Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, pasi thanë se nuk janë përmbushur kërkesat që i kanë shtyrë ata të largohen nga institucionet e vendit.
“Kjo e bën më se të qartë se Prishtina dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës dhe Metohisë, kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, thuhet në njoftimin e bërë nga kjo parti.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës po mbahen pasi kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të largimit kolektiv të punëtorëve të etnisë serbe nga institucionet e Kosovës.
Ky veprim u ndërmor në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të targave serbe, në targa të Kosovës, vendim i cili më pas u pezullua me një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, një tjetër kërkesë e Listës Serbe për t’u kthyer institucioneve të Kosovës është edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Autoritetet e Kosovës deri tani e kanë refuzuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar të dëmshme dhe duke thënë se nuk mund të lejohet krijimi i bashkësive njëetnike.Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare, vendosi kushtet në të cilat mund të formohet Asociacioni, disa prej të cilave kërkohet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, por u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, edhe atëherë refuzoi të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Që nga viti 2013, kur u formua, kjo parti ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.
Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së vazhdimisht ka konkluduar në raportet e tij pas zgjedhjeve se Lista Serbe “monopolizoi jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” dhe se ishin regjistruar raste të frikësimit, dhe se votuesit ishin nën presion nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./rel