LIVE/ Dita e 6 e luftës, kthesë shqetësuese, rusët bombardojnë civilët, BE drejt pranimit të Ukrainës në union

schedule19:30 - 1 Mars, 2022

schedule 19:30 - 1 Mars, 2022

Për të gjashtën ditë me radhë sirenat e alarmit kanë nisur mëngjesin e kësaj të marte për ukrainasit. Përveç Kievit, alarmet kanë rënë në qytetet perëndimore të Ternopil, Vinnytsia, Rivne, si dhe qytetet qendrore të Cherkasy dhe Kropyvnytskyi, sipas shërbimit ukrainas të BBC-së.

Autoritetet ukrainase kanë konfirmuar vdekjen e 70 ushtarëve të saj, të vrarë në një sulm të artilerisë ruse në qytetin verilindor të Okhtyrka. Forcat ruse këtë të martë kanë rrethuar qendrën rajonale të Khersonit në Ukrainën jugore. Qyteti ka qenë i rrethuar dhe ka shumë ushtarë rus dhe pajisje ushtarake në të gjithë anët, e Khersonit.

21:36- Nord Stream 2 shpall falimentin, pushon të gjithë punonjësit

Nord Stream 2, kompania me bazë në Zvicër që ndërtoi tubacionin kryesor të gazit që lidh Rusinë me Gjermaninë ka paraqitur zyrtarisht falimentimin, ha një zyrtar zviceran për transmetuesin shtetëror SRF.

Kompania gjithashtu pushoi nga puna të gjithë punonjësit e saj, duke vënë në dukje sanksionet amerikane si arsyen e kolapsit të kompanisë. Duke folur për SRF të martën në mbrëmje, drejtori ekonomik për kantonin e Zug, ku ndodhet Nord Stream, tha se autoritetet kantonale janë informuar sot se biznesi nuk ishte në gjendje të vazhdonte funksionimin e tij.

Rreth 106 punonjës, e gjithë fuqia punëtore lokale e kompanisë kanë marrë tashmë zyrtarisht njoftimet e ndërprerjes, tha drejtoresha Silvia Thalmann-Gut, duke përmendur sanksionet e SHBA kundër kompanisë si shkakun e kolapsit të saj sot.

20:16- Pushtimi i Ukrainës, Haga njofton seancën për Rusinë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, konfirmoi sot se do të mbajë seanca dëgjimore më 7 dhe 8 mars për luftën në Ukrainë.

Një ditë më parë gjykata e Hagës bëri me dije se ka nisur hetimet për krimet e dyshuara të luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë.

Ukraina paditi në Hagë presidentin rus Vladimir Putin. Presidenti Zelensky tha se vendi i tij ka paraqitur ankesë për gjenocid kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe po kërkon nga paneli i gjyqtarëve një vendim urgjent që urdhëron Rusinë të largohet nga territori i Ukrainës

19:35-SHBA tjetër goditje Putin, dëbon spiunin rus

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar një “operativ të inteligjencës” ruse që punon në Kombet e Bashkuara. Lajmin e dha  një zëdhënës i Misionit të SHBA në OKB. “Më 28 shkurt, Shtetet e Bashkuara filluan gjithashtu procesin për të kërkuar largimin e një operativi të inteligjencës ruse që punon në Kombet e Bashkuara, i cili ka abuzuar me privilegjet e tij të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara”, thanë ata. Ky është diplomati i 12 me bazë në misionin e Moskës në OKB në Nju Jork që dëbohet për përfshirje në aktivitete spiunazhi. Rusia më herët ka thënë se do të hakmerrej për dëbimin e 12. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova tha se veprimi i SHBA “nuk do të mbetet pa një reagim të duhur dhe një përgjigje”.

19:25- Ish-ministri rus thirrje diplomatëve të japin dorëheqjen: Mos mbështesni luftën vëllavrasëse

Ish-ministri i parë i punëve të jashtme, i cili shërbeu nën Presidentin rus Boris Jelcin në vitet 1990 u bën thirrje të gjithë diplomatëve rusë të japin dorëheqjen në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës. “Të dashur diplomatë rusë, ju jeni profesionistë dhe jo propagandues të lirë. Kur punoja në Ministrinë e Jashtme, isha krenar për kolegët e mi”, shkruan Andrei Kozyrev. “Tani është thjesht e pamundur të mbështetet lufta e përgjakshme vëllavrasëse në Ukrainë”, shton më tej ai.

19:13- Boris Johnson mbërrin në kufi me Rusinë, takohet me trupat e NATO-s

Kryeministri i Britanisë së Madhe, ka takuar trupat e NATO-s në bazën ushtarake Tapa në Estoni, duke u thënë atyre se bota po gëzon “paqe dhe siguri më të madhe pasi ata janë në vijën e parë të mbrojtjes  kolektive perëndimore”.

“Unë mendoj se ajo që po bëni është thelbësore për sigurinë e të gjitha kombeve tona, por edhe për vlerat tona – lirinë, demokracinë, kombet e pavarura sovrane,” u tha ai trupave të mbledhura. “Kjo është ajo në të cilën ne besojmë, kjo është ajo për të cilën NATO mbështetet.”

19:02- 300 tanke në kufi me Ukrainën, Polonia bën thirrje për sanksione ndaj Bjellorusisë: Sa më shpejt

Të paktën 300 tanke të Bjellorusisë ndodhen pranë kufirit me Ukrainën ndonëse lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë se forcat e këtij shteti nuk do t’iu bashkohen trupave ruse në pushtim. Në këtë situatë Polonia ka bërë thirrje për sanksione ndaj Bjellorusisë. Kryeministri i Polonisë ka propozuar vendosjen e sanksioneve ndaj Bjellorusisë sa më shpejt të jetë e mundur dhe tha se kreu i Komisionit Evropian ishte dakord me të. Ukraina ka thënë më herët se Rusia ka plane për të futur trupat bjelloruse në luftë. Presidenti i Bjellorusisë, tha se asnjë njësi ushtarake nuk është larguar nga bazat, por shtoi se vendi mund të mobilizohet në më pak se tre ditë në rast rreziku.

19:00- VIDEO/ Rusët bombardojnë fshatrat shqiptare në Ukrainë

Pasditen e sotme rusët kanë bombarduar  fshatrat shqiptare që janë rreth Odeses në Ukrainë. Siç shihet edhe në videon duken me qindra njerëz në rrugë të cilët kanë braktisur banesat e tyre pas bombardimeve dhe po tentojnë të largohen nga zonat ku jetojnë.  Pak ditë më parë Abcnews.al ka sjellë intervista ekskluzive të shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë, të cilët kanë rrëfyer përjetimet e tyre të luftës.

18:42- Bombardimet e Rusisë mbi Ukrainën, lëvizja urgjente e NATO-s

Ashpërsimi i luftimeve mes Ukrainës dhe Rusisë përgjatë orëve të fundit, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të NATO-s. CNN raporton se Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mbajnë një takim urgjent këtë të premte për të diskutuar mbi situatën në Ukrainë. Në një deklaratë të lëshuar këtë të martën, NATO tha se takimi do të zhvillohet personalisht në selinë e NATO-s në Bruksel. Takimi do të drejtohet nga shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

18:35-“Gjendje kritike”, Zelensky flet nga bunkeri: Nuk jam në një film, një thirrje për Biden

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar homologut amerikan Joe Biden që të japë një mesazh të fortë dhe “të dobishëm” në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës në fjalimin e tij nga bunkeri në Kiev në të cilën ai po udhëheq reagimin e ushtrisë së tij. “Është shumë serioze… Unë nuk jam në një film,” tha Zelensky, një ish-aktor Komedie. “Unë nuk jam ikonë, mendoj se Ukraina është ikonë… Ukraina është zemra e Evropës dhe tani mendoj se Evropa e sheh Ukrainën si diçka të veçantë për këtë botë. Kjo është arsyeja pse [bota] nuk mund ta humbasë këtë diçka të veçantë. ”

18:08-“I frustruar me ushtrinë e sanksionet”, inteligjenca amerikane: Putin mund të dyfishojë dhunën

Putini po bëhet gjithnjë e më i frustruar dhe zemërimin po e zbraz tek rrethi i tij brendshëm. Kjo të paktën sipas inteligjencës amerikane. Shtetet e Bashkuara thonë se kanë informacione të forta se presidenti rus po bëhet gjithnjë e më i frustruar nga betejat e tij ushtarake në Ukrainë. Lajmin e kanë bërë të ditur një ish dhe dy zyrtarë aktualë amerikanë për NBC News. Ata thanë se lideri rus Vladimir Putin po e nxjerr zemërimin e akumuluar rreth gjendjes në ushtrinë e tij si dhe sanksioneve që po merr nga perëndimi  tek njerëzit në rrethin e tij të ngushtë.

18:04-5 të vrarë nga sulmi me raketa, reagon Zelensky: Çfarë kuptimi ka të thuash “kurrë më” ndërkohë që bota hesht, historia përsëritet

Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelensky ka reaguar menjëherë pas sulmit me raketa në kullat televizive në Kiev. Ku tashmë janë konfirmuar 5 viktima dhe disa të plagosur. Në reagimin e tij në twitter, Zelensky se çfarë kuptimi ka të vijosh të heshtën në një kohë kur ende po vriten njerëz, dhe për më tepër që sulmi ndodhi pikërisht mbi memorialin ku për 80 vjet me radhë qëndronte mbishkrimi ‘Kurrë më’, që ishte një simbol për përkujtimin e viktimave të nazizmit.

17:45-VIDEO/ 5 të vdekur dhe disa të plagosur nga sulmi me raketa në Kiev

Mediat ndërkombëtare raportojnë për 5 të vrarë nga sulmi me raketa i forcave ruse mbi kullën televizive në Kiev. Ndërkohë që raportohet edhe për 5 persona të tjerë të plagosur. Sulmi mbi antenat televizive vjen një ditë para raundit të dytë të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë. Ndërkohë që menjëherë pas sulmit reaguan autoritet ukrainase të cilat theksuan se po punojnë për riparimin e menjëhershëm për rikthimin e sinjalit.

17:33-Lufta për marrjen e Kievit, SHBA: Rusia në vend numëro

Përparimi rus në Kiev mbetet “në thelb… aty ku ishte dje”, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane. Rusët jo vetëm po përballen me probleme “karburanti dhe mirëmbajtjeje”, por po tregojnë shenja se po u mbarojnë ushqimet, pohoi zyrtari. Më tej ai përmendi një numër arsyesh të mundshme për ngecjen, duke përfshirë rezistencën ukrainase. CNN raportoi më herët se SHBA beson se Rusia po përdor fuqi më të madhe zjarri dhe sisteme armësh më shkatërruese pas ngecjeve të vazhdueshme në Ukrainë.

17:30- Mjekët e Rusisë i bëjnë thirrje Putin-it që t’i japë fund pushtimit

Mijëra mjekë rusë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor kanë nënshkruar një letër të hapur me anë të të cilës i kanë kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të ndërpresë armiqësitë ndaj Ukrainës. Mjekët, infermierët dhe mjekët ndihmës thonë se “kundërshtojnë fuqishëm veprimet ushtarake të kryera nga forcat e armatosura ruse në territorin e Ukrainës” dhe kërkuan largimin e trupave. “Misioni ynë është të shpëtojmë jetë njerëzore”, thuhej në letër.

17:09- Parlamenti Europian: Pro statusit të kandidatit për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Pas kërkesës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenski për anëtarësim të Ukrainës në Bashkimin Europian, grupimet politike të Parlamentit Europian janë mobilizuar për një rezolutë lidhur me mbështetjen për dhënien sa më të shpejtë Ukrainës të statusit të vendit të kandidatit për anëtarësim në BE. Ideja është të përshpejtohet një proces i gjatë i pranimit të kandidaturës së Ukrainës, të cilën disa vende të Ballkanit Perëndimor e njohin mirë, sepse u është dashur vite të përmbushin kushtëzimin e vendosur nga Bashkimi Europian.

17:02- VIDEO/ Bombat e “djallit”, Putin mund të urdhërojë përdorimin e armëve të tmerrshme nga frika e humbjes së luftës

Përplasjet e forta ushtarake mes forcave ruse dhe atyre ukrainase në Kiev, mund të sjellin në ditët në vijim edhe përdorimin e armëve të frikshme, ose të njohura ndryshe si ‘tmerri rus’. Në një shkrim të ‘The Sun’ dështimet e njëpasnjëshme, por dhe demoralizimi i ushtarëve rusë në luftimet në Ukrainë, mund të bëjë që presidenti i Rusisë Vladimir Putin nga frika e demoralizimit të mëtejshme të të tijve, mund të urdhërojë përdorimin e këtyre bombave të frikshme, çka do të sjell terror, shkatërrim të pa precendentë në Ukrainë. Abcnews.al po sjell më poshtë shkrimin e plotë të ‘The Sun’. Ku tregohet forca e madhe shkatërruese e armëve ruse, të cilat në rast se do të përdoreshin do të ishin fatale jo vetëm qytetarët por dhe për gjithë Ukrainën, pasi dëmi do të ishte katastrofal.

16:26- SHBA kërkon largimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi abuzimet e Rusisë për të drejtat e njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar gjatë sulmit daj Ukrainës, ai hodhi idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë një fjalimi para këshillit të martën në mëngjes. . “Me arsye mund të pyetet nëse një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet të marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së – ndërkohë që kryen abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe duke shkaktuar vuajtje masive humanitare – duhet të lejohet të qëndrojë në këtë këshill?”, tha Blinken.

16:00- NATO bën prapaktheu në minutën e fundit, Ukraina nuk merr avionët e premtuar

Krahas luftës në terren po ndodh edhe një luftë e madhe informacioni jo vetëm me Ukrainës dhe Rusisë, por edhe mes këtyre dy shteteve dhe të tretëve. Kështu për shembull, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës dhe Parlamenti deklaruan sëfundmi se ishte vendosur dhe do të merrnin 70 avionë gjuajtës nga shtetet e NATO-s për t’i përdorur kundër Rusisë.

15:56-Financial Times: Vetëm rrëzimi i Putinit me forcë nga vetë rusët mund të pushojë luftën në Ukrainë

Gjithnjë e më shumë dhe hapur, flitet për një largim të mundshëm të Putin nga pushteti, si e vetmja zgjidhje për të rivendosur paqen në Ukrainë dhe për një qëndrueshmëri të Rusisë. Por analistë mendojnë se rrëzimin e tij mund ta bëjë vetëm elita ruse dhe drejtuesit e lartë ushtarakë. “Sanksionet perëndimore synojnë rrëzimin e Putin nga pushteti. Deklarata u bë një ditë më parë nga zëdhënësi i kryeministrit britanik Boris Xhonson, dhe më pas u përgënjeshtrua. Fraza e rrëzimit të Putin u zëvendësua me ndalimin e luftës. Por largimi i Putin nga pushteti i Putin po diskutohet gjithnjë e më shumë dhe më hapur si në Londër dhe në Europë. Në fakt shihet si e vetmja zgjidhje për të risjellë paqen në Ukrainë dhe qëndrueshmërinë në Rusi. Nën sekretari i ministrisë së jashtme britanike, Xhejms Kleverli, nuk e përdor aspak diplomacinë kur si bën apel liderëve ushtarakë rusë.

15:00 – Medvedev i përgjigjet Francës: Historia ka treguar se luftërat ekonomike kthehen në të vërteta

Dmitri Medvedev nënkryetar i Këshillit të Sigurimit në Rusi iu kundërpërgjigj një komenti të ministrit francez të Financave Bruno Le Maire pasi ky i fundit tha të martën se BE do të niste një luftë të gjithanshme ekonomike dhe financiare kundër Rusisë.

“Sot një ministër francez ka thënë se i shpallën luftë ekonomike Rusisë.

Ruajani gjuhën zotërinj. Mos harroni se në historinë njerëzore, luftërat ekonomike shpeshherë janë shndërruar në të vërteta”, ka shkruar ai.

14:54 – OKB: Mbi 600 mijë persona janë larguar deri më tani nga Ukraina

Sipas një deklaratë të agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 660,000 persona kryesisht gra dhe fëmijë janë larguar deri më tani nga Ukraina, shkruan BBC

Shabia Mantoo, zëdhënësja e agjencisë së refugjatëve të OKB-së, tha në një konferencë në Zvicër, se njerëzit kanë pritur deri në 60 orë për të hyrë në Poloni, ndërsa radhët në kufirin rumun janë deri në 20 km të gjata.

14:53 – Miliarderi rus: Lufta duhet të ndalet, tragjedi për dy kombet

Miliarderi rus del kundër presidentit Vladimir Putin.

Një nga njerëzit më të pasur të Rusisë tha se lufta në Ukrainë duhet të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur pasi është një “tragjedi” për të dyja palët.

Mikhail Fridman, i lindur në Ukrainë, thotë se nuk mund të komentojë më drejtpërdrejt, pasi mendon se kjo do të rezultonte në një rrezik, jo vetëm për të personalisht, por edhe për kolegët dhe stafin e tij.

14:40 – Parlamenti Evropian kundër Putin: Luftë e ndërtuar me gënjeshtra të neveritshme

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë fjalimit të tij emocionues në Parlamentin Evropian, ka dënuar pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin, duke e cilësuar ofensivën ushtarake ruse, brutale dhe të bazuar në gënjeshtra të neveritshme.

Ai tha se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla ndodhet nën sulm dhe i përshkroi veprimet e Moskës si “terrorizëm gjeopolitik, thjeshtë dhe pastër”.

14:30 – Rusët kundër pushtimit të Ukrainës, 1 milion qytetarë nënshkruajnë peticionin

Rusët kanë nisur një peticion kundër luftës në Ukrainë duke mbledhur më shumë se një milion firma, sipas CNN

Aktivisti i të drejtave të njeriut Lev Ponomarev nisi një peticion, që ka mbledhur mbi 1 milion firma që nga pasditja e të martës. Personat që kanë nënshkuar peticionin përfshijnë akademikë, artistë, gazetarë, muzikantë, ekonomistë.

Figura të njohura të mediave ruse, duke përfshirë autorin dhe gazetarin Mikhail Zygar dhe regjisorin e dokumentarëve Yury Dud – i cili ka mbi 5 milionë ndjekës në Instagram kanë bërë gjithashtu thirrje për ti dhënë fund luftës në Ukrainë.

14:28 – I vranë gjeneralin, lideri çeçen e pranon: Kemi pësuar humbje në Ukrainë

Kreu i Republikës Çeçene të Rusisë, Ramzan Kadyrov ka pranuar më në fund se ushtria e tij ka pësuar dëme gjatë sulmit në Ukrainë.

Sipas asaj që Kadyrov shkruan në rrjetet sociale, çeçenët kanë humbur dy ushtarë gjatë përplasjeve të fundit në Ukrainë, ndërkohë që janë plagosur disa të tjerë.

Kadyrov thotë se ushtarët e tij kanë marrë urdhër që të mos sulmojnë civilët, prandaj edhe kanë pësuar dëme vetë. Ai gjithashtu u bëri thirrje ushtarëve ukrainas të dezertojnë dhe të luftojnë “krah për krah” me forcat ruse dhe çeçene, raporton abcnews.al.

14:26 – “Largohuni nga kjo zonë”! Rusia paralajmëron sulm në një vend specifik në Kiev

Ministria e Mbrojtjes së Federatës Ruse ka paralajmëruar sulme në objektet e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës  në Kiev.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjet thuhet se ky sulm do të bëhet me qëllim parandalimin e sulmeve përmes informacioneve kundër Rusisë.

“Ministria e Mbrojtjes së Federatës Ruse njoftoi sulme në objektet e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës  në Kiev për të ndaluar sulmet përmes informacioneve kundër Rusisë.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të largohen nga shtëpitë e tyre në këtë zonë”, thuhet në njoftim.

14:13 – Kryetarja e Komisionit Evropian: Kurrë kurrë kurrë s’do ta lejojmë Putinin që ta shkatërrojë Ukrainën

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian, tha se BE-ja s’do ta lejojë kurrë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, që ta shkatërrojë Ukrainën.

Von der Leyen pas kësaj deklarate u prit me ovacione dhe duartrokitje nga eurodeputetët.

“Brenda Ukrainës, kanë filluar vdekjet e njerëzve të pafajshëm, burra, gra, e fëmijë po vdesin sepse presidenti Putin ka vendosur që shteti i tyre, Ukraina s’ka të drejtë të ekzistojë dhe ne s’do ta lejojmë kurrë kurrë që kjo të ndodhë, dhe kurrë kurrë s’do ta pranojmë këtë”, ka thënë von der Leyen gjatë fjalimit në Parlamentin Evropian për agresionin rus në Ukrainë.

13:53 – Parlamenti Europian voton sot për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në BE

Parlamenti Europian do të votojë sot për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Votimi do të zhvillohet gjatë seancës së ditës së sotme në orën 16:30. Fillimisht do të votohet për pranimin e Ukrainës si kandidate për anëtare të  BE e më pas vjen rrugëtimi për pranimin e saj në BE.

Të hënën, pas një bisede telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje bllokut që t’i japë vendit të tij anëtarësimin e menjëhershëm në BE, pasi ai lufton pushtimin e Rusisë.

13:24 – FOTO/ Dhjetëra ukrainas kalojnë kufirin për në Poloni, sa persona janë larguar nga vendi deri tani

Dhjetëra fëmijë të vegjël nga Ukraina u fotografuan duke mbërritur në Mosczany, Poloni, të martën pasi u larguan nga shtëpitë e tyre mes luftës

Sipas Sky News deri më tani në Poloni kanë mbërritur 350 000 refugjatë ukrainas.

Polonia ka rënë dakord të pranojë të gjithë ata që mbërrijnë në kufi. Prej tyre ka persona që presin deri në 60 orë në kufi për të kaluar në anën tjetër.

Deri më tani 660 000 refugjatë ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe kanë mbërritur në vendet fqinje, duke përfshirë Hungarinë, Moldavinë dhe Sllovakinë.

13:18 – Negociatat për paqen, burimet ukrainase: Raundi i dytë i bisedimeve me Rusinë mund të zhvillohet nesër

Burime diplomatike ukrainase thonë se raundi i dytë i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohet nesër, 2 mars.

Ndërkohë raundi i parë mes dy delegacioneve u zhvillua ditën e djeshme në kufirin Bjellorusi-Ukrainë.

Këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mikhaylo Podolyak, tha: “Delegacionet ukrainase dhe ruse mbajtën raundin e parë të negociatave. Qëllimi i tyre kryesor ishte të diskutonin armëpushimin dhe përfundimin e veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës.”

13:17 – Presidenti ukrainas i drejtohet PE-së: Askush nuk do të na thyejë, tregoni që jeni me ne

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky sapo ka folur para Parlamentit Evropian në seancën e tyre speciale për luftën ruse në Ukrainë.

Ai thotë se ajo që po ndodh në vendin e tij është një tragjedi dhe ata po luftojnë për tokën, lirinë dhe jetën e tyre. Ai tha: “Askush nuk do të na thyejë, sepse ne jemi ukrainas”.

Ai gjithashtu thotë se Rusia ka synuar fëmijët ukrainas, me 16 të vdekur dje. Ai i bën thirrje Parlamentit Europia të “provojë se jeni bashkë me ne”, të provojë se nuk do ta zmbrapsë Ukrainën dhe të provojë se janë “evropianë të vërtetë”.

13:14 – Banorja në Kiev që refuzon të arratiset: Largimi mund të jetë rrezik më i madh

Përballë një eksodi masiv për shkak të luftës në Ukrainë, shumë qytetarë kanë vendosur të mos ikin nga vendi i tyre për shkak të frikës. Një grua Olesia Sira tha se kishte vendosur të qëndronte në kryeqytet.

“Të gjithë thonë ne mund t’ju ndihmojmë. Mos u shqetësoni. Ka vende ku mund të qëndroni. Ka një makinë ose një tren me të cilën mund të largoheni. Por çdo gjë mund të ndodhë me ju gjatë rrugës.

Kam dëgjuar se disa njerëz janë qëlluar duke ecur nga Kievi në kufi. Kështu që ne nuk mund të rrezikojmë ta bëjmë këtë. Ekziston një rrezik i madh. Ndihem më i sigurt në shtëpinë time në vend që të udhëtoj diku që nuk e di sa ku do të fle”.

13:02 – Një aleat tjetër për Zelensky, Hungaria mbështet kërkesën për antërësimin urgjent të Ukrainës në BE

Pas Polonisë edhe Hungaria është shprehur pozitive për kërkesën e presidentit, Volodymyr Zelensky, që Ukraina të anëtarësohet urgjentisht në familjen e Bashkimit Europian.

“Hungaria mbështet iniciativën e tetë liderëve të Bashkimit Evropian për të nisur bisedimet e pranimit të Ukrainës në BE”, tha mëngjesin e sotëm ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.

“Hungaria e mbështet këtë iniciativë dhe ne i bëjmë thirrje Brukselit që ta vendosë këtë çështje në rendin e ditës”, tha Sigiarto, duke iu referuar propozimit të presidentëve të tre shteteve baltike, Polonisë, Republikës Çeke, Sllovakisë, Bullgarisë dhe Sllovenisë.

13:01 – Ukraina me 70 avionë lufte, shtetet e BE-së që ia dhanë

Dy ditë më parë shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrel deklaroi se unioni do të furnizonte Ukrainën me avionë gjuajtës, prodhim të Bllokut Lindor, të cilët mund të drejtohen lehtësisht nga pilotët vendas.

Vendet që kanë ofruar këta avionë janë Polonia, Bullgaria dhe Sllovakia, të cilët kishin në inventarin e tyre disa Mig-29 dhe Sukhoi që mund t’u hyjnë në punë ukrainasve, raporton abcnews.al.

12:58 – PE nuk mban lotët nga fjalimi prekës i presidentit Ukrainas: Sot ishte ditë tragjike, po luftojmë për lirinë

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme në Parlamentin Evropian, ku po diskutohet lufta në Ukrainë nga Rusia.  Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka prekur të gjithë sallën me fjalimin e tij teksa foli mbi pushtimin rus të vendit të tij, që ka hyrë sot në ditën e gjashtë.

Ne do  të fitojmë dhe jam i lumtur që ju nuk jeni vetëm duke folur për këtë por po e shikoni.  Do doja të dëgjoja që nga nju për ne të dëgjojmë që zgjedhja e ukrainës për europën për ju… Ky mengjes ishte tragjik për ne. Më shumë se 20 universitete janë në qytetin që u  godit. Shumë të vdekur.

Ky është çmimi i lirisë. Ne jemi duke luftuar për tokën tonë dhe për lirinë tonë. Ne po luftojmë për të mbijetuar. Ne jemi duke luftuar gjithashtu që të jemi anëtarë të barabartë në europë. Besoj se sot ne do t’i tregojmë të gjithë se kush jemi.

12:49 – Bunkerët e Luftës së Ftohtë strehë e sigurt për qindra ukrainas që po i ikin luftës

Ndërsa sirenat e alarmit vazhdonin të binin gjatë natës së kaluar  në qytetin lindor të Dnipro, shumë prej qytetarëve u stehuan në një bunker bërthamor të ndërtuar gjatë Luftës së  Ftohtë, shkruan BBC

Dekada më vonë, ky bunker po strehon qindra njerëz në Ukrainë ndërsa lufta e Vladimir Putin vazhdon të përshkallëzohet. Në mure, ka postera që ju udhëzojnë se si të “vishni” një maskë kundra gaz ose kostum mbrojtës.

12:47 – Karton i kuq për oligarkët rusë, Suedia kërkon heqjen e pasportave të arta për vendet e BE-së

Një tjetër “shuplakë” vjen për Rusinë, pas hyrjes së ushtrisë ruse në Ukrainë që prej 24 shkurtit. Suedia do të kërkojë heqjen e pasaportave të “arta” në vendet e Bashkimit Europian për oligarkët rusë.

Suedia do të punojë me BE-në për të ashpërsuar sanksionet kundër qytetarëve rusë qe kanë lidhje me qeverinë e Kremlinit”, tha një ministër suedez.

12:43 – Seancë e jashtëzakonshme, Parlamenti Europian në këmbë, duartroket për Ukrainën

Nis seanca e jashtëzakonshme në Parlamentin Europian e cila po mbahet për agresionin rus ndaj Ukrainës. Të gjithë pjesëmarrësit janë ngritur në këmbë dhe kanë përcjellë duartrokitije të forta për Ukrainën, ndërsa në mesin e tyre ishte dhe përfaqësuesi i Ukrainës.

12:36- Presidenti i Lituanisë: Asnjë vend në Europë nuk është i sigurt nga Putin

Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda paralajmëroi se asnjë vend në Europë “nuk mund të jetë i sigurt” kur bëhet fjalë për presidentin Putin, pasi pushtimi rus në Ukrainë hyri në ditën e tij të gjashtë.

“Asnjë vend në Bashkimin Europian, në Europë nuk mund të jetë i sigurt tani. Po, Ukraina është objektivi numër një, por nëse ne nuk do të mund të mbështesim Ukrainën dhe nëse Ukraina do të shkatërrohet, ne mund të jemi të radhës, tha Nauseda për CNN kur u pyet nëse Putin mund të rikthejë vëmëndjen në shtetet baltike të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë.

Të hënën, Lituania së bashku me Estoninë, Bullgarinë, Republikën Çeke, Letoninë, Poloninë, Sllovakinë dhe Slloveninë publikuan një letër të hapur duke i kërkuar BE-së që t’i japë menjëherë Ukrainës statusin e vendit kandidat dhe të fillojë negociatat për pranimin e saj zyrtar në bllok.

12:30 – Johnson, i bindur: Putini ka mbaruar!

Gjatë një konference për shtyp në Poloni, kryeministri britanik, Boris Johnson tha se plani i Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën do të dështojë.

“Është e qartë se Vladimir Putin është i përgatitur të përdorë taktika barbare dhe pa dallim kundër civilëve të pafajshëm, të bombardojë blloqe kullash, të dërgojë raketa në blloqe kullash, të vrasë fëmijë siç po shohim. Por ai ka nënvlerësuar fatalisht dy gjëra. E para është dëshira e zjarrtë e popullit ukrainas për të mbrojtur vendin e tyre dhe qendrimin e presidentit Zelensky për të mbrojtur vendin. Jam më i bindur se kurrë se Putini do të dështojë”, u shpreh Johnson.

12:29 – Lufta merr kthesë shqetësuese, rusët bombardojnë civilët, Ukraina: Kemi vrarë 5 700 ushtarë të Putinit

Lufta në Ukrainë duket se po merr një rrjedhë tjetër ku rusët kanë filluar të sulmojnë edhe objektivat civile krahas atyre ushtarake pas humbjeve të pësuara gjatë ditëve të para të konfliktit. Mëngjesin  sotëm u sulmua me raketë qendra e qytetit Kharkiv duke vrarë 9 civilë, tre prej të cilëve fëmijë.

Sulmi u dënua nga ndërkombëtarët, ndërsa Zelensky e cilësoi një terrorizëm qeveritar. Rusët nga ana tjetër janë duke dërguar një autokolonë mbi 60 kilometra në drejtim të Kievit pas ndaljes së avancimit atje me qëllim marrjen e kryeqytetit.

12:26 – FOTO prekëse nga lufta në Ukrainë, mjeku përpiqet të shpëtojë 6 vjeçaren: Tregojani Putinit këtë

Ende e veshur me pizhamet rozë të përgjakura, një vajzë gjashtëvjeçare nga Mariupoli mbërriti me ambulancë në një spital në qytetit, së bashku me babain e saj të plagosur, koka e të cilit ishte mbështjellë me fasha.

Në imazhet që u shpërndanë anembanë botës, nëna e vajzës u shfaq duke mbajtur një palë shapka dhe një kapelë, ndërsa mjekët përpiqeshin me dëshpërim për të shpëtuar vajzën e saj.

“Nxirreni jashtë! Nxirre jashtë! Ne mund t’ia dalim!” bërtiti një punonjës i spitalit përpara se trupi i vajzës të vendosej në barelë dhe të futej brenda.

12:10 – Ishte më i miri, rusët vrasin “Ujkun Gri” të ukrainasve

Koloneli ukrainas Oleksandr Oksanchenko, i konsideruar si piloti më i mirë i Ukrainës, është vrarë nga rusët në një betejë në ajër gjatë natës së të premtës së javës së shkuar.

Presidenti Volodymyr Zelensky i dha atij pas vdekjes titullin Hero i Ukrainës, njoftoi komanda e Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës në Facebook.

Sipas ukrainasve Oksanchenko vdiq në betejë, duke sulmuar avionët e armikut.

12:06 – Stoltenberg i bën thirrje Rusisë t’i japë fund luftës

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të tërheqë të gjitha trupat e saj, duke shtuar se aleanca nuk do të dërgojë trupa apo avionë luftarakë për të mbështetur Kievin pasi nuk dëshiron të bëhet pjesë e konfliktit, shkruan The Guardian

“Sulmi rus është krejtësisht i papranueshëm dhe është mundësuar nga Bjellorusia”, tha Stoltenberg të martën pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda.

“NATO është një aleancë mbrojtëse, dhe ne nuk duam konflikt me Rusinë.

12:04 – Lavrov shfrenon imagjinatën: Perëndimi të mos prodhojë armë bërthamore në Ukrainë

Rusia e konsideron të papranueshëm faktin që në Evropë ka ende armë bërthamore amerikane.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavarov, ka deklaruar në Konferencën e OKB-së se ka ardhur koha që armët bërthamore amerikane në Evropë të kthehen në vendin e prodhimit, pra në SHBA.

“Është koha që armët bërthamore të kthehen në Shtetet e Bashkuara,” tha ministri i jashtëm rus. Lavrov pritej të shfaqej personalisht në Gjenevë, por ndalimet e udhëtimit e penguan.

11:59 – Frikë nga lufta, ukrainasit presin deri në 60 orë për të kaluar kufirin

Ndërsa sulmet ruse në Ukrainë vazhdojnë për të gjashtën ditë radhazi, qytetarët ukrainas janë dyndur në pikat kufitare për një strehë më të sigurt për familjet e tyre.

Të paktën 350,000 refugjatë janë larguar nga Ukraina për në Poloni që nga fillimi i pushtimit rus javën e kaluar.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët thotë se ukrainasit që po tentojnë të kalojnë në Poloni po përballen në kufi me radhë kilometrike, duke pritur deri në 60 orë.

Ndërkohë, vlerësimi i fundit i numrit të ukrainasve që kanë hyrë në vendet fqinje që nga 24 shkurti ka arritur tashmë në 660,000, shkruan skynews.

11:58 – Kremlini: Sanksionet e perëndimorëve nuk do të ndryshojnë qëndrimin e Rusisë ndaj Ukrainës

Sanksionet e Perëndimit nuk do ta bëjnë kurrë Rusinë të ndryshojë pozicionin e saj ndaj Ukrainës, sipas një deklaratë të Kremlinit, shkruan The Guardian

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ndërsa kanë filluar negociatat e midis Moskës dhe Kievit, nuk ka plane për bisedime midis presidentëve të dy vendeve. Peskov hodhi poshtë akuzat për sulme ruse ndaj objektivave civile dhe përdorimin e municioneve kundrejt tyre.

Ai nuk pranoi të jepte një vlerësim të situatës ushtarake në terren në ditën e gjashtë të pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Kremlini e përshkruan si operacion special për çmilitarizimin e vendit.

11:48 – Johnson: Të gatshëm për të vendosur sanksione shtesë kundër Rusisë

Gjatë një konferencë për shtyp në Poloni, Boris Johnson ka theksuar se Vladimir Putin ka nënvlerësuar “dëshirën pasionante” të popullit ukrainas për të mbrojtur vendin e tyre, shkruan BBC

Ai vlerëson gjithashtu udhëheqjen dhe guximin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili thotë se ka mobilizuar vendin e tij dhe botën në mes të pushtimit rus. Sipas Johnson, Putin ka nënvlerësuar gjithashtu “unitetin dhe vendosmërinë” e Perëndimit, duke thënë se do të vazhdojë presionin ekonomik mbi Rusinë përmes sanksioneve.

Kryeministri britanik gjithashtu tha se qeveria do të rrisë sanksionet kundër Rusisë për sa kohë sa të jetë e nevojshme.

11:35 – Bilanci tragjik i luftës, ushtria ruse ka vrarë 136 ukrainas në 6 ditë, midis tyre 13 fëmijë

Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se 136 civilë janë vrarë në Ukrainë gjatë gjashtë ditëve të luftës, duke përfshirë 13 fëmijë.

400 civilë të tjerë janë plagosur pasi trupat ruse kanë lëshuar raketa në zonat e banuara. Këtu përfshihen edhe 26 fëmijë të tjerë.

Liz Throssell, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së tha se shumica e viktimave ishin rezultat i “armëve shpërthyese.

11:26 – Kievi ngrin nga i ftohti, ukrainasit përballë acarit dhe trupave rusë

Ukrainasit përveç luftës gjatë ditëve të fundit duhet të përballen dhe me temperaturat e ulëta dhe të ftohtin.

Bardhësia e borës do të ishte shumë e bukur në çdo rrethanë tjetër por jo në këto kushte, kur shumica e qytetarëve ndodhen në vende nëntokësore apo në bodrume pa ngrohje.

Reshjet e borës thjesht kanë shtuar më shumë seç duhet vështirësinë e jetës së qytetarëve.

10:48 – Lufta në Ukrainë, Erdogan telefonon Lukashenkon

Zyra e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi sot se presidenti turk telefonoi homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko për të diskutuar zhvillimet në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës.

Dy liderët kanë diskutuar për bisedimet e zhvilluara dje mes Rusisë dhe Ukrainës, në të cilat nuk është shënuar asnjë progres, ndërsa nuk është bërë e ditur se kur do të zhvillohet një raund i ri negociatash.

Në të njëjtën kohë, Erdogan i tha Lukashenkos se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës dhe për të rivendosur paqen.

10:33 – Franca: Sanksionet do ta shkatërrojnë ekonominë ruse

Franca ka thënë të martën se sanksionet e Perëndimit kundër Moskës, pas pushtimit në Ukrainë, do të shkatërrojnë ekonominë ruse.

“Ne do ta shkatërrojmë ekonominë ruse”, ka thënë ministri i Financave, Bruno Le Maire për transmetuesin Franceinfo një ditë pasi Franca, Bashkimi Evropian dhe vende tjera kanë thënë se do të vendosin një rund të ri të sanksioneve ndaj Rusisë.

Balanca e fuqisë së sanksioneve pas luftës në Ukrainë “është totalisht” në favor të Bashkimit Evropian, i cili “është në proces të zbulimit të fuqisë së vet ekonomike”, ka thënë ai.

10:28 – Ukraina rrëzon 5 avionë ushtarakë rusë

Forcat ukrainase rrëzuan pesë avionë ushtarakë rusë gjatë natës, tha këshilltari presidencial i vendit. Ata thanë se forcat ruse po përpiqen të rrethojnë kryeqytetin Kiev dhe qytetin e Kharkiv.

Mëngjesin e sotëm ushtria ruse sulmoi me raketa zonën e banuar të qytetit Kharkiv, ku mbetën të vrarë 9 persona, midis tyre dhe 3 fëmijë.
Zelensky ka përshkruar bombardimin e Kharkivit si krime lufte.

Forcat ruse qëlluan brutalisht mbi Kharkiv ”, tha Zelensky gjatë një fjalimi natën vonë drejtuar popullit ukrainas.

10:22 – YouTube bllokon kanalet e Russia Today dhe Sputnik në të gjithë Europën

YouTube ka bllokuar kanalet e mediave shtetërore Russia Today dhe Sputnik në të gjithë Europën  përfshirë Britaninë e Madhe.

Në një deklaratë të postuar në Twitter, Google tha:

“Për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, ne po bllokojmë kanalet e YouTube të lidhura me RT dhe Sputnik në të gjithë Europën, të cilat hyjnë në fuqi menjëherë. Ekipet tona do të  vazhdojnë të monitorojnë situatën gjatë gjithë kohës për të ndërmarrë veprime të shpejta”.

10:15 – Sulmi rus në Ukrainë me 9 viktima, reagon Zelensky: Krim lufte

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas sulmit me raketa në Kharkiv  mëngjesin e sotëm, i cili i mori jetën të paktën 9 personave, midis tyre  3 fëmijë.

Zelensky ka përshkruar bombardimin e Kharkivit si  krime lufte.

Nëntë persona, duke përfshirë tre fëmijë, u vranë të hënën pasi bombat thërrmuese të dyshuara ruse shënjestruan ndërtesa banimi në qytetin e dytë të Ukrainës, shkruan BBC.

10:08 – Këshilltari i Zelenskyt: Rusia po bombardon zonat e banuara për të përhapur panik te ukrainasit

Një këshilltar i presidentit Ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia po bombardon qëllimisht zonat e banuara për të përhapur panik te ukrainasit.

“Rusia po bombardon qendrat e qyteteve duke nisur sulme me raketa në zonat e banuara dhe godinat e administratës”, tha këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak.

“Qëllimi i Rusisë është i qartë, panik masiv, viktima civile dhe infrastrukturë të dëmtuar. Ukraina po lufton me nder”.

10:00Lukashenko i vendosur: Bjellorusia nuk do t’i bashkohet pushtimit rus

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë për mediat shtetërore se forcat e tij nuk do të bashkohen me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.

Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Vladimir Putin, tha se “ushtria bjelloruse nuk po merr pjesë në aksione ushtarake kundër Ukrainës dhe kurrë nuk ka marrë pjesë”.

“Ne mund t’ia dëshmojmë këtë kujtdo. Për më tepër, udhëheqja ruse nuk e ngriti kurrë këtë çështje me ne – përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Dhe ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen”, u shpreh Lukashenko.

09:29 – Sulmi me raketa në Kharkiv, 6 të plagosur mes tyre një fëmijë

Të paktën gjashtë persona janë plagosur, duke përfshirë një fëmijë, në një shpërthim në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, shkruan CNN

Shpërthimi shkatërroi një ndërtesë qeveritare, sipas videove të postuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës (MOFA) dhe zyrtarë të qeverisë ukrainase.

09:20 – VIDEO/ Bodrumi i spitalit shndërrohet në vendin e sigurisë për nënat shtatzëna në Ukrainë

Lufta në Ukrainë ka detyruar mijëra të largohen nga vendi, disa të tjerë janë strehuar në stacionet e metrosë dhe në vende të sigurta për ti shpëtuar agresionit rus. Në një video të postuar nga Washington Post, shihen gratë shtatzëna të cilat janë strehuar në një spital në Kherson.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by The Washington Post (@washingtonpost)

09:18 – Zv/kryeministri britanik: Krimet e luftës në Ukrainë do të ndiqen penalisht

Rusia mund të përdorë taktika më të rënda në Ukrainë dhe çdo krim lufte do të ndiqet penalisht. Kështu deklaroi zv/kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar në një intervistë mëngjesin e thotë.

Dominic Raab u shpreh: “Përveç masave që ne po marrim, po mbështesim gjithashtu përpjekjet për t’u siguruar që të ruhen provat e krimeve të luftës”.

“Mbretëria e Bashkuar po bën gjithçka me sanksione ekonomike që po shkakton probleme te financat e Putin.

09:18 – Polonia e gatshme të ndihmojë Ukrainën për anëtarësimin në BE

Teksa Ukraina u zgjua në ditën e 6 të luftës nga Rusia, kryeministri polak Matthew Morawiecki do të diskutojë sot në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbështetjen që duhet t’i jepet Ukrainës për t’u bashkuar me BE- në, tha një zëdhënës i qeverisë.

“Sot pasdite në Bruksel, kryeministri Moraëiecki do të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen ”, shkroi Peter Mueller në Twitter.

“Çështja do të jetë mbështetja sistematike për Ukrainën në kontekstin e pranimit të saj në BE.”

09:05 – Tajvani i bashkohet Perëndimit, bllokon bankat ruse nga SWIFT

Tajvani do t’i bashkohet masave për të bllokuar disa banka ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT, sipas një deklarate të kryeministrit Su Tseng-chang.

“Ne dënojmë veprimet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës, dhe në bashkëpunim me partnerët tanë demokratikë globalë do të bashkëpunojmë për vendimet e marra kundër bankave ruse,” tha Su.

Për më tepër, Tajvani do të “shqyrtojë” produktet e eksportuara në Rusi në përputhje me Marrëveshjen Wassenaar – e cila rregullon kontrollet e eksportit për armët dhe mallrat dhe teknologjitë, u tha ligjvënësve ministri i çështjeve ekonomike Wang Mei-hua.

08:59Kina nis evakuimin e qytetarëve të saj nga Ukraina

Kina ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj nga Ukraina, sipas mediave shtetërore. Rreth 400 studentë në Odessa, dhe 200 të tjerë nga kryeqyteti, Kiev janë evakuuar të hënën, shkruan CNN

1000 qytetarë të tjerë pritet të evakuohen në vendet fqinje të marten. Planet për fluturime çarter për të evakuuar qytetarët kinezë u pezulluan gjatë fundjavës për shkak të intensifikimit të luftimeve.

Ndryshe nga shtetasit nga shumë vende të tjera, shtetasit kinezë në Ukrainë nuk morën udhëzime për t’u larguar nga vendi përpara se të fillonte pushtimi rus. Përpara sulmit të Rusisë, zyrtarët kinezë  kundërshtuan paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj se një lëvizje agresive nga Moska ishte e pashmangshme.

08:33 – Hakmarrja e Putinit, Rusia rrethon me 75% forcave Ukrainën

Sipas një ushtaraku, rreth 75% e forcave ruse ndodhen tashmë në Ukrainë. Jack Watling është një studiues në fushën e luftës tokësore dhe shkencave ushtarake në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, shkruan BBC

Gjatë  një intervistë për programin “Today” të BBC Radio 4, ai tha se një numër  i madh trupash ruse po përparojnë në jug nga Bjellorusia dhe po përgatiten për një sulm në Kiev. Ai tha se forcat ruse kanë përdorur municione dhe sisteme raketash në drejtim të zonave të banuara.

Ushtria ukrainase nuk funksionon më në formacione ushtarake, por tani në pozicione mbrojtëse

08:27 – VIDEO/ Sulm me raketa në një ndërtesë qeveritare në Kharkiv

Në pritje të një raundi tjetër bisedimesh mes Rusisë dhe Ukrainës, forcat ruse kanë sulmuar një godinë administrate e cila ndodhet në qendër të Kharkivit. Sulmi me raketa ka ndodhur në administratën rajonale të Kharkiv, sipas një videoje të postuar në Twitter.

08:27 – Ukraina do të shesë “bono lufte” për të financuar forcat e armatosura

Teksa Ukraina hyn në ditën e 6 të luftimeve, sulmet ruse në qytetin Kharkiv të Ukrainës dhe kryeqytetin Kiev vazhduan gjatë natës së 28 shkurtit dhe mëngjesin e së hënë.

Ndërkohë qeveria e Ukrainës ka njoftuar se planifikon të shesë bono që nga sot për të paguar forcat e saj të armatosura, ndërsa ato mbrojnë vendin nga pushtimi rus.

08:07 – Pamje nga lart, karvani i madh rus në veri-perëndim të Kievit

Një kolonë ruse është nisur në drejtim të Kievit. Imazhet tregojnë se kolona ushtarake që shtrihet për rreth 40 milje (64 km) është nisur në një zonë në veri-perëndim të Kievit.

Nga pamjet e publikuara nga mediat e huaja kolona ushtarake është dukshëm më e gjatë se 17 miljet (27 km), sipas kompanisë amerikane Maxar.

07:59 – BE do të fusë Ukrainën në rrjetin e saj të energjisë

Ministrat e Energjisë të BE-së duan të çlirojnë Ukrainën nga varësia energjetike nga Rusia. Edhe vetë BE-ja dëshiron ta shkëputet sa më shpejt të jetë e mundur nga gazi dhe nafta ruse. Papritur gjithçka po ndodh shumë shpejt në Bruksel. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës bën të mundura marrjen e disa vendimeve brenda disa orësh, ndërkohë që pa luftë do të nevojiteshin muaj të tërë për miratimin e tyre. “Nuk kemi kohë për procedura burokratike në luftë”, vuri në dukje shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ministrat e Energjisë vendosën papritur në një takim të shpejtë emergjence në Bruksel që ta përfshijnë Ukrainën në Rrjetin Evropian të Energjisë Elektrike. Ukraina duhet të shkëputet nga rrjeti i përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë sa më shpejt të jetë e mundur. Përpjekjet e para teknike për ta bërë këtë kishin nisur qysh përpara sulmit rus. Tani do të ketë një kyçje emergjente me disa hapa. Nga këndvështrimi i Komisioneres së BE-së për energjinë, Kadri Simson, nuk ka zgjidhje tjetër. Lexo këtu

07;50 – “Me armë në duar”, të sapomartuarit kalojnë muajin e mjaltit duke luftuar për Ukrainën

Ukraina për të 6 ditë më radhë ndodhet nën tensionin e pranisë së forvcave ruse në disa qyteteve.

Mediat e huaja këtë të martë kanë publikuar historinë e një çifti ukrainës të cilët vetëm disa orë pas martesës së tyre në ditën e parë të pushtimit rus, iu bashkuan luftës për të mbrojtur vendin e tyre.

Yaryna Arieva dhe Svyatoslav Fursin kishin planifikuar që të martoheshin në maj, po vendimin e tyre e morën më parë dhe vendosën që të lidhin kurorë në Kiev javën e kaluar kur Rusia pushtoi, përpara se t’i bashkohej rezistencës ukrainase.

Të veshur me xhaketa kamuflazhi dhe duke mbajtur armë në dorë, çifti në një intervistë për CNN kanë thënë se muajin e tyre të mjaltit po e kalonin duke luftuar kundër  trupave ruse që pushtuan atdheun e tyre

07:43 – Forcat ruse rrethojnë Kherson, qytet në jug të Ukrainës

Forcat ruse këtë të martë kanë rrethuar qendrën rajonale të Khersonit në Ukrainën jugore. BBC raporton se trupat ruse kishin nisur një sulm tokësor në qytetin, që ndodhet pranë Krimesë të kontrolluar nga Moska.

“Ushtria ruse po vendos postblloqe në hyrjet e Khersonit, por qyteti ka qenë dhe do të mbetet ukrainas”, ka thënë kryebashkiaku Igor Kolykhayev. Ndër të tjera mediat bëjnë me dije se qyteti ka qenë i rrethuar dhe ka shumë ushtarë rus dhe pajisje ushtarake në të gjithë anët, e Khersonit.

07:28 – Sirenat e alarmit zgjojnë ukrainasit në ditën e 6 të luftimeve

Për të gjashtën ditë me radhë sirenat e alarmit kanë nisur mëngjesin e kësaj të marte për ukrainasit. Mediat e huaja bëjnë me dije se sirenat e alarmit janë ndjerë në të gjithë vendin.

Përveç Kievit, alarmet kanë rënë në qytetet perëndimore të Ternopil, Vinnytsia, Rivne, si dhe qytetet qendrore të Cherkasy dhe Kropyvnytskyi, sipas shërbimit ukrainas të BBC-së.

Ndërkohë autoritetet ukrainase kanë konfirmuar vdekjen e 70 ushtarëve të saj janë vrarë në një sulm të artilerisë ruse në qytetin verilindor të Okhtyrka.

06:08 – Ministri i Jashtëm ukrainas thotë se SHBA ofron më shumë mbështetje për t’i rezistuar Rusisë

Shtetet e Bashkuara po ofrojnë më shumë mbështetje për të ndihmuar Ukrainën t’i rezistojë Rusisë, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Të martën herët në mëngjes me orën lokale, një postim në Twitter nga llogaria e verifikuar e ministrit i referohej një bisede me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken.

Kuleba shkroi në Twitter: “Në thirrjen tonë, @SecBlinken pohoi se mbështetja e SHBA për Ukrainën mbetet e palëkundur. Unë theksova se Ukraina dëshiron paqen, por për sa kohë që ne jemi nën sulmin e Rusisë, ne kemi nevojë për më shumë sanksione dhe armë. Sekretari më siguroi për të dyja. Ne koordinuam hapat e mëtejshëm”.

04:28 – Australia do të dërgojë 50 milionë dollarë armë në Ukrainë

Australia do të kontribuojë me 50 milion dollarë në mbështetje ushtarake për Ukrainën. Kryeministri Scott Morrison tha të martën se paratë do të shkojnë për ndihmë vdekjeprurëse dhe jo-vdekjeprurëse raporton “BBC”.

“Ne po flasim për raketa, municione, po flasim për mbështetjen e tyre në mbrojtjen e atdheut të tyre në Ukrainë,” tha ai. Morrison thotë se qeveria e tij do të angazhojë gjithashtu 35 milionë dollarë në ndihmë humanitare për Ukrainën.

03:18 – Numrat rusë të telefonit janë bllokuar në Ukrainë

Telefonat me numra rusë nuk do të mund të përdorin më infrastrukturën e telekomunikacionit ukrainas, sipas një njoftimi nga Shërbimi Shtetëror i Komunikimeve Speciale të Ukrainës. “Duke humbur mundësinë për të telefonuar nga numrat e tyre, forcat okupuese po ua marrin gjithnjë e më shumë telefonat qytetarëve,” tha agjencia e qeverisë ukrainase në një deklaratë në Telegram.

Lajmi se firmat e telekomunikacionit po ndërpresin numrat rusë vjen mes pretendimeve nga ushtria ukrainase se rusët janë duke përdorur telefonat e tyre celularë dhe radiot e dorës për të komunikuar në betejë raporton “BBC”. Ukrainasve të cilëve u janë sekuestruar telefonat e tyre nga trupat ruse u kërkohet të informojnë operatorët telefonik “sa më shpejt të jetë e mundur” për të bllokuar numrin.

02:31 – Algjeria gati të furnizojë Bashkimin Evropian me gaz

Firma shtetërore algjeriane e naftës dhe gazit është gati të furnizojë Bashkimin Evropian me gaz shtesë nga teprica e saj, ka thënë shefi i kompanisë. Kjo është në rast të rënies së furnizimit me gaz për shkak të pushtimit rus të Ukrainës raporton “BBC”. Drejtuesi i Sonatrach Toufik Hakkar tha se kapaciteti i paplotësuar në tubacionin Transmed që lidh Algjerinë me Italinë mund të përdoret për të rritur furnizimin.

01:08 – Kryebashkiaku i Kharkiv tha se 9 civilë u vranë në sulmet me raketa ruse të hënën

Të paktën nëntë civilë janë vrarë nga sulmet me raketa ruse të hënën në qytetin ukrainas të Kharkiv, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov. Kryebashkiaku tha se kjo përfshin vdekjen e tre fëmijëve.  “Sot patëm një ditë shumë të vështirë. Kjo na tregoi se nuk është vetëm një luftë, kjo është një masakër e popullit ukrainas,” tha ai në llogarinë e tij në Telegram.

“Raketat goditën ndërtesat e banimit, duke vrarë dhe plagosur civilë paqësorë. Kharkiv nuk ka parë dëme të tilla për një kohë shumë të gjatë. Dhe kjo është e tmerrshme,” tha ai. Terekhov tha se katër persona dolën nga streha për të marrë pak ujë dhe u vranë raporton gazetari Tim Lister i “CNN”.

00:55 – Kanadaja do të ndalojë të gjitha importet e naftës së papërpunuar nga Rusia

Kanadaja do të bëhet vendi i parë në G7 që do të ndalojë të gjitha importet e naftës së papërpunuar nga Rusia. Kryeministri Justin Trudeau e bëri njoftimin të hënën raporton “BBC”. Përveç ndalimit të importit, Trudeau njoftoi gjithashtu furnizimin me armë dhe municione antitank për luftëtarët ukrainas.

Kanadaja importon rreth 550 milion dollarë naftë bruto në vit nga Rusia, sipas Shoqatës Kanadeze të Prodhuesve të Naftës.

00:40 – OKB thotë se të paktën 406 civilë janë raportuar të lënduar në Ukrainë

Ka pasur të paktën 406 viktima civile të raportuara në Ukrainë, duke përfshirë të paktën 102 të vrarë vetëm gjatë ditëve të fundit, tha të hënën nënsekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente Martin Griffiths, duke cituar numra nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut raporton “CNN”.

Griffiths i’u drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmes telekonferencës nga Gjeneva të hënën, duke shtuar se numri real i viktimave civile “mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë viktima të raportuara ende nuk janë konfirmuar”.

“Fotografia është e zymtë – dhe mund të përkeqësohet akoma. Sulmet ajrore dhe luftimet në zonat urbane po dëmtojnë objektet kritike civile dhe po prishin shërbimet thelbësore si shëndeti, energjia elektrike, uji dhe kanalizimet, gjë që në fakt i lë civilët pa bazat për jetën e përditshme,” tha Griffiths.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!