Lituania, Sllovakia, Letonia dhe Estonia thirrje BE-së: Me asetet e ngrira të rusëve të rindërtohet Ukraina

schedule15:51 - 23 Maj, 2022

schedule 15:51 - 23 Maj, 2022

Lituania, Sllovakia, Letonia dhe Estonia i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që aestet e bllokuara të Rusisë nga blloku të përdoren për të rindërtuar Ukrainën. Kërkesa është bërë në një letër të përbashkët të përpiluar nga përfaqësues të katër vendeve, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Ne letrën që i është dërguar ministrave të Financave të BE-së shkruhet:

“Një pjesë e konsiderueshme e kostove të rindërtimit të Ukrainës, duke përfshirë kompensimin për viktimat e agresionit ushtarak rus, duhet të mbulohen nga Rusia.”

Gjithashtu katër vendet i bëjnë thirrje BE-së të fillojë përgatitjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë, duke shtuar:

“Në fund të fundit, nëse Rusia nuk e ndalon agresionin ushtarak kundër Ukrainës, nuk duhet të ketë fare lidhje ekonomike midis BE-së dhe Rusisë, duke siguruar që asnjë nga burimet, produktet apo shërbimet tona financiare të mos kontribuojë në makinerinë luftarake të Rusisë.”

Të katër vendet kërkojnë që të identifikohen mënyra ligjore për të “maksimizuar” përdorimin e aseteve të ngrira nga BE për të mbuluar “kostot e përpjekjeve të vazhdueshme të Ukrainës për t’i bërë ballë agresionit rus dhe për rindërtimin e vendit pas luftës”.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian tha se do të kontrollonte nëse ishte e mundur të konfiskoheshin asetet e ngrira ruse për të financuar Ukrainën sipas ligjeve kombëtare dhe të BE-së. Megjithatë, zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se konfiskimi i aseteve mund të jetë i vështirë ligjërisht.

Letra vazhdon:

“Në rastet kur mënyrat ligjore për konfiskimin e aseteve nuk mund të identifikohen, ato duhet të përdoren si levë dhe të lirohet vetëm pasi Rusia të kompensojë Ukrainën për të gjitha dëmet e bëra.” /abcnews.al/