Asnjësurprizë, por vetëm një rikthim. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Silvinjo zbuloi listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për dy ndeshjet e fundit në kualifikueset e “Botërorit 2026”.
Skuadra kuqezi do të luajë kundër Andorrës në transfertë më 13 nëntor dhe ndaj Anglisë në Tiranë më 16 nëntor, ndërsa tekniku do të mbështetet sërish te më të besuarit e tij. Në listën me 25 futbollistë, ndryshe nga ajo e tetorit është lënë jashtë Nazmi Gripshi, ndërsa është kthyer në kombëtare Indrit Tuci.
Nuk ka risi të tjera, duke nisur nga porta ku bashkë me Thomas Strakoshën janë thirrur Mario Dajsinani dhe Simon Simoni.
Në mbrojtje kthehet Ardian Ismajli, pasi humbi sfidat e fundit për shkak dëmtimi, ndërsa nuk ja ka dalë Marash Kumbulla. Pjesa tjetër e repartit difensiv është e njëjtë me atë të tetorit, përfshirë edhe Klinsman Cake që ftohet për herë të dytë radhazi.
E njëjtë edhe mesfusha me të grumbulluarit e zakonshëm të Silvinjo, ndërsa edhe për sulmin, përveç rikthimit të Indrit Tucit, tekniku kuqezi do të mbështetet te të përhershmit Armando Broja, Rej Manaj, Myrto Uzuni dhe Mirlind Daku.
Kombëtarja e Shqipërisë do të grumbullohet në Barcelonë, ku nga e hëna do të nisë përgatitjet për sfidën kundër Andorrës. Më pas skuadra kuqezi do të kthehet në Tiranë për ndeshjen e fundit kundër Anglisë në “Air Albania”.
Këto dy sfida janë vendimtare për përfaqësuesen shqiptare në misionin e saj për të siguruar për herë të parë në histori një vend në fazën e plej ofit të një Botërori.

