në Detin e Zi për Marinën Ruse. Sipas Konventës së Montreux të vitit 1936, Turqia ka kontroll mbi dy ngushticat që lidhin Detin e Zi, i cili ndodhet në bregun jugor të Ukrainës, me Mesdheun.

20:01-Nesër takimi Rusi-Ukrainë, ky do jetë qyteti ku do vendoset për “fatin” e luftës

Gomel quhet qyteti i Bjellorusisë ku do të takohen nesër delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës për të negociuar për fundin e luftës.

19:45-Momenti kur droni shkatërron sistemin raketor rus, ushtria ukrainase nxjerr videon

Një dron ka shkatërruar një sistem raketor rus. Pamjet i ka publikuar ministria e Mbrojtjes në Ukrainë ku tregon sulmin e suksesshëm Tb2 kundër një sistemi raketor rus në rajonin Zhytomyr.

Prej 4 ditësh vijojnë luftimet në Ukrainë pasi Rusia ndërmori një sulm ushtarak për ta pushtuar. Vladimir Puti, ka urdhëruar ushtrinë ruse që të vendosë forcat e saj bërthamore në “gatishmëri të veçantë”. Ky është niveli më i lartë i gatishmërisë i Forcës Raketore Strategjike të Rusisë. Ai thotë se kjo është kundërpërgjigje ndaj “agresionit” të NATO-s. Kjo lëvizje nuk do të thotë se Rusia synon të përdorë armët bërthamore.

19:45-Presidenti ukrainas s’do jetë pjesë e delegacionit që do bisedojë me Rusinë

Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova kka bërë me dije për CNN se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk do të jetë” pjesë e delegacionit që merr pjesë në bisedimet me Rusinë ditën e nesërme. “Zelensky është në Ukrainë për të mbrojtur vendin”, ka thënë ajo.

19:15- Avioni rus mbetet në ajër, bën prapakthehu pas vendimit të BE-së dhe Kanadasë

Më shumë se 17 vende Evropianë kanë mbyllur hapësirën ajrore për Rusinë pasi kjo e fundit prej 4 ditësh ka vijuar luftën në Ukrainë.Të fundit që kanë bllokuar hapësirën ajrore kanë qenë BE dhe Kanadaja.Për shkak të këtyre vendimeve të papritura një avion rus ka mbetur në ajër dhe është kthyer pas, sipas flightradar24. Tetë vende të tjera evropiane, ndërsa gjithsej 18, kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë për shkak të sulmit të armatosur të Rusisë ndaj Ukrainës

19:07-Gjiganti britanik i naftës tërheq 19.75% të aksioneve nga firma shtetërore ruse Rosneft

Gjigandi i naftës BP do të tërheqë 19.75% të aksioneve në firmën shtetërore ruse të naftës, Rosneft. Lajmin e bëri të ditur kompania në një deklaratë. “Bordi njofton sot se BP do të tërhiqet nga aksionet e saj në Rosneft. Kompania ka aksione prej 19.75% në Rosneft që nga viti 2013.” Po ashtu, bëhet e ditur se shefi Ekzekutiv Bernard Looney gjithashtu do të japë dorëheqjen menjëherë nga bordi i Rosneft. Kompania britanike është  përballur me thirrje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të shkarkuar aksionet e saj të pronësisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

18:58: Nesër takimi Rusi-Ukrainë për luftën, Zelensky: Nuk pres shumë, por le ta provojmë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një deklaratë të shkurtër ka thënë se se nuk pret shumë nga takimi midis delegacioneve ukrainase dhe ruse  që dp të zhvillohet ditën e nesërme në lidhje me situatën e luftës. “Do të them sinqerisht, si gjithmonë: nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le të provojnë. Në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshim se unë, si president, nuk u përpoqa ta ndaloja luftën kur ekzistonte qoftë edhe një shans i vogël”, tha Zelensky. “Dhe ndërsa djemtë tanë janë atje, presidenti është këtu, shefi i shtabit është këtu, kryeministri është këtu, ushtria është këtu, komandanti i përgjithshëm është këtu. Të gjithë do të mbrojmë shtetin dhe kufijtë tanë”, shtoi ai. Më herët të dielën, zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin tha se bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen të hënën në mëngjes sipas orës lokale.

18:36-Shqipëria, sanksione Rusisë: Ngrin asetet e udhëheqësve rusë, mbyllet hapësira ajrore, 654 individë në “listën e zezë”

Qeveria shqiptare ka prezantuar sot sanksionet ndaj Rusisë, e cila prej disa ditësh ka pushtuar Ukrainën. Sanksionet janë prezantuar nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe prekin 654 individë dhe 52 subjekte. Xhaçka, deklaroi të dielën në mbrëmje se Shqipëria do të zbatojë kufizime për 654 individë dhe 52 subjekte për ngrirjen e aseteve të individëve nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse, pas vendimeve që ata morën lidhur me njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare të Donjeckut dhe Luhanskut si entitete të pavarura. Në kuadrin e sanksioneve që qeveria shqiptare ka marrë ndaj Rusisë, është edhe mbyllja e hapësirës ajrore në territorin tonë për të gjithë operatorët rusë.

18:19-VIDEO/ Rezistencë e fortë, ukrainasit iu dalin para tankeve ruse, i detyrojnë të ndryshojnë rrugë

Ukrainasit nuk dorëzohen. Shumë prej tyre kanë vendosur që ta mbrojnë vendin e tyre edhe me trup. Teksa tanket ruse vazhdojnë të hyjnë në territorin e Ukrainës në përpjekje për të sulmuar e pushtuar vendin, ata  janë përballur me një rezistencë të fortë nga ana e qytetarëve ukrainas.

18:05: Nesër negociatat, raketa Iskander lëshohet nga Bjellorusia në drejtim të Ukrainës

Negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës në pikëpyetje? Ukraina bëri të ditur pasditen e së dielës se do të takohej me palën ruse në orët e para të së hënës dhe se deri atëherë udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko ishte zotuar se asnjë avion, helikopter apo raketë nuk do të lëshohej nga toka bjelloruse. Megjithatë, të paktën sipas palës ukrainase, nuk po ndodh kështu. Një këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, raporton BBC, ka thënë se një raketë Iskander është lëshuar nga Bjellorusia në Ukrainë pak pas orës 17:00 të së dielës.

17:52: BE masa shtesë kundër Rusisë: Blihen armë për t’u dërguar në Ukrainë, shtohen sanksionet për Kremlinin

Bashkimi Evropian ka bërë publike të dielën pasdite masa të tjera ndëshkuese për Rusinë ndërsa u njoftua gjithashtu se blloku po financon blerje armësh të cilat do të dërgohen në Ukrainë. Lajmin e bëri të ditur në një konferencë për mediat Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Kjo është hera e parë që blloku financon mbështetje ushtarake për një shtet që ndodhet nën sulm.

Von der Leyen njoftoi gjithashtu se transmetimi i mediave shtetërore Russia Today dhe Sputnik do të ndalohet në BE.

 “Ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon dhe ukrainasit luftojnë me guxim për vendin e tyre, Bashkimi Evropian rrit edhe një herë mbështetjen e tij për Ukrainën dhe sanksionet kundër agresorit – Rusisë së Putinit.”

Presidentja e KE bëri po ashtu të ditur se hapësira ajrore e BE-së do të mbyllet për avionët me  pronësi ruse, të regjistruara ose të kontrolluara nga Rusia. Ata nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së. Nga rregulli nuk përjashton as avionët privatë të oligarkëve të vendit.

17:35: Ministri turk: ​​Turqia e njeh pushtimin rus në Ukrainë si luftë

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavusoglu tha të dielën se Turqia e njeh pushtimin e Rusisë në Ukrainë si një “luftë”.

“A është ky një konflikt apo një luftë? Ne vendosëm për këtë. Neni 19 i Konventës së Montreux është shumë i qartë. Kjo është një luftë”, tha ai në një intervistë të për CNN Turk.

Njohja e Turqisë është e rëndësishme për zbatimin e Konventës së Montreux të vitit 1936 që rregullon kalimin detar nëpër ngushticat turke.

Dje Turqia tha se ende nuk kishte marrë një vendim në lidhje me mbylljen e ngushticave të saj midis Mesdheut dhe Detit të Zi për kalimin e anijeve luftarake ruse pavarësisht një pretendimi të mëparshëm nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, shkruan The Guardian.

Sipas The Guardian një zyrtar turk tha se ende nuk është marrë një vendim për të bllokuar anijet luftarake ruse në Detin e Zi. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, do të shkelte konventën e shteteve në Detin e Zi, që anijet luftarake mund të kthehen në porte gjatë luftës.

17:01: Spanja ndëshkon Rusinë, mbyll hapësirën ajrore

Spanja i është bashkuar vendeve të tjera Europiane, të cilat kanë mbyllur hapësirën ajrore për fluturimin rus. Ministria Spanjolle e Transportit në një reagim ne rrjete sociale bëri me dije se kjo masë është marrë në bashkëpunim me BE-së.

“Spanja do të vazhdojë të mbyllë hapësirën e saj ajrore për fluturimet ruse. Në përputhje me direktivat e bashkëpunimit të rënë dakord nga BE -ja , kjo masë do të prekë fluturimet e operuara nga linjat ajrore ruse që përdorin hapësirën ajrore spanjolle”, shkruhet në reagim.

16:36: Protesta kundër luftës në Ukrainë, qindra të arrestuar në Rusi

Mbi 900 qytetarë që protestojnë kundër luftës në Ukrainë, janë arrestuar nga policia  në 44 qytete në Rusi.

Që kur filluan protestat katër ditë më parë, numri i  të arrestuarve kundër luftës në Rusi shkon në mbi 4,000 . Protestat sot në Rusi përkojnë me përvjetorin e shtatë të vrasjes së politikanit opozitar, kritikut të Putin, Boris Nemetsov.

Një nga vendet më të mëdha ku është protestua, është Shën Petersburg-u. Siç shihet në pamje te publikuara, policia përplaset me protestuesit dhe i shoqëron ato. Demonstruesit në Moskë janë arrestuar sot në një memorial të improvizuar pranë vendit të Kremlinit ku u qëllua Nemtsov.

Një nga vendet më të mëdha të demonstratave është në Shën Petersburg , ku fotografitë tregojnë policinë duke ndaluar disa nga disa mijëra protestues që janë mbledhur në qendër të qytetit. Aktivistët kanë thënë se nga 24 deri më 26 shkurt, më shumë se 3,000 rusë u arrestuan për protestat, në të cilat kundërshtonin luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

15:56: Kërcënimi i Putin me forcat bërthamore, Stoltenberg: E rrezikshme, aleatët perëndimorë të qëndrojnë së bashku

Retorikë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme e ka konsideruar NATO vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për të vënë në gatishmëri forcat e tij bërthamore në luftën ndaj Ukrainës.

“Kjo është një retorikë e rrezikshme. Kjo është një sjellje e papërgjegjshme”, tha sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, raportoi CNN.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa duhet “të qëndrojnë vërtet së bashku” në përgjigje të agresionit ushtarak të Rusisë dhe “retorikës kërcënuese”, tha Stoltenberg, duke shtuar se aleanca “nuk dëshiron luftë”.

NATO nuk dëshiron luftë me Rusinë, ne nuk kërkojmë konfrontim”, tha ai për BBC. “Ne jemi (një) aleancë mbrojtëse, por duhet të sigurohemi që të mos ketë vend për keqkuptime, llogaritje të gabuara në lidhje me aftësinë tonë për t’u mbrojtur dhe për t’i mbrojtur aleatët“.

NATO do të vendosë forcën e saj të reagimit të shpejtë për herë të parë për të forcuar krahun e saj lindor përballë pushtimit rus të Ukrainës. SHBA dhe Evropa “duhet të qëndrojnë vërtet së bashku… ndaj veprimeve agresive të Rusisë kundër Ukrainës, por edhe retorikës kërcënuese që vjen nga Moska”, tha Stoltenberg.

“Kjo është pikërisht ajo që ne bëjmë duke forcuar praninë ushtarake të NATO-s në lindje.” Stoltenberg tha se Rusia “po kryente një pushtim ushtarak në shkallë të plotë të një kombi sovran dhe paqësor” dhe se nuk kishte “asnjë dyshim” se presidenti Vladimir Putin ishte përgjegjës.

15:41: Kërcënimi i Putin, reagojnë NATO dhe SHBA

Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur urdhrit të Presidentit Putin për vendosjen e forcave bërthamore të Rusisë në një gjendje gatishmërie “të veçantë”.
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, e quajti lëvizjen “të papranueshme”, shkruan BBC.

Kjo do të thotë se presidenti Putin po vazhdon të përshkallëzojë këtë luftë në një mënyrë që është krejtësisht e papranueshme dhe ne duhet të vazhdojmë t’i frenojmë veprimet e tij në mënyrën më të fortë të mundshme,” tha ajo.

Ndërsa sekretarja e NATO, Jehn Psaki, thotë se në asnjë moment Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s. Putin fajësoi liderët e NATO-s se lejuan të bëhen “deklarata agresive” kundër Rusisë.

Por Psaki tha se ishte një përgjigje e njohur nga presidenti rus. “Ne e kemi parë atë të bëjë këtë herë pas here. Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, nuk ka qenë Rusia nën kërcënim nga Ukraina,” tha ajo.

“E gjithë kjo është një model i Presidentit Putin dhe ne do t’i rezistojmë.  Ne kemi aftësinë të mbrohemi, por gjithashtu duhet të thërrasim atë që po shohim këtu nga presidenti Putin”, shkruan BBC.

Shefi i NATO, Jens Stoltenberg tha për CNN tha se “kjo është retorikë e rrezikshme”

Duke folur në një takim me zyrtarët e tij të lartë, Putin pohoi se fuqitë udhëheqëse të NATO-s kishin bërë “deklarata agresive” së bashku me Perëndimin që vendosi sanksione të rënda financiare kundër Rusisë, duke përfshirë edhe vetë presidentin.

Alarmi do të thotë se Putini ka urdhëruar që armët bërthamore të Rusisë të përgatiten për gatishmëri të shtuar për t’u lëshuar. Ai i tha ministrit rus të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që të vendosin forcat e parandalimit bërthamor në një regjim të veçantë të detyrës luftarake”.

Më herët Vladimir Putin urdhëroi kalimin në një regjim të veçantë shërbimi të forcave të ushtrisë që kanë kontrollin e mbushjeve bërthamore të Rusisë.

Sipas agjencisë “TASS”, urdhri i Putinit ndaj këtyre forcave është dhënë pak më parë “ për shkak të deklaratave agresive nga Perëndimi”.
Presidenti rus Vladimir Putin, në përgjigje të deklaratave agresive në Perëndim, udhëzoi transferimin e forcave të parandalimit në ushtrinë ruse në një mënyrë të veçantë shërbimi, raporton abcnews.al.

“Zyrtarët e lartë të vendeve kryesore të NATO-s po bëjnë gjithashtu deklarata agresive kundër vendit tonë, prandaj urdhëroj Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RF] të ngrënë forcat parandaluese të ushtrisë ruse në një regjim special”, tha Putin të dielën në një takim në Kremlin me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse Valery Gerasimov, sipas TASS.

Gjithçka ndodh teksa Rusia po pëson humbje të mëdha në Ukrainë dhe vendi është izoluar tërësisht nga Perëndimi përmes sanksioneve të shumta.

15.40: VIDEO/ Rusia nuk kalon! Ukrainasi për ABC: Mijëra në radhë për armë kundër ushtrisë së Putinit

Ndërkohë që rusët i janë afruar kryeqytetit të Ukrainës, mijëra burra dhe gra të Kievit dhe qyteteve të tjera janë duke u armatosur për t’i bërë ballë ushtrisë pushtuese.

Mediat ndërkombëtare raportojnë për radhë të gjata në qendrat e rekrutimit në Kiev, ndërsa gjatë ditës së djeshme ushtria raportoi se deri më tani ishin regjistruar 37 mijë vullnetarë.

Banorët e qyteteve kryesore ukrainase janë duke u vetëorganizuar për të luftuar kundër rusëve duke marrë armë, kokteje molotov, ndërkohë që kanë bërë gati edhe barrikadat për tanket dhe mjetet e blinduara, raporton abcnews.al.

E njëjta gjë po ndodh në të gjitha qytetet e Ukrainës Adrjan Jedjenko thotë ekskluzivisht për ABC se qendrat e rekrutimit janë mbushur edhe në zonat përreth qytetit perëndimor të Lvivit.

Ushtria ukrainase raportoi për 4 300 rusë të vrarë deri sot në mëngjes si edhe më shumë se 100 tanke të shkatërruar, krahas mjeteve të tjera të blinduara. Nga pala ruse nuk ka të dhëna mbi humbjet. Në çdo rast, një nivel i tillë humbjesh për rusët në ditët e para të sulmit është tepër i madh.

14:51 – Ukraina pranon negociatat me Rusinë në kufi me Bjellorusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka konfirmuar se negociatat mes Kievit dhe Moskës do të zhvillohen në kufirin Bjellorusi-Ukrainë. “Rezultati i një bisede me Alexander Lukashenko. Ne ramë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me rusët pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorusi, në zonën e lumit Pripyat.

Alexander Lukashenko ka marrë përgjegjësinë që gjatë udhëtimit, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas, të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin Bjellorusi do të qëndrojnë në terren”, njoftoi zyra e presidentit Zelensky.

14:41 – Ukrainasit që jetojnë jashtë vendit rikthehen për të luftuar: Nëse jo ne, kush tjetër?!

Teksa shumë ukrainas largohen nga vendi për t’i shpëtuar luftës, edhe shumë të tjerë po kthehen në vend për të luftuar kundër Rusisë. Roja kufitare e Polonisë tha të dielën se rreth 22 mijë qytetarë kanë hyrë në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Në pikën e kontrollit në Medyka, në Poloninë juglindore, shumë persona ishin po qëndronin në rresht herët të dielën për të kaluar në Ukrainë. “Ne duhet të mbrojmë atdheun tonë. Kush tjetër, nëse jo ne?” tha një burrë teksa qëndronte përpara një grupi prej rreth 20 shoferësh kamionësh ukrainas që po ecnin drejt pikës së kontrollit.

14:31 – Putini fut në veprim armët bërthamore, Rusia kërcënon njerëzimin

Përshkallëzohet edhe më tepër situate për shkak të sulmit rus mbi Ukrainën. Vladimir Putin ka urdhëruar kalimin në një regjm të veçantë shërbimi të forcave të ushtrisë që kanë kontrollin e mbushjeve bërthamore të Rusisë.

Sipas agjencisë “TASS”, urdhri i Putinit ndaj këtyre forcave është dhënë pak më parë “ për shkak të deklaratave agresive nga Perëndimi”.

14:08 – Rusët lenë kockat në periferi të Kievit, pamje dramatike nga beteja

Ushtria ruse është duke bërë një përpjekje për të rrethuar dhe marrë kryeqytetin e Ukrainës duke nisur forca të shumta nga veriu edhe përmes Bjellorusisë.

Aktualisht forcat ruse gjenden 50 kilometra nga Kievi, ndërsa sot në mëngjes janë raportuar luftime të ashpra në qytezën Bucha, ku sipas të dhënave nga terreni rusët kanë pësuar humbje të mëdha.

13:58 – Kryebashkiaku i Kievit: Nuk ka trupa ruse në kryeqytet

Kryebashkiaku i kryeqytetit të Ukrainës, Kiev Vitali Klitschko ka deklaruar se nuk ka trupa ruse në qytet. Sipas BBC, qytetarët e Kievit janë urdhëruar që të qëndrojnë brenda deri të hënën, me paralajmërime nga autoritetet se kushdo që del jashtë “do të konsiderohet anëtar i grupeve sabotuese të armikut”.

Kathy Long tha për BBC se e diela zbardhi e ftohtë dhe e qetë në Kiev, ndërsa policia, ushtria dhe vullnetarët e armatosur ishin të vetmit njerëz që dukeshin në rrugë. Forcat ruse thuhet se janë vendosur në periferi të qytetit që nga e premtja.

13:44 – VIDEO/ Rusia nuk kalon! Mijëra ukrainas në radhë për armë kundër ushtrisë së Putinit

Ndërkohë që rusët i janë afruar kryeqytetit të Ukrainës, mijëra burra dhe gra të Kievit dhe qyteteve të tjera janë duke u armatosur për t’i bërë ballë ushtrisë pushtuese.

Mediat ndërkombëtare raportojnë për radhë të gjata në qendrat e rekrutimit në Kiev, ndërsa gjatë ditës së djeshme ushtria raportoi se deri më tani ishin regjistruar 37 mijë vullnetarë.

Banorët e qyteteve kryesore ukrainase janë duke u vetëorganizuar për të luftuar kundër rusëve duke marrë armë, kokteje molotov, ndërkohë që kanë bërë gati edhe barrikadat për tanket dhe mjetet e blinduara, raporton abcnews.al.

13:43- Zelensky bisedon me liderin bjellorus Alexander Lukashenko

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ka folur me liderin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, por nuk ka dhënë asnjë detaj se çfarë është diskutuar. Rusia më herët tha se një delegacion kishte mbërritur në Bjellorusi, për bisedime me Ukrainën.

Por Zelensky e hodhi poshtë ofertën duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

13:31 – Lufta në Ukrainë, Papa Françesku: Lërini armët të “heshtin”, Zoti është me ata që kërkojnë paqen

Papa Françesku ka bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Sipas BBC, duke folur në sheshin e Shën Pjetrit, ai tha: “Lërini armët të heshtin. Zoti është me ata që kërkojnë paqen, jo me ata që përdorin dhunën.”

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për “korridore” humanitare për të ndihmuar refugjatët të largohen nga Ukraina.

13:14 – Diktatorët bëhen bashkë, Bjellorusia i bashkohet Rusisë në agresionin ndaj Ukrainës

Mediet ndërkombëtare raportojnë  se Bjellorusia do ti bashkohet Rusisë në  sulmin ndaj Ukrainës. Burime të besueshme në Bjellorusi raportojnë se forcat speciale të Bjellorusisë po hipin në aeroplanë për sulme ajrore në Kiev dhe Zhytomir.

13:07 – Pas hyrjes së tankeve ruse, Ukraina merr sërish nën kontroll qytetin e dytë më të madh

Forcat ukrainase kanë rifituar kontrollin e qytetit kyç Kharkiv, ka thënë guvernatori rajonal. Në një postim në Telegram, Oleh Synyehubov tha: “Kontrolli mbi Kharkiv është plotësisht i yni.

“Forcat e armatosura, policia dhe forcat e mbrojtjes po punojnë dhe qyteti po pastrohet plotësisht nga armiku”. Trupat ruse mundën të hynin brenda natës në qytet, i dyti më i madh në Ukrainë.

13:00 – Rusia i jep ultimatum Ukrainës për bisedime në Bjellorusi

Rusia i jep ultimatum Ukrainës për bisedime në Bjellorusi Rusia u ka dhënë zyrtarëve ukrainas një afat kohor deri në orën 15:00 të dielën për të vendosur nëse do të takohen për bisedime në Bjellorusi, raporton CNN.

Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus dhe ndihmës i presidentit Vladimir Putin, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti se do të qëndrojnë deri në atë kohë dhe do të presin për përgjigje.

13:00 – “Ndaloni urgjentisht ushtrinë e Putin”, Zelensky kërkon ndihmë nga Gjykata e Hagës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se vendi i tij ka paraqitur një padi kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ndërsa po kërkon nga paneli i saj i gjyqtarëve që të urdhërojë urgjentisht ndalimin e pushtimit nga Kremlini.

“Ukraina ka paraqitur një padi kundër Rusisë në Gjykatën e Hagës. Rusia duhet të mbajë përgjegjëse për manipulimin e nocionit të gjenocidit për të justifikuar agresionin. Ne kërkojmë një vendim urgjent që urdhëron Rusinë të ndërpresë aktivitetin ushtarak tani dhe presim që gjyqet të fillojnë javën e ardhshme”, shkruan presidenti ukrainas në Twitter.

12:50 –Momenti nga përleshja mes ushtrisë ukrainase dhe ruse

Ndërsa trupat ruse kanë hyrë që prej mëngjesit të sotëm në qytetin e dytë më të madhe të Ukrainës, Kharkiv, në rrjete sociale kanë qarkulluar pamje nga përleshja mes ushtrisë ruse dhe asaj ukrainase. Një video, e verifikuar nga BBC, tregon një grup ushtarësh ukrainas që fshihen pas një muri, ndërsa njëri lëshon raketa.

Që nga viti 2019, ushtarëve rusë u është ndaluar përdorimi i telefonave inteligjentë gjatë detyrës, pasi përdorimi i tyre në rrjetet sociale ngriti çështje të sigurisë kombëtare. Por ndërsa luftimet vazhdojnë, imazhet e shpërndara nga forcat ukrainase na japin një pamje të asaj që po ndodh në terren.

12:47 – Ish-presidenti ukrainas me anti-plumb, rreshtohet krah ushtarëve: Do mbrojmë vendin

Ish-presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko është parë mes qytetarëve në Kiev i veshur me uniformë ushtarake. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Poroshenko tha se situata në Ukrainë mbetet e tmerrshme teksa Rusia po rrethon kryeqytetin.

“Ne jemi në qendër të Kievit për të mbrojtur Ukrainën”, tha Poroshenko i cili shfaqet i veshur me jelek anti-plumb. Ai tha se forcat ruse ishin pak më shumë se 2 km larg prej vendit ku ai ndodhet. “Kjo është shumë e vështirë të shpjegohet. Çfarë do të thotë në shekullin e 21-të, në mes të Evropës, të zgjohesh nga sulmi me raketa ruse, nga sulmi ajror rus?” ai shtoi.

12:41 – Frikë nga lufta, mbi 360 mijë ukrainas braktisin vendin

BBC ka publikuar shifra të reja për numrin e ukrainasve që janë larguar nga vendi që pas nisjes së luftës. Sipas UNHCR-së, numri i qytetarëve që janë larguar nga Ukraina ka arritur në 368,000.

Mbi 150 mijë ukrainas kanë kaluar kufirin me Poloninë që nga fillimi i konfliktit, ndërsa më shumë se 43 mijë kanë gjetur strehë në Rumani.

Sot është dita e katërt e luftës në Ukrainë, që kur forcat ushtarake ruse hynë në vend me tanke e armë. Pushtimi rus i Ukrainës po përshkallëzohet, me Moskën që ka nisur sulme të përgjithshme për të pushtuar Kievin , në një kohë kur numri tragjik deri tani përfshin dhjetëra viktima civile.

12:27 – Mbi 210 ukrainas të vrarë, midis tyre një fëmijë, Ukraina padi Rusisë për krime lufte

Qeveria ukrainase ka njoftuar se në katër ditë luftë me Rusinë janë vrarë më shumë se 210 civilë, ndërsa janë plagosur mbi 1,100, ndërsa paralajmëron se do çojë çështjen në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Me mizori të paparë, armiku po shkatërron ndërtesat e banimit, spitalet, kopshtet dhe shkollat, duke u hequr të drejtën për të jetuar djemve dhe vajzave të tokës ukrainase, përfshirë fëmijët”, kamë shkruar zyrtarët ukrainas në rrjetet sociale.

11:07 – VIDEO/ Rusia ka krematoriume të lëvizshme për të djegur ushtarët e vdekur

Rusia ka krematoriume të lëvizshme në arsenalin e saj për të djegur ushtarët e vdekur.

Sipas Telegraph , Ministria Britanike e Mbrojtjes, e cila publikoi një video që duken kamionët e krematoriumeve, pretendon se Rusia mund të përdorë krematoriumet e lëvizshme për të fshehur numrin e viktimave në luftën me Ukrainën.

11:01 – Putin falënderon forcat speciale ruse: Po shërbejnë në emër të atdheut tonë të madh

Presidenti rus Vladimir Putin ka falënderuar forcat speciale ruse duke deklaruar se ata po përmbushin heroikisht detyrën e tyre ushtarake në Ukrainë. Në një fjalim televiziv që u publikua në faqen e internetit të Kremlinit, Putin përshëndeti shërbimin e tyre në emër të popullit të Rusisë dhe “atdheut tonë të madh”, theksoi ai.

“Dua të falënderoj komandën, personelin e forcave operacionale, veteranët e njësive të forcave speciale për besnikërinë e tyre ndaj betimit, për shërbimin e tyre pa asnjë të metë në emër të popullit të Rusisë dhe atdheut tonë të madh”, deklaroi Putin.

10:45 – S’kanë fund ndëshkimet për Putin, pezullohet nga federata e xhudos

Federata Ndërkombëtare e Xhudos i ka hequr Vladimir Putin titullin si president nderi dhe ambasador i xhudos, si ndëshkim për ofensivën ushtarake ruse në Ukrainë.

“Putin është rrip i zi i xhudos”, shkruan BBC. Vendimi vjen si pjesë e sanksioneve sportive që janë marrë kundër Putin për sulmit në Ukrainë

10:38 – Zelensky bën thirrje që Rusia të “zhvishet” nga e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit në OKB

Presidenti ukrainas  Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që Rusisë t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit në OKB. BBC shkruan se ai u shpreh se veprimet kriminale të Rusisë në Ukrainë janë në prag të një gjenocidi.

Rusia (dhe para saj BRSS) është një nga pesë vendet që prej vitit 1945 ka qenë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke i dhënë asaj të drejtë të fuqishme vetoje mbi çdo rezolutë që shqyrtohet nga ky organ.

Të premten në darkë Rusia përdori të drejtën e vetos për të bllokuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit e cila dënonte agresionin e Moskës duke kërkuar tërheqjen e saj nga Ukraina.

10:29 – Sekretarja e jashtme britanike: Lufta mund të jetë fillimi i fundit për Putin

Sulmi ushtarak në Ukrainë mund të jetë fillimi i fundit për presidentin rus Vladimir Putin. Kështu ka deklaruar sekretarja e Jashtme e mbretërisë së Bashkuar Lizz Truss.

Duke folur për Trevor Phillips në Sky News Truss u shpreh se “po shohim rezistencë të fortë dhe të guximshme ukrainase dhe Mbretëria e Bashkuar dhe do të vazhdojë t’i përkrahë ata me armë dhe mbështetje ekonomike”.

Ajo tha se beson se Putin po bën një gabim strategjik duke pasur parasysh dëmin që sanksionet perëndimore mund t’i shkaktojnë ekonomisë ruse.

10:14 – Më shumë se 200 mijë ukrainas janë larguar nga vendi në tre shtete të tjera që pas nisjes së luftës

BBC ka publikuar shifra të reja për numrin e ukrainasve që janë larguar nga vendi që pas nisjes së luftës. Autoritetet sllovake kanë deklaruar se brenda 24 orëve rreth 10 mijë qytetarë hynë në vendin e tyre në tre pika nga Ukraina.

Kjo është një shifër pothuajse 10 herë më e madhe se ajo normale. Më shumë se 43 mijë qytetarë ukrainas janë larguar drejt Rumanisë në tre ditët e fundit ndërkohë që më shumë se 150 mijë të tjerë kanë hyrë në Poloni.

10:01 – VIDEO/ Digjet depoja e naftës afër Kievit, rrezik për tym toksik

Raketat ruse kanë goditur qytetin ukrainas të Vasylkiv në jugperëndim të kryeqytetit, Kiev, duke i vënë flakën një refinerie nafte, tha kryetari i bashkisë së qytetit sot, shkruan BBC.

“Armiku dëshiron të shkatërrojë gjithçka përreth”, tha Natalia Balasinovich në një video të postuar në internet.

Fotografitë dhe videot e postuara në rrjete tregojnë flakët e mëdha të zjarrit dhe tymin e zi, ndërsa autoritetet paralajmëruan banorët që të jenë në gatishmëri për tym toksik.

09:58 – Udhëheqësi i Bjellorusisë i kërkon Ukrainës të pranojë ofertën ruse për bisedime

Lideri i Bjellorusisë i ka kërkuar Kievit të pranojë ofertën e Rusisë për bisedime. Alexander Lukashenko i bëri thirrje Kievit të dielën që të ulet dhe të zhvillojë bisedime me Rusinë.

Rusia tha më herët se delegacioni i saj ishte gati të takohej me homologët ukrainas në qytetin bjellorus të Gomel. Kievi refuzoi duke deklaruar se Bjellorusia ishte bashkëpunëtoret në pushtimin rus dhe nuk mund të konsiderohet ndërmjetës neutral.

09:49 – Evropa kundër Putin, Finlanda dhe Irlanda bllokojnë fluturimet ruse

Finlanda dhe Irlanda kanë njoftuar gjithashtu se do të bllokojnë fluturimet për avionët rusë. BBC shkruan se nuk dihet ende se kur do të hyjnë në fuqi masat. Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë.

Vende të tjera si Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Polonia dhe Britania e Madhe kanë marrë tashmë vendime të ngjashme për ndalim fluturimesh me Rusinë. Moska, nga ana e saj, ka ndaluar gjithashtu avionët nga disa vende të fluturojnë mbi territorin e saj.

09:39 – Ushtria ukrainase përgatit për luftë qytetarët: Hiqni sinjalistikat dhe bllokoni rrugët gjatë natës

Ushtria ukrainase ka shpërndarë një udhëzim për qytetarët ukrainas në lëvizjen e tyre të rezistencës. Sipas BBC ajo u bën apel atyre të përdorin të gjitha mënyrat dhe mjetet e nevojshme për të luftuar. “Pavarësisht nëse keni armë ose municione ose jo, ju duhet të përdorni të gjitha mënyrat dhe mjetet që ju gjenden për të luftuar”, thuhet në deklaratë. Udhëzimi i sugjeron atyre të sajojnë mjete mbrojtëse në rast sulmi, në kushte shtëpie.

  • Hiqni tabelat rrugore
  • Rrëzoni pemët për të bërë të pamundur lëvizjen
  • Përdornin pajisje shpërthyese të bëra në shtëpi
  • Shkatërroni qendrat kryesore të transportit
  • Punoni më shumë gjatë natës ose muzgut

09-12: Rusia fton Ukrainën për bisedime në Bjellorusi, Zelensky nuk e pranon ofertën

Autoritet ruse pretendojnë se në Bjellorusi ka arritur një delegacion , që sipas tyre është i hapur për bisedime me Ukrainës.

Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e ka refuzuar ofertën, duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

09:07 – Ukraina rrëzon një raketë që synonte Kievin, ishte nisur nga Bjellorusia

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko njoftoi se forcat ajrore ukrainase kanë rrëzuar një raketë që po i drejtohej Kievit, e cila sipas tyre ishte nisur nga territori bjellorus.
“Pak minuta më parë, Forcat Ajrore të Ukrainës rrëzuan një raketë lundrimi të lëshuar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, nga një bombardues TU-22 nga territori i Bjellorusisë. Ky është një tjetër krim lufte i kryer kundër Ukrainës dhe popullit të saj”, shkruan në Twitter Nikolenko.

08:53- Presidenti ukrainas fton të huajt të luftojnë “kriminelët rusë të luftës”

Autoritet zyrtare të Kievit kanë deklaruar se po krijojnë një legjion “ndërkombëtar” për të huajt që dëshirojnë të dalin vullnetarë në mbështetje të Ukrainës.

“Kjo do të jetë prova kryesore e mbështetjes suaj për vendin tonë. Kushdo që dëshiron të bashkohet me mbrojtjen e Ukrainës, Evropës dhe botës mund të vijë dhe të luftojë krah për krah me ukrainasit kundër kriminelëve rusë të luftës,” vuri në dukje presidenti Volodymyr Zelensky në një deklaratë të lëshuar pikërisht  për “legjionin e huaj” të ri të Ukrainës.

08:37 – Ministri i Ukrainës: Bota nuk besoi se do i rezistonim luftës kështu

Ndërsa ukrainasit zgjohen në ditën e katërt të luftës, ministri i mbrojtjes i vendit po i  kërkon botës të forcojë mbështetjen e saj për Ukrainën.
Në një postim në Twitter, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov shkruan se vendi “72 orë rezistencë të vendit” i ka dëshmuar botës se është e mundur të zmbrapset agresioni rus.

“72 orë rezistencë! Bota nuk besonte se ne do rezistonim kështu Bota dyshoi. Por ne nuk qëndruam vetëm në këmbë, ne vazhdojmë me besim të luftojmë me pushtuesin rus! Ne i treguam botës , mos kini frikë, jini të fortë! Mbështetja duhet të jetë më e fortë! Siguria juaj varet nga ne!”, shkruhet në postimin e tij në Twitter.

08:26 – Raportohet për luftime të ashpra në Kharkiv, digjen dy “Tiger” të rusëve (VIDEO)

BBC ka raportuar për luftime në rrugët e Kharkivit, pasi trupat ruse u futën në qytet disa orë më parë sipas zyrtarëve lokalë.

Në mediat sociale janë publikuar pamjet që tregojnë disa njësi ruse në qytet, ndërsa në disa foto duken dy automjete ruse “Tiger” të përfshirë nga flakët.

Zyrtarët e Kharkiv mëngjesin e sotëm paralajmëruan vendasit që të qëndrojnë në strehimoret ku janë vendosur për të shmangur daljet në rrugë.

07:40 – Forcat ruse hyjnë në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, mediat: Nova Kakhavka në duart e Rusisë

Forcat ruse kanë hyrë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, kanë thënë zyrtarët lokalë. Sipas BBC udhëheqësi i administratës rajonale të Harkivit, Oleg Sinegubov, ka deklaruar se mjetet ushtarake “kanë deportuar në qytet”. Para deklaratave të tij, pamjet e publikuara në mediat sociale tregonin disa makina ushtarake ruse në zonat e afërta të Harkivit.

Ndërkohë mediat  ukrainase kanë raportuar se qyteti Nova Kakhavka ka rënë në duart e rusëve. Ky është qytet i vogël, por me rëndësi strategjike në Lumin Dniepër, i cili furnizon me ujë Gadishullin e Krimesë.

07:21 – Mediat shtetërore ruse nuk mund të reklamojnë më në Google

Kompania mëmë e YouTube, Alphabet, thotë se do të pezullojë fitimin e parave në platformat e saj për mediat shtetërore ruse. Kjo do të thotë se Russia Today dhe kanalet e tjera nuk mund të marrin më para për reklama në YouTube ose në uebsajte dhe aplikacione të tjera të drejtuara nga Alphabet. Kompania thotë gjithashtu se këto pika nuk mund të blejnë më reklama përmes Google Tools, të vendosin reklama në shërbimet e Google ose të përdorin teknologjinë e saj të reklamave për të gjeneruar të ardhura për veten e tyre.

04:15 – Kombet e Bashkuara thonë se kanë konfirmuar të paktën 240 viktima civile në Ukrainë

Luftimet intensive janë zhvilluar në disa qytete të mëdha të Ukrainës. Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OCHCR) raporton se ka pasur të paktën 240 viktima civile, duke përfshirë të paktën 64 vdekje në vend deri më tani.

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut shtoi se dëmtimet në shtëpi dhe infrastrukturë kritike kanë lënë qindra njerëz pa akses në ujë dhe energji elektrike. OKB tha gjithashtu se mbi 160,000 ukrainas tani janë të zhvendosur brenda vendit dhe përpiqen të ikin përtej kufijve ndërkombëtarë raporton “BBC”.

02:55 – Gjermania ka urdhëruar ndalimin e hyrjes së avionëve rusë në hapësirën ajrore të vendit

Gjermania ka urdhëruar ndalimin e hyrjes së avionëve rusë në hapësirën ajrore të vendit, sipas ministrit gjerman të Transportit Volker Wissing. Kufizimi është duke u përgatitur për momentin, tha një zëdhënëse e ministrisë për “CNN”.

Linja ajrore gjermane Lufthansa gjithashtu do të shmangë menjëherë hapësirën ajrore ruse për shkak të luftës në Ukrainë, tha të shtunën një zëdhënëse e Lufthansa. Linja ajrore tha se nuk do të operojë me shërbime në destinacionet ruse raporton “CNN”. Të gjitha fluturimet për dhe nga Rusia janë pezulluar nga e shtuna për shtatë ditët e ardhshme.