Parlamenti i Lituanisë miratoi një ligj i cili lejon ndërtimin e një muri në kufi për të ndaluar fluksin e emigrantëve bjellorusë. Në 24 orët e fundit rreth 200 emigrantë nga Bjellorusia kanë hyrë në Letoni, një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i Natos-s prej 1.9 milion banorësh. Për këtë arsye autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në kufi, duke mos lejuar asnjë hyrje deri në 10 nëntor.
Ndërsa ligji i Vilnius, i miratuar me 80 vota pro dhe dy abstenime, i jep projektit të mbylljes së kufirit një status të rëndësisë kombëtare. Ministrja e brendshme e Lituanisë u shpreh se duhet krijuar një kufi i fortë dhe i besueshëm me Bjellorusinë sa më shpejt të jetë e mundur.
Lituania parashikon ndërtimin e një muri prej 508 kilometrash të shoqëruar dhe me një rrjetë metalike, për një kosto prej 152 milion eurosh. Vilnius i cili i ka dhënë mbështetje të fortë dhe strehim opozitës bjelloruse, nuk pranon më emigrantë nga Bjellorusia prej ditësh pasi më shumë se 4 mijë persona kanë mbërritur në vend që nga fillimi i këtij viti. Brukseli ka akuzuar presidentin bjellorus Lukashenko se po inkurajon qëllimisht emigrantët klandestinë në shenjë hakmarrjeje për sanksionet që i janë vendosur vendit.
Parlamenti në Lituani votoi dhe për të lejuar ushtarët që të patrullojnë në kufi së bashku me rojet e kufirit për të bllokuar ata që kalojnë në mënyrë të paligjshme.
Komisionerja për çështjet e brendshme në Bashkimin Europian, u shpreh se me dërgimin e emigrantëve fillimisht në Letoni, dhe tashmë në Lituani e Poloni, lideri autoritar bjellorus Lukashenkos, po përpiqet të destabilizojë BE-në duke përdorur qenie njerëzore në një akt agresioni. Po ky sipas saj është një sinjal dëshpërimi./abcnews.al