Lituania propozon ndryshime ligjore, mbështetësve rusë do t’u hiqet shtetësia

schedule12:29 - 13 Qershor, 2024

schedule 12:29 - 13 Qershor, 2024

Ministria e Brendshme në Lituani ka propozuar ndryshime ligjore për shtetësinë brenda vendit. Kushdo që është një shtetas i dyfishtë në Lituani dhe mbështet agresionin Rus kundër Ukrainës, do të konsiderohet kërcënim për sigurinë kombëtare dhe mund t’i hiqet nënshtetësia.

“Personat e përfshirë në aktivitete antishtetërore dhe që mbështesin vendet agresore nuk mund të jenë shtetas të Republikës së Lituanisë”, tha në një deklaratë për shtyp ministrja e Brendshme Agne Bilotaitë, e cila inicioi edhe këtë projektligj.

“Këto ndryshime i ofrojnë shtetit mjetet për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare” shtoi më tej ajo.

Parlamenti Lituanez miratoi vitin e shkuar ndryshime në ligjin për shtetësinë për të lejuar heqjen e shtetësisë lituaneze për shtetasit e dyfishtë, nëse personi shpreh publikisht mbështetje për një shtet që paraqet kërcënim për interesat e sigurisë së Lituanisë ose aleatëve të saj.

Lituania, një shtet që ka një vijë kufitare me gjatësi prej 297 kilometrash me Rusinë ka mbështetur Ukrainën me armatime të ndryshme që prej nisjes së luftës në vitin 2022.

Inteligjenca Perëndimore ka publikuar raporte të njëpasnjëshme që mbajnë paralajmërime shqetësuese ku thuhet se nëse Putin fiton në Ukrainë ai do të synojë më pas shtetet Baltike.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!